Berisha: Rama refuzon zgjatjen e regjistrimit për diasporën, kjo dëshmon frikën dhe tmerrin që kanë nga vota e lirë

4 Mars 2025, 13:02 / POLITIKË ALFA PRESS
Berisha: Rama refuzon zgjatjen e regjistrimit për diasporën, kjo

Në një deklaratë për mediat nga selia e Partisë Demokratike, lideri i opozitës Sali Berisha ka akuzuar Edi Ramën për abuzim të drejtësisë dhe një shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Sipas tij, Rama ka urdhëruar refuzimin e një propozimi të PD-së që do të mundësonte një afat të zgjatur për regjistrimin e anëtarëve të diasporës në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit.

Kryetari i PD-së theksoi se ky veprim është dëshmi e frikës dhe tmerrit që e ka kapur Ramën dhe partinë e tij nga mundësia e një vote të lirë të shqiptarëve jashtë vendit.

Ai gjithashtu akuzoi përfaqësuesit e Ramës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për shkelje të drejtpërdrejta të Kushtetutës, duke përjashtuar nga e drejta e votës qindra mijëra shqiptarë në diasporë. Berisha bëri apel për një regjistrim masiv të shqiptarëve, si një akt ndëshkimi ndaj atij që, sipas tij, ka frikë nga vota e tyre. 

Edi Rama personalisht në vitin e diasporës urdhëroi përfaqësuesit e tij në KQZ të refuzojnë propozimin e përfaqësuesve të PD për të zgjatur të paktën gjer në datën 9 regjistrimet e anëtarëve të diasporës për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 majit.
Refuzimi kategorik i Edi Ramës dhe përfaqësuesit të tij, Damian Gjiknuri, dëshmon frikën dhe tmerrin që i ka kapur ata dhe partinë e tyre të krimit nga vota e lirë e shqiptarëve jashtë vendit. Ky refuzimi është një shkelje madhore e Kushtetutës së vendit.

Ky refuzim është përjashtimi nga e drejta e votimit e të paktën sipas shifrave zyrtare, të 500 mijë, por shifrat e tjera flasin për 800 mijë shqiptarë jashtë vendit, të cilët i kanë pasur dokumentet e skaduara. Pa përfshirë këtu qindra mijëra të tjerë, të cilët nuk disponojnë dokumente të lëshuara në Shqipëri, por disponojnë dokumente zyrtare biometrike të rregullta të lëshuara në vendet ku ata jetojnë. Me këtë vendim, Edi Rama firmos turpin e tij historik.Me këtë vendim ai dëshmon se është i pashpresë në zgjedhjet e 11 majit.

Shfrytëzoj këtë rast për t’u bërë thirrje të gjithë shqiptarëve këto orë që kanë mbetur t’i shfrytëzojnë për regjistrimin masiv të tyre, edhe në një akt ndëshkimi për njeriun që ka fobi të tmerrshme nga vota e tyre. Ndërkohë, thirrja e fundit është për përfaqësuesit e tij në entin rregullator të KQZ, të kundërshtojnë vendimin e Edi Ramës, të votojnë me përfaqësuesit e opozitës, se në këtë mënyrë ata do ngrihen në lartësinë e Kushtetutës së vendit dhe nuk do bëhen mercenarë për të përjashtuar në tërësi mbi 500 mijë shqiptarë nga e drejta e votimit. Ky është një akt i pashembullt në historinë elektorale, ndaj dhe debati zhvillohet në rregullatoren e KQZ-së, ftoj përfaqësuesit e PS të tregohen socialistë të vërtetë dhe jo përfaqësues të partisë së krimit të Edi Ramës që ka frikë dhe tmerr nga vota e shqiptarëve.

Po ndodh...

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128