Prestigjiozja hollandeze: Rinia shqiptare kundër Kastës! E konsiderojnë Ramën të korruptuar, bashkë me kreun e opozitës!
AlfaPress ka përkthyer artikullin e medias holandeze Trouw për protestat e të rinjve në Shqipëri, ku në fokus është refuzimi i protestuesve për t'u ulur në karriget e vendosura nga kryeministri Edi Rama përpara Kryeministrisë, me mbishkrimin “Dialog”. Artikulli pasqyron kërkesën për dorëheqjen e Ramës, pakënaqësinë e të rinjve për korrupsionin, mungesën e perspektivës dhe emigrimin, si dhe përplasjet me policinë.
Artikulli i përkthyer
Karriget vendoseshin çdo ditë përpara Kryeministrisë. Mbi ndenjësen e secilës prej tyre ishte vendosur një karton i bardhë me fjalën “dialog”. Mesazhi ishte i qartë: kryeministri shqiptar Edi Rama kërkon të zhvillojë një bisedë me protestuesit, të cilët gjatë javëve të fundit kanë dalë në rrugë. Fotot e këtyre karrigeve zënë një vend të dukshëm në faqet e tij në rrjetet sociale.
Por karriget nuk qëndronin gjatë në vendin e tyre. Protestuesit i përmbysnin ose i largonin ato, ndërsa fundjavën e kaluar u vunë flakën. Tashmë karriget janë zëvendësuar me një gur të rrumbullakët, mbi të cilin janë vendosur të njëjtat kartonë me thirrjen për “dialog”. Edhe gurin protestuesit e largojnë duke e rrokullisur.
130 ditë
Trazirat e dy javëve të fundit vijnë pas muajsh protestash paqësore, të zhvilluara gjatë të ashtuquajturit Revolucioni i Flamingove, i cili nisi në fund të majit kundër ndërtimit të hoteleve luksoze në një rezervat natyror.
Aktivistët numëronin ditët e Revolucionit të Flamingove. Pas rreth 130 ditësh, ata nisën sërish numërimin nga e para: më 13 tetor, protesta mori një formë krejtësisht të re.
Kërkesa e tyre mbetet e njëjtë: kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen. Rama është prej 13 vitesh në krye të qeverisë së vendit, si lider i Partisë Socialiste. Gjatë kësaj periudhe, ai ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ndërsa në Bruksel ka qenë një mysafir i mirëpritur.
Të rinjtë largohen jashtë vendit
Të rinjtë shqiptarë e konsiderojnë atë të korruptuar, ashtu siç e konsiderojnë të tillë edhe kreun e partisë opozitare, Sali Berisha.
Ata e shohin me pesimizëm të ardhmen e tyre në Shqipëri, për shkak të arsimit të dobët dhe mungesës së mundësive për punësim. Shumë prej tyre largohen jashtë vendit. Për shkak të emigrimit masiv, popullsia e vendit ka ardhur duke u zvogëluar prej vitesh.
“Një diplomë nuk të hyn në punë”, thotë në një bisedë telefonike studenti i gazetarisë, Angjelo Tila, 22 vjeç. “Mbiemri yt ka më shumë rëndësi. Fëmijët që protestojnë, 15 ose 16 vjeç, i shohin prindërit e tyre vetëm dy herë në vit. Prindërit e tyre punojnë jashtë vendit.”
Ai kishte marrë pjesë gjatë gjithë verës në protestat e Revolucionit të Flamingove. Sapo kishte nisur programin e shkëmbimit studentor në Lituani, kur pa pamjet nga Shqipëria. Vendosi të kthehej me avion: “Nuk mund ta humbisja këtë moment”.
Atmosfera është krejtësisht ndryshe nga protestat e mëparshme, të cilat ai i kujton kryesisht si të ngadalta, gjatë ditëve të nxehta të verës.
“Tani në rrugë janë pothuajse vetëm të rinj. Është një situatë intensive, ka energji. Studentët janë të lumtur, por njëkohësisht kanë frikë nga policia. Unë vetë jam detyruar të largohem me vrap tri herë, përndryshe nuk do të mund të kthehesha në Lituani.”
