Rigels Seliman: Farsa në Hagë po mbyllet, lirinë krerëve të UÇK-së s’ua merr dot askush

13 September 2026, 13:33 / KOSOVA ALFA PRESS

Teksa na ndajnë edhe pak ditë nga dita kur gjykata do të shpallë vendimin për krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, nuk mund të rrija pa thënë dy fjalë për këtë proces, që për mua është kryekëput një farsë. Është një proces që ka zgjatur pafundësisht dhe që ka lënë pas vetes shumë dhimbje, pikëpyetje dhe një ndjenjë të thellë padrejtësie te shqiptarët.

Në bankën e të akuzuarve ndodhen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, njerëz që historia e Kosovës i njeh si figura të rëndësishme të luftës për çlirim.

Ata nuk e zgjodhën luftën për lavdi apo pushtet, por u gjendën në një kohë kur populli shqiptar i Kosovës përballej me dhunë, dëbime, vrasje dhe represion të egër. UÇK-ja ishte shpresa e një populli që kërkonte të jetonte i lirë në tokën e vet dhe të mos përkulej më përpara dhunës. Prandaj, sot, mbështetja për krerët e saj është për shumë shqiptarë një akt mirënjohjeje ndaj atyre që u ngritën për lirinë e Kosovës.

Është e vështirë të kuptosh se si historia mund të vendosë në qendër të vëmendjes ata që luftuan për çlirimin, ndërsa krimet e tmerrshme të kryera ndaj civilëve shqiptarë ende kërkojnë drejtësi të plotë. Masakrat, vrasjet, dhunimi, dëbimet dhe shkatërrimi i mijëra familjeve shqiptare nga okupatori serb nuk mund të harrohen dhe nuk mund të relativizohen. Nëse drejtësia është vërtet qëllimi, ajo duhet të jetë e barabartë dhe të mos njohë standarde të dyfishta. Nuk mund të ketë drejtësi të plotë nëse viktima ndihet e harruar, ndërsa agresori dhe përgjegjësit e krimeve të tij mbeten jashtë vëmendjes së saj. Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi meritojnë që historia e tyre dhe e luftës së UÇK-së të gjykohet me fakte, me drejtësi dhe pa paragjykime.

Për mua dhe për shumë shqiptarë, ata mbeten burra që u rreshtuan në anën e lirisë në një nga momentet më të vështira të historisë sonë.

Edhe nëse një gjykatë do të shpallë një vendim, asnjë vendim nuk mund ta ndryshojë faktin se Kosova sot është e lirë dhe se liria e saj u pagua me sakrificën e shumë njerëzve.

Liria nuk mund të dënohet, kujtesa nuk mund të burgoset dhe sakrifica e një populli nuk mund të fshihet pas mureve të një gjykate. Prandaj, në këto ditë kur presim vendimin, le të mbetet e gjallë shpresa për drejtësi dhe bindja se historia do ta ruajë të vërtetën e luftës së Kosovës dhe sakrificën e atyre që luftuan për liri.

Po ndodh...

ide