Intervista te New York Times/ Harari: Gabimi që bëjnë gjithmonë liderët e fortë
Në një intervistë të gjatë për “The Ezra Klein Show” në New York Times, historiani izraelit Yuval Noah Harari flet për Trumpizmin, populizmin e djathtë, nacionalizmin, Izraelin, luftën, rrjetet sociale dhe Inteligjencën Artificiale. Por boshti i gjithë bisedës është një ide e vetme, se njerëzimi nuk ka përparuar nga dhuna, por nga aftësia për të bashkëpunuar.
Intervista nis me një deklaratë të Stephen Miller, zyrtar i lartë i administratës Trump, i cili thotë se bota reale drejtohet nga “forca, pushteti dhe fuqia”. Harari e kundërshton këtë botëkuptim në mënyrë të prerë.
“E gjithë historia e filozofisë dhe spiritualitetit është një debat pikërisht me këtë pikëpamje: se e vetmja realitet është pushteti, e vetmja realitet është forca. Nga këndvështrimi i një historiani, është e qartë se kjo nuk është e vërtetë”, thotë Harari.
Sipas tij, nëse forca brutale do të ishte realiteti i vetëm njerëzor, njerëzit do të jetonin ende në grupe të vogla gjuetarësh në savanat e Afrikës. Ajo që e ka bërë njeriun të ndërtojë qytetërime, shtete, institucione dhe ekonomi globale nuk është aftësia për të goditur më fort, por aftësia për të bindur miliona njerëz që të bashkëpunojnë dhe t’i besojnë njëri-tjetrit.
Për Hararin, gabimi i liderëve autoritarë është se ngatërrojnë fuqinë me stabilitetin. Ata mendojnë se rendi ndërkombëtar mund të ndërtohet mbi hierarkinë e të fortëve dhe të dobëtëve, ku të dobëtit duhet të binden për të shmangur luftën. Por historia, thotë ai, tregon të kundërtën.
Nëse bota pranon këtë logjikë, çdo shtet do të detyrohet të armatoset sa më shumë, sepse askush nuk mund të mbijetojë si i dobët. Rezultati nuk është siguri, por më shumë frikë, më shumë ushtri, më pak para për shëndetësi, arsim dhe mirëqenie.
Harari kujton se një nga arritjet më të mëdha të dekadave të fundit ka qenë fakti që njerëzimi, për herë të parë në histori, ka shpenzuar mesatarisht më shumë për shëndetësinë sesa për ushtrinë. Kjo, sipas tij, u bë e mundur sepse pas Luftës së Dytë Botërore u krijua një tabu globale kundër pushtimit dhe aneksimit të vendeve të tjera me forcë.
Nëse kjo tabu thyhet, paralajmëron ai, bota kthehet në epokën e perandorive dhe luftërave të pafundme.
“Ky vizion, që paqja dhe rendi i botës të bazohen mbi një hierarki të të fortëve dhe të dobëtëve, ku të dobëtit i binden gjithmonë të fortëve dhe kështu blejnë paqen, është provuar për mijëra vjet. Dhe e dimë ku të çon: nga njëra anë te perandoria, nga ana tjetër te luftërat e pafundme”, thotë Harari.
Historiani e ndërton argumentin e tij se bashkëpunimi përmbys forcën mbi lenten e sistemeve të organizimit shoqëror. Kjo është arsyeja se pse një pjesë e rëndësishme e intervistës i kushtohet liberalizmit. Harari e sheh rendin liberal global si një nga arritjet më të mëdha politike dhe morale të njerëzimit, por pranon se sot ai është në krizë të thellë.
Sipas tij, në shekullin XX njerëzimi kishte tre histori të mëdha politike. Fashizmi thoshte se historia është luftë mes kombeve dhe racave, ku fiton më i forti. Komunizmi thoshte se historia është luftë mes klasave. Liberalizmi, ndryshe nga të dyja, tha se historia nuk ka pse të jetë domosdoshmërisht konflikt. Ajo mund të jetë bashkëpunim.
Thelbi i liberalizmit, sipas Hararit, është se njerëzit, pavarësisht racës, kombit, klasës apo fesë, ndajnë nevoja të përbashkëta biologjike dhe psikologjike. Ata kanë nevojë për dashuri, njohje, siguri dhe dinjitet. Duke njohur këto interesa të përbashkëta, shoqëritë mund të ndërtojnë një botë më të mirë për të gjithë.