“Me dorë të fortë”
Sa u përket karrigeve, sipas tij, kryeministri duhej ta kishte bërë këtë propozim dhjetë vjet më parë. Durimi ka mbaruar, u shprehen edhe të rinj të tjerë shqiptarë për agjencinë e lajmeve Reuters.
Një protestues, i veshur me një kapuç të zi dhe me fytyrën gjysmë të mbuluar, thotë se fillimisht ata e kanë kërkuar ndryshimin në mënyrë paqësore, duke “kërkuar me mirësjellje”. Tashmë, sipas tij, do të veprojnë “me dorë të fortë”.
Protestuesit, shumica të veshur me të zeza dhe me fytyrat e mbuluara, hedhin fishekzjarrë dhe gurë në drejtim të policisë. Banka dhe ndërtesa qeveritare janë përfshirë nga flakët. Policia është kundërpërgjigjur me gurë, plumba gome, ujëhedhës dhe gaz lotsjellës.
Pas pothuajse tre muajsh protestash gjatë Revolucionit të Flamingove, kërkesat e tyre janë injoruar kryesisht, thotë për Al Jazeera Afrim Kasniqi, drejtor i Institutit Shqiptar për Studime Politike.
“Qeveria shpesh është përgjigjur me fushata shpifjesh, në vend që të zhvillonte një dialog të sinqertë”. Sipas tij, një pjesë e frustrimit lidhet me mungesën e përgjegjshmërisë institucionale dhe të reagimit ndaj kërkesave të qytetarëve.
Gjobat për protestuesit
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama po përpiqet të rikthejë rendin përmes gjobave. Të mërkurën, përmes një dekreti emergjent, ai miratoi legjislacion të ri.
Protestuesit tashmë mund të gjobiten deri në 500 mijë lekë (5 500 euro), nëse gjatë një proteste nuk zbatojnë urdhrin e policisë për t'u larguar.
Kjo gjobë vlen edhe për pjesëmarrësit që nuk përdorin dhunë. Shuma është pothuajse gjashtë herë më e lartë se paga mesatare mujore bruto në Shqipëri.
“Kjo është komunizëm”, reagon Tila. “Dënim kolektiv. Edhe nëse nuk bën asgjë, ndëshkohesh. Do të duhej ta zbatonin këtë edhe në Parlament, pasi disa persona atje kanë probleme me drejtësinë.”
Një tjetër pjesë e paketës së masave parashikon krijimin e një regjistri të posaçëm për personat e dyshuar për kryerjen e veprave penale me dhunë gjatë protestave.
Gjithashtu, efektivët e policisë që angazhohen gjatë protestave do të përfitojnë një bonus prej 2 500 eurosh.
Kjo ndodh në një kohë kur protestuesit flasin për përdorim të tepruar të dhunës nga ana e policisë. Pikërisht kjo ishte arsyeja që një grup studentësh, avokatësh dhe organizatash joqeveritare të depozitonin një kallëzim pranë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.
Ata dyshojnë se në 180 raste ndërhyrja e policisë ka qenë e paligjshme dhe kërkojnë të hetohet nëse pas këtyre veprimeve qëndron një strukturë e organizuar.
“Paketa e masave kundër dhunës, e cila është njoftuar edhe nga vetë kryeministri, synon t'u mbyllë gojën njerëzve. Policia përdor dhunën për të intimiduar dhe terrorizuar qytetarët”, shprehet një përfaqësues për agjencinë e lajmeve ATA.
Studenti Angjelo Tila mbetet optimist, edhe nëse kryeministri Rama nuk largohet nga detyra për një kohë të gjatë.
“Është krijuar një kulturë e re. Të rinjtë janë bërë të ndërgjegjshëm politikisht, dhe jo vetëm ata që studiojnë shkenca politike apo gazetari. Ata po kuptojnë se sa shumë ndikim ka kjo situatë në jetën e tyre.”
Po ndodh...
Studentët dhe shqiptarët nuk të duan ty Sali, jo PD-në!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
