Ngjitja dhe rënia e ish-drejtorit të Mirel Mërtirit nga Agjencia e Pasurive të Sekuestruara
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, AAPSK – e cila administron pronat e sekuestruara të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri ndërroi dy drejtues brenda një ore të hënën.
Ministria e Brendshme komandoi fillimisht Ferdinand Tarazhin në detyrën e kryeadministratorit të AAPSK, por komandimi i tij u tërhoq mbrapsht pasi deputeti i opozitës, Belind Këlliçi denoncoi marrëdhënien e tij të punës me kompaninë “Integrated Energy” që menaxhonte landfillin e Sharrës.
“Në qershor të vitit 2023, ky personazh punësohet si Drejtor i Shërbimeve Operacionale në landfillin e Sharrës nga Integrated Energy BV SPV, si njeriu i besuar”, deklaroi Këlliçi për mediat, duke e akuzuar Tarazhin për lidhje me Mirel Mërtirin dhe gjendjen e tij në kushtet e konfliktit të interesit.
Kompania koncesionare “Integrated Energy” BV SPV e mandatuar nga qeveria shqiptare për ndërtimin e një inceneratori në Tiranë u sekuestrua në fund të korrikut 2023 dhe administrohet prej asaj kohe nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, SPAK, pronarët faktikë të “Integrated Energy” janë dy biznesmenët në arrati, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të cilët akuzohen për korrupsion dhe pastrim parash edhe me dy kompanitë e tjera të inceneratorëve në Elbasan dhe në Fier.
I pyetur nga BIRN për komandimin në krye të Agjencisë të Tarazhit, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, la të kuptohej se urdhri i komandimit të tij kishte qenë në fuqi më pak se një orë dhe ishte ndryshuar për shkak të konfliktit të interesit në dukje.
Balla shtoi se kishte komanduar më pas në krye të Agjencisë Idriz Haxhiajn, i cili mbante detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Politikave dhe Strategjive të Rendit dhe Sigurisë Publike në Ministrinë e Brendshme.
Balla megjithatë këmbënguli se ai kishte firmosur vetëm komandimin e Haxhiajt.
“Vetëm këtë urdhër kam bërë unë”, tha ministri, ndërsa shtoi se pozicioni do i nënshtrohej një konkurrimi të hapur dhe drejtori i ri i përhershëm do të dilte nga ky konkurrim i hapur.
Tarazhi – gjithashtu një nëpunës karrierë në Ministri të Brendshme, pranoi për BIRN se kishte punuar vetëm një muaj për kompaninë “Integrated Energy” BV SPV para se ajo të vendosej në sekuestro nga SPAK.
Tarazhi mohoi që ai ishte të ishte punësuar nga Mërtiri.
“Nuk më ka emëruar Mërtiri, nuk e njoh Mërtirin. Më ka emëruar administratori holandez,” tha Tarazhi përmes një bisede telefonike.
Landfilli i Sharrës është pjesë e kontratës koncesionare mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë Integrated Energy B.V SPV dhe vendi ku depozitohen mbetjet urbane të zonës më të populluar të Shqipërisë – përfshirë bashkinë e Tiranës dhe atë të Durrësit.
Që prej nënshkrimit të kontratës me qeverinë, kompania “Integrated Energy” ka arkëtuar rreth 100 milionë euro nga depozitimi i mbetjeve Urbana dhe i dherave, por inceneratori nuk u ndërtua asnjëherë./Reporter.al
-
-
Shkarkohet brenda 4 orësh drejtori i Pasurive të Sekuestruara
12 Shkurt, 17:31 -
Çfarë orfojnë partitë e reja?
ide
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128