Rama: Me reformën e vitit 2014, pensionet u bënë më të larta

5 Shkurt 2025, 10:12 / POLITIKË ALFA PRESS

Rama: Me reformën e vitit 2014, pensionet u bënë më të

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se për reformën e pensioneve nevojitet një vizion afatgjatë dhe një plan i qëndrueshëm, për të mos shkaktuar pasoja të rrezikshme.

Gjatë konferencës ndërkombëtare për reformën në sistemin e pensioneve në Shqipëri, Rama solli në vëmendje reformën e pensioneve të ndërmarrë në vitin 2014 dhe situatën e skemës së pensioneve para këtij viti.

“Sot, natyrisht jemi në kushte absolutisht të tjera dhe patjetër që e ndiejmë, e mirëkuptojmë dhe njëkohësisht edhe e marrim përgjegjësinë lidhur me kërkesën insistuese të pensionistëve për të marrë pjesë në mënyrë më domethënëse në shpërndarjen e fryteve të reformave dhe rritjes së përgjithshme të ekonomisë,” tha Rama.

“Nga ana tjetër jemi shumë të vetëdijshëm që do të ishte fatale nëse në këtë pikë ne do të vepronim pa pasur një vizion afatgjatë dhe pa pasur një plan të qëndrueshëm afatgjatë, sepse do të shkaktonim të njëjtat dëme dhe pasoja shumë të ngjashme me ato që u shkaktuan nga veprimet që faktikisht na kishin vënë para një sistemi pensionesh tërësisht të pakuptueshëm, absurd dhe të rrezikshëm kur ne ndërmorëm reformën e vitit 2014,” shtoi Rama.

Kryeministri kujtoi se në reformën e vitit 2014 u bë një proces i ngjashëm me këtë që po bëhet sot, duke përfshirë sa më shumë aktorë, dëgjuar sa më shumë eksperienca, realizuar sa më shumë skenarë dhe duke bashkëpunuar ngushtësisht me eksperten kryesore që na vuri në dispozicion Banka Botërore.

 

ide