Skandalet e qeverisë/ Rama: Poterexhinjtë dhe pallavraxhinjtë nuk ndalin dot arritjet e Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar episodin e fundit për vitin 2025 të podcastit “Flasim”, ku u ndal në zhvillimet e vendit dhe sfidat me të cilat, sipas tij, përballet Shqipëria.
Duke e cilësuar këtë si një episod të veçantë përmbyllës të vitit, Rama u ndal te ajo që e quajti “Shqipëria e 700 tenxhereve politike mediatike”, ku sipas tij “zien histeria, gjysmë të vërtetat dhe gënjeshtrat më të mëdha”, duke akuzuar një pjesë të politikës dhe mediave për linçime, shpifje dhe destabilizim.
Kryeministri theksoi se kjo Shqipëri, sipas tij negative dhe zhurmuese, nuk mund ta ndalë progresin e vendit drejt integrimit europian.
Një pjesë e rëndësishme e mesazhit të kryeministrit iu kushtua Reformës në Drejtësi, ku Rama theksoi se lufta kundër korrupsionit dhe pavarësimi i drejtësisë nga politika janë shtylla themelore të qeverisjes së tij, duke nënvizuar se për herë të parë një forcë politike në pushtet ka hapur rrugën që drejtësia të veprojë edhe brenda vetë pushtetit.
Rama: E meqë ky është episodi i fundit i vitit, lejomëni të bëj edhe një shënim disi të përveçëm.
Shqipëria e 700 tenxhereve politike mediatike, ku zien me histeri i gjithë llumi i gjysmë të vërtetave që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, ku linçohen njerëz e familje pa asnjë gajle, për lloj-lloj arsyesh të mosarsyes, nga gjobat e portalexhinjve tek ligësitë e poterexhinjve dhe mllefet e pallavraxhinjve, nuk e mund dhe as nuk e zmbraps dot kurrësesi Shqipërinë e të gjithë kapitujve të hapur të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian; Shqipërinë Turistike me aeroportin kryesor të rajonit, që për të disatin vit edhe këtë vit, ka lënë mbrapa aeroportin historikisht kryesor në Ballkan, atë të Beogradit; Shqipërinë e transformimit digjital dhe të rritjes së qëndrueshme ekonomike, ku paga mesatare ka arritur tanimë në 830 euro; Shqipërinë e transformimit epokal të infrastrukturës, ku kantiere të reja hapen çdo vit, qoftë për arteriet e mëdha të vendit e qoftë për ato të voglat; Shqipërinë e sovranitetit energjetik, e cila brenda këtij mandati të katërt do të jetë ekportuese neto e energjise dhe s’do të paguajë më asnjë qindarkë për të blerë energji jashtë vendit; Shqipërinë e rilindjes së industrisë ushtarake, e cila do të mikpresë Samitin e Natos në 2027 dhe do ta mbrojë atë ditë qiellin me dronet e prodhuar në vendin tonë.
Shqipëria e 700 tenxhereve politike mediatike dhe histerike, nuk e mund dhe nuk e përul dot as në moralin e luftës kundër korrupsionit, Shqipërinë e Reformës në Drejtësi, Shqipërinë e Pavarësimit të Drejtësisë nga Pushteti Politik, Shqipërinë e qeverisur nga forca e pasionit dhe vullnetit shtetndërtues, ku për herë të parë në histori, një parti në pushtet i hap rrugen drejtësisë për të pastruar me fshesën e ligjit edhe oborrin deri dje të ndaluar të pushtetit politik, përfshirë edhe pjesën e saj në atë oborr.
Kjo Shqipëri, Shqipëria ime, Shqipëria juaj, Shqipëria e atyre që sot janë fëmijë dhe që meritojnë një vend të sundimit të ligjit dhe jo të sundimit të llumit, nuk do të mundet e as do të përulet dot nga Shqipëria e 700 tenxhereve politike mediatike, që nuk duan drejtësi për Shqipërinë, po duan destabilizim, duan rrëmujë, duan shkatërrim në dëm të Shqipërisë, nuk duan drejtësi me ligj po hakmarrje me llum, nuk duan drejtësi po vetëgjyqësi, linçime, poshtërime.
Ne do të vazhdojmë të luftojmë për drejtesinë që i ka munguar këtij shteti qysh në lindjen e tij, 100 e kusur vjet më parë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim organet e drejtësisë me gjithçka kemi në dorë për të bërë detyrën e tyre dhe do të mbetemi garantët e palëkundur të Reformës në Drejtësi, e të pavarësisë së drejtësisë nga politika, duke vazhduar të mbetemi zëri dhe forca më e madhe e shqiptarëve për Shqipërinë që askush tjetër nuk e mbron dot si ne, nuk e ndryshon dot si ne, nuk e bën dot siç do ta bejmë ne, Shqipërinë në Bashkimin Europian.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
