Rigels Seliman: Vjeshta (kryengritja) studentore dhe fundi i legjitimitetit të një shteti arrogant

13 October 2026, 20:21 / IDE ALFA PRESS
Rigels Seliman: Vjeshta (kryengritja) studentore dhe fundi i legjitimitetit

Në një vend që pretendon të jetë demokratik, e drejta fundamentalisht e patjetërsueshme për të protestuar duhet të respektohet dhe të garantohet pa asnjë kusht, e jo të shtypet me egërsi përmes dhunës ndaj qytetarëve që ngrihen për të kërkuar llogaridhënie. Sot, qytetarët dhe veçanërisht studentët po derdhen rrugëve për të protestuar kundër keqqeverisjes, korrupsionit galopant, abuzimeve me pushtetin, krimit të organizuar dhe varfërisë që janë ulur këmbëkryq në të gjithë Shqipërinë. Një regjim nuk merr fund vetëm kur humbet pushtetin zyrtar. Ai fillon të marrë fund kur humbet përfundimisht besimin e qytetarëve, kur uniforma e shtetit nuk përfaqëson më ligjin, por mbjell frikë, dhe kur autoriteti ngatërrohet me nënshtrimin e dhunshëm.

Për një çast pushtetarët mund të imponojnë bindjen me forcë, por ata e kanë humbur përgjithmonë legjitimitetin e tyre moral përballë shoqërisë. Në këtë Kryengritje Studentore historike, kur shteti ngre mure arrogance ndaj zërit të lirë, auditoret dhe sheshet kthehen automatikisht në llogoret e para të mbrojtjes së dinjitetit njerëzor. Çdo pankartë e ngritur me guxim në duart e të rinjve shënon një çarje të pashërueshme në fasadën e gënjeshtrës institucionale. Pushteti mund të zotërojë forcën e përkohshme të karrigeve dhe aparatit shtypës, por rinia mbart energjinë e pashtershme të së vërtetës që nuk gjunjëzohet kurrë përpara asnjë kërcënimi.

Asnjë urdhër arbitrar, asnjë shkop gome dhe asnjë formë intimidimi nuk mund ta shuajë më zjarrin e një brezi të tërë që kërkon të jetojë si i barabartë dhe me dinjitet në vendin e tij. Autoriteti i rremë po shembet çdo ditë e më shumë nën peshën e vetëpandehur të hipokrizisë dhe arrogancës që ka instaluar në çdo nivel të qeverisjes. Protesta është një e drejtë kushtetuese dhe shoqërore, absolutisht jo një krim. Shteti ka për detyrë primare t’u shërbejë qytetarëve me përulësi, jo t’i frikësojë, t’i ndjekë apo t’i dhunojë ata kur ngrenë zërin për të drejtat e tyre.
Në një demokraci të vërtetë e funksionale, zëri i qytetarëve dëgjohet me vëmendje dhe liritë e tyre themelore respektohen pa asnjë kompromis. Kjo përplasje në rrugët e Tiranës (vendit) nuk është më thjesht një protestë për kushte apo kërkesa teknike, por një gjyq i madh moral ku historia po shkruan vendimin e saj të pashmangshëm. Çdo student dhe qytetar që refuzon të heshtë dhe përballet me padrejtësinë është dëshmi e gjallë se frika e ka humbur plotësisht fuqinë e saj mbi shoqërinë tonë.

Është koha të thërrasim me një zë të vetëm: ndal dhunës dhe shtetit policor! Jo më dhunës policore dhe arbitraritetit ndaj qytetarëve të pambrojtur! Po lirisë së plotë, drejtësisë reale dhe një demokracie të vërtetë për secilin prej nesh! Pushtetet dhe regjimet kalojnë e harrohen, por kjo "vjeshtë (kryengritje) studentore" do të mbetet monumenti i pakalueshëm i lirisë që askush nuk mund ta mposhtë më.

Po ndodh...