Por sot, sipas tij, kjo histori është dobësuar. "Shtëpia" e përbashkët që ndërtoi liberalizmi ende funksionon, por askush nuk po e mirëmban më.
“Është si një shtëpi e mrekullueshme ku jeton gjithë njerëzimi. Sistemet ende punojnë disi, uji, kanalizimet. Askush nuk kujdeset më për to, por janë ndërtuar aq fort sa vazhdojnë të funksionojnë. Por nëse jeton në një shtëpi dhe askush nuk e mirëmban, pas një viti, pesë vitesh apo dhjetë vitesh, ajo shembet. Dhe atëherë është tepër vonë”, shpjegon Harari.
Një kritikë që Harari i bën liberalizmit modern është se ka humbur lidhjen me idenë e “vëllazërisë”, pra me ndjenjën e përkatësisë kombëtare dhe kujdesit për njerëzit e tjerë brenda të njëjtës shoqëri. Ai kujton se Revolucioni Francez nuk kishte vetëm “liri” dhe “barazi”, por edhe “vëllazëri”.
Dhe këtu Harari shkrin liberalizmin modern me konceptin së fundmi problematik të nacionalizmit, për të cilin historiani thotë se po anatemohet (pjesërisht) padrejtësisht.
Sipas Hararit, nacionalizmi nuk është domosdoshmërisht urrejtje ndaj të huajve. Në thelbin e vet, nacionalizmi është dashuri për një numër shumë të madh njerëzish që nuk i njeh personalisht, por për të cilët je gati të sakrifikosh. Problemi nis kur nacionalizmi kthehet në urrejtje ndaj të tjerëve dhe, akoma më keq, në përçarje brenda vetë kombit.
Në këtë pikë, Harari jep shembullin e Izraelit dhe kryeministrit Benjamin Netanyahu. Ai thotë se askush nuk e ka përçarë kombin izraelit më shumë se Netanyahu dhe, në këtë kuptim, ai ka qenë armiku më i madh i nacionalizmit izraelit.
Intervista prek gjatë edhe luftën në Gaza dhe marrëdhënien e Izraelit me pushtetin. Harari, vetë izraelit, thotë se tradita hebraike 2 mijëvjeçare ka qenë e ndërtuar mbi mësimin, studimin, tolerancën dhe përvojën e të qenit pakicë. Por sot, sipas tij, një pjesë e politikës izraelite po e zëvendëson këtë trashëgimi me logjikën romake të forcës, legjioneve dhe shkatërrimit të qyteteve.
Ai nuk thotë se Izraeli nuk ka nevojë për ushtri. Përkundrazi, ai pranon se forca është e nevojshme për sigurinë. Por e sheh si katastrofale idenë se forca është e vetmja gjë që garanton sigurinë.
Për Hararin, është më mirë të kesh edhe ushtri të fortë, edhe marrëveshje paqeje, sesa vetëm ushtri. Ai kujton se pas 7 tetorit, marrëveshjet e paqes së Izraelit me Egjiptin, Jordaninë dhe vendet e Gjirit qëndruan. Edhe marrëdhëniet me Autoritetin Palestinez dhe qytetarët palestinezë të Izraelit nuk u shembën siç shpresonte Hamasi.
Në kuadër të logjikës se bashkëpunimi (dhe jo forca) është motori perpetual i përparimit të njerëzimit, Harari prek edhe aftësinë e njeriut për të qenë empatik. Por këtu ka një problem të madh, mungesa e empatisë. Kjo është arsyeja pse një nga pjesët më të forta të intervistës lidhet me (pa)aftësinë për të kuptuar dhe përjetuar vuajtjen.
Harari thotë se njerëzit, kur janë vetë në dhimbje, shpesh nuk janë në gjendje të pranojnë dhimbjen e palës tjetër. Shumë izraelitë, sipas tij, nuk arrijnë të shohin vuajtjen palestineze, ashtu si shumë palestinezë dhe mbështetës të tyre nuk arrijnë të shohin vuajtjen izraelite.
“Kaq e vështirë është për qindra miliarda sinapse në trurin njerëzor të mbajnë dy ide në të njëjtën kohë. Ka një tërheqje drejt historisë së thjeshtë, ku ka vetëm të mirë dhe të këqij. Nuk arrijmë të pranojmë se ka dhimbje në të dyja anët: se izraelitët vuajnë dhe palestinezët vuajnë gjithashtu”, thotë Harari.
