Spartak Braho: Ja si amerikanët spastruan nga politika shqiptare Berishën dhe Metën, do të ketë arrestime të bujshme

26 Maj 2023, 18:04 / POLITIKË ALFA PRESS

Spartak Braho: Ja si amerikanët spastruan nga politika shqiptare

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho ka paralajmëruar se pas zgjedhjeve të 14 majit priten zhvillime të forta në politikën shqiptare.

Braho në një intervistë për gazetën “SOT” thotë se Prokuroria e Posaçme Anti-korrupsion do të godasë në rangjet më të larta politike.

Sipas tij sinjalet vijnë nga amerikanët. Braho thotë se takimi i ambasadores së SHBA Yuri Kim me prokurorët e SPAK në Tiranë tregon se me mbarimin e zgjedhjeve duket se do të fryjë një erë e re sa i takon vendosjes së goditjes së “mamuthëve” të korrupsionit në Shqipëri.

Yuri Kim bëri thirrje të qartë se ka ardhur koha që të goditen të paprekshmit. Pra Braho thotë se drejtësia e re shqiptare mori mbështetje shumë të fortë nga amerikanët dhe terreni për arrestime është gati.

Gjithashtu Braho u shpreh qartë se Metën dhe Berishën i nxori jashtë loje SHBA. Zgjedhjet i fitoi Amerika dhe Blinken, tha Braho pasi ato e bënë të padëshirueshëm Berishën dhe partnerin e tij Ilir Meta.

Ai komentoi dhe akuzat e Sali Berishës se Partia Socialiste bleu zgjedhjet e 14 majit. Braho thotë se Berisha është i sëmurë psikik që duhet të largohet nga sytë e këtij populli. Sipas tij zgjedhjet u monitoruan dhe certifikuan nga Glover dhe parregullsi ka pasur por të thuash që në Shkodër janë vjedhur

Pyetje: Zoti Braho, PS është sërish në pushtet dhe mori shumicën e bashkive?

Unë e kam thënë këtë në fakt. Ishte një fitore e pritshme dhe shumë e thellë. Nuk është e mirë për demokracinë një mazhorancë pa opozitë. Në 2001 PS fitoi 204 deputetë nga 140 që kishte parlamenti gjithsej dhe Meta ishte kryeministër, ndërkohë Berisha filloi protestat.

Një mazhorancë duhet që të dëgjoj shumë më tepër, veçanërisht kontaktet me popullin, me fshatin direkt. Fshati nuk është në gjendje të mirë sa i përket infrastrukturës dhe ekonomisë. Zgjedhjet i fitoi Amerika dhe Blinken, ato e bënë të padëshirueshëm Berishën dhe partnerin e tij Ilir Meta. Populli shqiptar është zgjuar dhe e kupton se nga anon peshorja, dhe ata tani kanë vetëm një rrugë që të largohen nga politika.

Pyetje: Ish-kryeministri Sali Berisha ka thënë se nuk do të largohet?

Ai nuk largohet megjithatë ju e patë që prokurorët e SPAK u thirrën në Ambasadën Amerikane biseduan gjerësisht dhe këtë vend do ta sjell vetëm drejtësia dhe organet e saj. Ku ka korrupsion dhe shkelje duhet të godas pa ngjyrim. Ne kemi ca ministra që janë marr të pandehur por akoma nuk është bërë gjë, ka edhe të tjerë në hetim. Duhet të ketë mbështetje të sistemit gjyqësor, SPAK, prokurorisë.

Pyetje: Prokurorët e SPAK në ambasadën Amerikane, mendoni se është folur për atë që është cilësuar si peshku i madh i politikës?

Sigurisht ka pasur një mision vajtja e tyre. Nuk e di se çfarë është biseduar, por ajo fotoja që ambasadorja ishte në mes të trupës së prokurorëve ishte një mesazh, që do të thotë se politika amerikane e mbështet SPAK, duhet që të goditet korrupsioni thellë sepse është një plagë që nuk po e lë këtë shtet që të ec përpara. Pikërisht ky takim vjen pas zgjedhjeve të 14 majit. Sinjalet janë se vendi pritet përfshihet nga zhvillime të forta sa i takon luftës kundër korrupsionit, duke bërë që të ngushtohet laku për politikanët dhe zyrtarët e korruptuar.

Në duart e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit janë dosje të zjarrta, të cilat pritet të tronditin themelet e politikës. SPAK me SHBA nga pas pritet të firmosë dhjetëra fletë arresti, ku në prangat e policisë do të bien zyrtarë të pushtetit vendor, ish-ministra të qeverisë Berisha dhe ministra të Ramës. Hapja e këtyre dosjeve pas zgjedhjeve është bërë me paramendim, për të shmangur debatin politik që do të prodhonte, pasi arrestimet mund të konsideroheshin si goditje politike. presioni nga ndërkombëtar për SPAK do të jetë i fortë. Arsyeja është se BE ndezi dritën jeshile për integrimin për vendin tonë dhe tani do të nisë menjëherë procesi screening, pra përshtatja e legjislacionit shqiptar me atë të BE.

Në progres-raportin për Shqipërinë janë një sërë kapitujsh që do të hapen për diskutim dhe më të rëndësishmit janë padiskutim kapitujt e drejtësisë 23 dhe 24. Por në kapitujt 23 dhe 24, ndërkombëtarët kërkojnë që të nisin arrestimet në nivele të larta, çka do të thotë se po ngushtohet laku për “mamuthët” e korrupsionit, ku dihet që lista për emrat “VIP” që lakohen se janë përshirë në afera korruptive dhe kriminale janë shumë, të cilët tashmë falë procesit të negociatave, do t’iu duhet të japin llogari para drejtësisë (SPAK dhe BKH) për zullumet që kanë bërë.

Pyetje: Berisha ka hedhur akuza për PS për rezultatin e zgjedhjeve, një koment?

Berisha është i sëmur psikik që duhet të largohet nga sytë e këtij populli. Zgjedhjet u monitoruan dhe certifikuan nga Glover dhe parregullsi ka pasur por të thuash që në Shkodër janë vjedhur 11 mijë vota i bie 15 milionë euro dhe i paska hedhur Benet Beci.

Ca ka bërë e djathta për Shkodrën në këto vite asgjë, edhe një stadium që u bë që u cilësua si arritje atë e bëri qeveria, ishte iniciativa e Ramës. Po Tropojën kush e vodhi, po në vendin nga vjen Meta kush i vodhi votat. Po në Himarë pse nuk i vodhën këta, por atje tentoi që ti blinte votat kandidati i Berishës, ai ka shkelur rëndë ligjin dhe duhet dënuar.  Por të presim drejtësinë është ajo që do të vendos.

Pyetje: Sa i takon bandave kriminale që ka thënë Berisha dhe presionin e tyre?

Pse nuk ankohet Agron Duka me rezultatin, nuk ka thënë ai më vodhën. Ata vetëm thonë më vodhën, ata hyn në një koalicion të përçarë, njëri pa vulë e tjetri pa komisioner. Populli shqiptar ta gëzoj fitoren dhe do uroja Benet Becin, Veliajn, kryebashkiakun e Pogradecit, Elbasanit dhe do thosha të mos e kthejnë në arbitrare drejtimin e pushtetit lokal. Duhet ndryshuar ligji për pushtetin lokal duke dhënë më shumë ndikim apo marrjen parasysh për propozimet që do të bëjë  opozita. /Gazeta Sot

 

Po ndodh...

ide