Deklaroi se pezullimi i Ballukut kishte bllokuar fluturimet, por Rama e lidhi vetë marrëveshjen me Kanadanë

13 Dhjetor 2025, 14:41 / POLITIKË ALFA PRESS

Deklaroi se pezullimi i Ballukut kishte bllokuar fluturimet, por Rama e lidhi

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht ministri Diell, ka bërë një sakrificë sublime për qytetarët shqiptarë.

Ai ka nënshkruar vetë, personalisht, Marrëveshjen në Parim me Kanadanë Për transportin ajror.

Por, përse është kaq e veçantë kjo vendimmarrje? Pak ditë më parë, kreu i qeverisë, u ankua se vendimi i Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe njëkohësisht Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, kishte bllokuar keqazi punën e qeverisë.

Dhe, një prej dëmeve më të madhe që kishte sjellë vendimi i GJKKO-së ishte pikërisht bllokimi i marrëveshjes me Kanadanë.

“Ministri i pezulluar jo vetëm që nuk firmos dot vetë asgjë, por bën që askush tjetër të mos marrë dot vendim dhe të firmosë. Ndaj edhe është absurd si koncept sepse është bllokim i krejt zinxhirit vendimmarrës për sektorët që ministri mbulon, dhe ndër gjërat që janë bllokuar është edhe marrëveshja me Kanadanë për fluturimet ajrore”, deklaroi ai në një komunikim në rrjete sociale, gjatë fushatës për të bindur Gjykatën Kushtetuese të rikthejë në detyrë zëvendësen e tij.

Argumenti i Ramës ishte tërësisht qesharak, megjithatë i mjaftueshëm për tu dhënë lëndë të parë analistëve të tij që ta shumëfishonin këtë justifikim në studiot mediatike.

Për shumë orë, megafonët i mësynë veshëve të qytetarëve, për të treguar se vendimi i Gjykatës së Posaçme na prishi shumë punë me Kanadanë dhe se pezullimi i Ballukut i la avionët në ajër.

Por, siç edhe ishte më normalja e më logjikja, zgjidhja ishte shumë e thjeshtë e shumë e lehtë.

Të premten e kësaj jave (12 dhjetor 2025), kryeministri Rama e ka nënshkruar vetë Vendimin Për miratimin, në parim, të Marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Kanadasë, për transportin ajror.

Ky vendim u miratua vetëm pak orë përpara se Gjykata Kushtetuese të vendoste pezullimin e vendimit të GJKKO-së, duke rikthyer në detyrë Belinda Ballukun.

Kushtetuesja, në vendimin për rikthimin në zyrë të Ballukut, argumentoi se pezullimi i saj nga detyra rrezikon të sjellë pasoja që prekin interesat shtetërore gjatë ushtrimit të kompetencave kushtetuese të pushtetit ekzekutiv në drejtim të përcaktimit të politikave të përgjithshme shtetërore…

Po ja që argumenti i Kushtetueses çalon-Rama i ngriti vetë avionët për në Kanada, pa pritur rikthimin e Belinda Ballukut në zyrë./BoldNews

Po ndodh...

ide