“Rama t’u kërkojë falje protestuesve”, Ben Andoni: PS dhe PD s’i përfaqësojnë më shqiptarët, protesta do të prodhojë forca të reja politike!

27 June 2026, 11:19 / POLITIKË ALFA PRESS
“Rama t’u kërkojë falje protestuesve”, Ben Andoni:

 

Analisti Ben Andoni, duke analizuar zhvillimet e fundit dhe frymën e protestave në vend, shprehet se ky reagim qytetar pritet të lindë forca të reja politike, pasi Partia Socialiste dhe Partia Demokratike nuk i përfaqësojnë më qytetarët.
Në analizën e tij, Andoni thekson se kërkesa thelbësore e qytetarëve nuk është një “Shqipëri e Re”, por një “Shqipëri Normale”, ku ndalet tjetërsimi i pronave publike dhe i jepet fund arrogancës qeverisëse.
“Shikoni, është art që të drejtosh një protestë dhe të ngresh një protestë. Ne nuk kemi një popull që quhemi për protesta, për shkak dhe të organizimeve që kemi pasur, por është edhe në antropologjinë tonë që ne kur reagojmë, reagojmë deri në ekstreme. Kurse këtë reagimin e vogël, këtë reagimin e përditshëm, këtë reagimin e zakonshëm… atë që unë bashkohem me Erlinin për këtë: ne duam Shqipërinë normale dhe kjo Shqipëri që po jetojmë, nuk është Shqipëria normale. Mua më vjen keq që një pjesë e qeveritarëve dhe njerëzit që i mbështesin nuk arrijnë ta kuptojnë këtë, nuk jemi në Shqipëri normale.
Në këtë sens, këshillat që po jepen, sidomos nga jashtë, nga njerëz që kanë ndoshta edhe përvojë organizimi të tjera, duhet t’i marrim parasysh të gjitha elementet në mënyrë që këtë energji që kemi tani… dhe është energji jashtëzakonisht e mirë, është energji shumë pozitive. Në shumë momente kjo energji duket, sepse njerëz që nuk e njohin njëri-tjetrin kanë gati një kohezion të përbashkët dhe kohezioni i përbashkët është dorëheqja e zotit Rama. Kuptohet që zoti Rama e ka tepruar dhe vetë e kupton që e ka tepruar, në mendimin tim, por duke mos pasur llogjikën e vërtetë të një lideri, jo vetëm nuk e pranon, jo vetëm nuk di të bëjë mea culpa, por bën qesëndi të vazhdueshme ndaj njerëzve që protestojnë.
Me pak fjalë, do të doja që protesta ta mbante energjinë e saj. Por ka ardhur momenti realisht që të mendojmë për objektiva të cilat mund të arrihen, sepse edhe një herë, besoj që nga hapat e vogla bëhen hapa të mëdhenj. Çfarë doja nga ana ime ishte që, e para, që është gati e pamundur, sepse parlamentin e drejton një status quo e cila… ose një tandem ta themi që është PS-PD, e cila do ta mbajë këtë realitet: që të ndryshojë, të bëjnë rikthimin përsëri të gjërave që ndryshuan në vitin 2008. Nga ana tjetër, të ketë një reformë zgjedhore të mirëfilltë. Në mendimin tim, të përfshihen formacione të reja politike, që unë besoj kjo protestë në të ardhmen do prodhojë forca politike që shkojnë përtej PS-së dhe përtej PD-së, sepse të dyja këto parti nuk e përfaqësojnë më Shqipërinë.

Unë e kam thënë vazhdimisht që në fund të mandatit të tretë të zotit Rama, këto janë dy parti që nuk i përfaqësojnë më shqiptarët. Por paradoksi është që… ndodh në Shqipëri, në Kosovë, në Serbi, në Bosnjë Hercegovinë, janë gjithmonë këto forca të cilat mbajnë status quo-në e tyre. Dhe ti këtë e kupton nëpërmjet sistemit të patronazhimit, nëpërmjet benefiteve që ekzistojnë te Partia Demokratike, nëpërmjet një lloj lidhjeje që kanë këto partitë e vogla satelit të Partisë Demokratike me të, ose nga ana tjetër te Partia Socialiste që ka gjithë administratën dhe që voton për këtë.

Prandaj me pak fjalë, ajo që doja realisht në këto momente ishte që të mbahet fryma, dhe patjetër nuk duhen parë numrat. Sepse numrat vërtetë vjen një moment që edhe protesta lodhet, por dhe rikthehet ndoshta më fuqishëm apo rikthehet me të njëjtën shifër numerike… Shiko unë besoj që do mbahet. Nuk jemi vetëm në qoftë se organizatorëve tani iu bie një peshë jashtëzakonisht e madhe absolutisht e motivimit të protestuesve. Dhe e kanë një fat të madh, se protestuesit motivohen nga keqqeverisja e përgjithshme dhe ajo lokale, që në vendin tonë është gati flagrante, e shikon padrejtësinë në çdo hap. Ka një element i cili është kundërthënës për të gjithë, që në shumicën e institucioneve tani, qoftë në Kadastër, plaga më e madhe e këtij vendi, në sistemin e drejtësisë. Dhe ju e dini që janë vrarë më shumë mbas vitit ’90 për pronat sesa janë vrarë nga regjimi komunist. Janë zakonisht njerëz të rinj. Dhe ky është një paradoks shumë i madh që flet edhe për protestën, që ajo ‘Shqipëria e re’ që kërkojmë është ‘Shqipëria e re’ që ne duhet ta krijojmë brenda vetes. Por unë nuk jam për ‘Shqipëri të re’, sepse ‘Shqipëria e re’ e ’46-’47-ës ka pasur tamam këto slogane e çoi Shqipërinë në qorrsokak. Unë dua Shqipëri normale! Unë dua Shqipëri që të jetojmë si të gjithë vendet e tjera. Unë dua Shqipëri normalisht që mos të shiten pronat e vendit tonë ose mos të jepen pronat e vendit tonë me një arrogancë të tillë, domethënë sa ç’po jep kjo mazhorancë.”, tha ai.
 

Po ndodh...

ide