Deputetja socialiste: Kam qenë e prekur nga protesta e bashkëqytetarëve të mi në Durrës, Rama na lehtësoi

14 Shkurt 2026, 21:57 / POLITIKË ALFA PRESS

Deputetja socialiste: Kam qenë e prekur nga protesta e

Deputetja e PS, Eva Budini ka reaguar në rrjetet sociale, pas vizitës së kryeministrit dhe kryetarit socialist në Durrës, duke e cilësuar praninë dhe angazhimin e tij si “një moment lehtësimi”.

Përmes një postimi që ajo ka bërë në Facebook, është shprehur se prej javësh ka ndjekur me shqetësim situatën e bashkëqytetarëve të saj të prekur nga projekti TID.

Budini është shprehur se ndodhet mes dy qëndrimeve të forta, si “dëshirës për një Durrës më dinjitoz e të transformuar”, por edhe ndjeshmëri ndaj familjeve të prekura nga ky projekt.

Gjithashtu ajo bëri të ditur që do të ketë rishikim të vlerësimit financiar për pronat e prekura, si dhe për disa objekte të paregjistruara.

Postimi i Plotë i Eva Budinit:

“Ardhja e Kryeministrit dhe Kryetarit të PS, Edi Rama, në Durrës, prania dhe angazhimi publik i tij për dialog e rishikim, ishte për mua personalisht një moment lehtësimi .

Teksa prej javësh kam parë dhe ndjekur përpjekjet , shqetësimet dhe ankthin e bashkëqytetarëve të mi të prekur nga projekti TID, kam ndjerë mbi supe një barrë të rëndë përgjegjësie.

Nga njëra anë, dëshira ime e fortë për një Durrës më dinjitoz e të transformuar në funksion të turizmit kulturor dhe historik, si edhe përgjegjësia e zbatimit të ligjeve në fuqi . Nga ana tjetër, ndjeshmëria shumë e lartë për familjet që preken drejtpërdrejt nga ky projekt.

Ka pasur çaste ku si qytetare kam menduar që mund të isha unë një prej tyre, mund të ishte shtëpia ime, mundi, djersa dhe sakrifica e një jete të tërë që do vihej në diskutim.

Ndërsa si deputete, përgjegjësia është më e thellë për pronën e bashkëqytetarëve të mi, pasi për ne shqiptarët edhe për shkak të historisë së ekzistencës si popull, shtëpia nuk është thjesht një aset , por është jetë, është vazhdimësi e familjes, është kujtesë, është rrënjë, histori, është krenari për çfarë i lëmë pas brezave.

Prandaj nuk kam pasur asnjë dyshim se do të ketë rishikim të vlerësimit financiar, si dhe rishikim për disa objekte të paregjistruara, me verifikime të plota dhe reflektim mbi referencat e çmimeve, në mënyrë që procesi të jetë sa më i drejtë dhe transparent.

Sepse një Durrës i zhvilluar ka kuptim vetëm kur nuk ka qytetarë që e lidhin zhvillimin e tij me kujtime të rënda dhe vuajtje shpirtërore të humbjes së pasurisë, por ndihen të dëgjuar, të respektuar dhe të mbrojtur nga shteti i tyre!” 

Po ndodh...