Kur forca dominon mbi bashkëpunimin ka gjithmonë një element që ndihmon të parën. Ky element, sipas Hararit, është keqmenaxhimi emocional. Dhe këtu, në pjesën e fundit, intervista kthehet pikërisht te roli gjithnjë e më i madh që kanë teknologjia dhe Inteligjenca Artificiale.
Harari argumenton se rrjetet sociale kanë dëmtuar shoqëritë sepse algoritmet e tyre nuk janë ndërtuar për të prodhuar të vërtetë apo besim, por angazhim/ndërveprim (enganement). Dhe mënyra më e lehtë për të krijuar angazhim është të shtypësh tastet e urrejtjes, frikës, zemërimit dhe lakmisë në mendjen njerëzore.
Sipas tij, bota sot është “hiper-e angazhuar” dhe “hiper-e eksituar”. Njerëzit jetojnë në një gjendje të vazhdueshme nervoze dhe të acaruar, sepse algoritmet kanë mësuar të kapin dobësitë tona evolucionare.
Por rreziku i Inteligjencës Artificiale, sipas Hararit, shkon përtej rrjeteve sociale. IA nuk do të luftojë domosdoshmërisht me robotë në rrugë, si në filmat fantastiko-shkencorë. Rreziku më i madh mund të jetë më i qetë dhe më i thellë. IA mund të ndryshojë mënyrën si njerëzit krijojnë lidhje, dashuri, besim dhe identitet.
Harari flet për “hakim” të intimitetit. Nëse rrjetet sociale luftuan për vëmendjen tonë, IA po hyn në betejën për marrëdhëniet tona. Chatbotët mund të bëhen miq, partnerë emocionalë, këshilltarë dhe burime të vazhdueshme vlerësimi. Sidomos për fëmijët, kjo mund të krijojë një model marrëdhënieje ku “tjetri” është gjithmonë i fokusuar 100% tek ata dhe nuk ka nevoja, mërzi apo kufij njerëzorë.
“Rreziku i vërtetë i IA janë gjëra si miliona të dashur dhe të dashura artificiale që ndryshojnë psikologjinë e brezit të ardhshëm, duke ndryshuar prirjet dhe strukturat më të thella të mendjes njerëzore”, paralajmëron Harari.
Një tjetër ide e fortë e tij është krahasimi i Inteligjencës Artificiale me një valë të re emigracioni. Sipas Hararit, bota po përballet me “emigrantë” të rinj, por jo njerëz që vijnë me varka apo pa viza. Këta janë entitete të IA që hyjnë në të gjitha vendet me shpejtësinë e dritës.
Si emigrantët njerëzorë, thotë ai, AI do të marrë vende pune, do të ndryshojë kulturën dhe mund të mos jetë politikisht besnike ndaj vendeve ku vepron. Madje, në fillim mund të jetë besnike ndaj kompanive apo shteteve që e krijojnë, e më pas ndoshta vetëm ndaj vetes.
Për këtë arsye, Harari propozon një kufi të qartë ligjor. IA nuk duhet të njihet si person juridik. Historiani paralajmëron se nëse sistemet e Inteligjencës Artificiale lejohen të kenë llogari bankare, të hapin kompani, të menaxhojnë para apo të ndikojnë politikën pa përgjegjësi njerëzore, shoqëritë mund të humbin kontrollin.
Për ta përmbledhur, mesazhi kryesor i Hararit është i thjeshtë. Njerëzimi është bërë i fuqishëm jo sepse është më i dhunshmi, por sepse di të tregojë histori dhe të bashkëpunojë rreth tyre. Por kur historitë kthehen në urrejtje, kur teknologjia i shfrytëzon dobësitë tona dhe kur liderët besojnë se forca është e vetmja gjuhë e botës, vetë baza e bashkëpunimit njerëzor vihet në rrezik. Shto këtu edhe lojtarin e ri inteligjent që s'ka qënë kurrë aty, në historinë tonë, për të asistuar të liderët e fortë të mbjellin më shumë urrejte, dhe kemi recetën perfekte për regres.
Gabimi që bëjnë gjithmonë “të fortët”, sipas Hararit, është se harrojnë se fuqia pa besim nuk ndërton rend, ajo ndërton vetëm frikë. Dhe frika, në fund, nuk prodhon paqe, por luftëra të pafundme./ Përgatiti A.K. ©LAPSI.AL
Po ndodh...
Si i "mashtroi" Lulzim Basha demokratët për Sali Berishën!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128