Tryeza festive ‘në stratosferë’/ Qytetarët: Me këto çmime nuk blejmë dot asgjë, varfëri e madhe

Vetëm pak ditë para Natës së Ndërrimit të Viteve, çmimet e produkteve ushqimore, blegtorale dhe fruta-perimeve kanë njohur rritje të ndjeshme, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për familjet përgatitjen e tryezës festive.
Në tregjet fshatare dhe ato qytetare në të gjithë qarkun e Beratit, vihet re rritje e çmimeve pothuajse për çdo produkt, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e fuqisë blerëse. Qytetarët shprehen se janë të detyruar të kufizojnë blerjet, duke u përqendruar vetëm te produktet më bazike.
“Nuk blejmë dot asgjë, jemi shumë të varfër. Me këto çmime mezi do të arrijmë të blejmë ndonjë pulë shtëpie”, shprehen qytetarët.
Sipas banorëve, frutat dhe perimet janë ndër produktet që kanë shënuar rritjen më të madhe të çmimeve, ndërsa edhe produktet tradicionale të festave, si gjeli dhe pula e detit, janë bërë të papërballueshme për shumë familje.
Tradita e mbushjes së tryezave për Natën e Vitit të Ri duket se po zbehet nga viti në vit. Mallrat nuk mungojnë në treg, por ajo që mungon janë të ardhurat, të cilat nuk ecin në të njëjtin ritëm me rritjen e çmimeve.
Qytetarët ndihen të pambrojtur përballë kësaj situate, teksa festat po afrohen dhe shpenzimet rriten. Ata shprehen se janë më të varfër se një vit më parë dhe se çmimet aktuale janë të papërballueshme.
“Me të ardhurat që kemi nuk mund të blejmë gjithçka që i duhet një familjeje për festë. Çmimi i gjelit dhe pulës së detit është rritur shumë. Tavolinat tona këtë vit do të jenë bosh, varfëria është e madhe”, thonë qytetarët, për Syri TV.
Nga ana tjetër, tregtarët shprehen se nuk janë ata shkaktarët e rritjes së çmimeve, por tregu dhe zinxhiri i furnizimit. Sipas tyre, çmimet e larta kanë ulur ndjeshëm shitjet dhe fuqinë blerëse.
Të njëjtin shqetësim ndajnë edhe rritësit e shpendëve, të cilët theksojnë se, edhe me çmimet aktuale, nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet e prodhimit, pasi janë rritur kostot e ushqimit dhe inputeve, të cilat sipas tyre janë shtrenjtuar nga shteti.
Situata e krijuar në prag të Vitit të Ri nxjerr në pah vështirësitë ekonomike me të cilat përballen familjet, duke e kthyer festën e ndërrimit të viteve në një sfidë për shumë prej tyre.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
