Reagimi/ Holanda: IBAR si inkurajim, por korrupsioni, mospengimi i drejtësisë…kushte të pa negociueshme
Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, ka deklaruar se miratimi i pikave të referimit të ndërmjetme (IBAR) në grupin e kapitujve ‘Themeloret’ përbën një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por njëkohësisht edhe një mesazh të qartë inkurajimi për vijimin e reformave.
Në deklaratën e bërë publike me rastin e Konferencës Ndërqeveritare në Bruksel, ambasadori Vos përgëzoi qytetarët shqiptarë, institucionet dhe sistemin e drejtësisë për progresin e arritur, duke theksuar se Shqipëria është pjesë e familjes europiane dhe se Holanda mbështet fuqishëm integrimin e saj në BE.
Sipas tij, forcimi i shtetit të së drejtës, mbrojtja e të drejtave themelore dhe konsolidimi i demokracisë pluraliste janë elemente thelbësore të vlerave europiane, ndërsa progresi në kapitujt ‘Themeloret’ përcakton ritmin e negociatave të Shqipërisë me BE-në.
Me rastin e Konferencës Ndërqeveritare të sotme me Shqipërinë në Bruksel, Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Z. Reinout Vos, deklaron:
Arritja e pikave të referimit të ndërmjetme (interim benchmarks) në Grupin e kapitujve ‘Themeloret’ (Fundamentals) shënon një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Përgëzoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë, si dhe ata në politikë, administratën publike dhe gjyqësor që kanë kontribuar në këtë arritje me përkushtim të madh.
Shqipëria është pjesë e familjes evropiane. Kjo është arsyeja pse Holanda mbështet fuqishëm anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian. Një shtet i fortë i së drejtës, mbrojtja e të drejtave themelore dhe një demokraci pluraliste janë në themel të vlerave evropiane. Prandaj, progresi në fushën e ‘Themeloreve’ përcakton ritmin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së.
Arritja e pikave të referimit të ndërmjetme përbën kështu pikënisjen për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës. Miratimi i IBAR-it shpreh pritshmërinë dhe inkurajimin tonë të qartë për të vazhduar reformat, për të siguruar zbatimin e tyre të qëndrueshëm në praktikë dhe për të forcuar institucionet përgjegjëse.
Respekti për pavarësinë e gjyqësorit dhe përpjekjet e papenguara kundër korrupsionit, përfshirë edhe rastet e nivelit të lartë, janë parakushte të negociueshme për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Kjo përfshin gjithashtu sigurimin që vendimet për heqjen e imunitetit të merren në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Shtetet anëtare të BE-së i kanë ankoruar këto pritshmëri shumë qartë në Pozicionin e tyre të Përbashkët si parakushte për përmbylljen e negociatave. Ashtu si institucionet e BE-së dhe shtetet e tjera anëtare të BE-së, Holanda do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet e mëtejshme dhe të mbështesë përpjekjet për reforma.
— ReinoutVos (@ReinoutVos) May 26, 2026
Po ndodh...
Si i "mashtroi" Lulzim Basha demokratët për Sali Berishën!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128