Rreth 140 mln euro nga rivlerësimi/ Në gjashtë muaj përfunduan 18.777 aplikime, Tirana kryeson me 7.475 prona

9 September 2026, 20:49 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme po sjell një interes të lartë nga qytetarët me mijëra prona që tashmë kanë një vlerë të përditësuar në dokumentet e tyre. Në vetëm 6 muaj janë përfunduar 18 mijë e 777 aplikime, ndërsa Tirana kryeson me mbi 7 mijë e 400 raste. Por përtej shifrave të aplikimeve, rivlerësimi ka sjellë edhe një efekt të drejtpërdrejtë financiar duke u kursyer tatimpaguesve rreth 140 milionë euro në kosto fiskale.

“Kjo fushatë rivlerësimi ka konfirmuar nevojën e lartë të tregut, nëse vijojmë me këtë ritëm jemi 25-30% më tepër se fushatat e kaluara, nr. i aplikimeve është rritur dhe volumet kanë qenë të larta në arkën e shtetit e shtrirë deri në dhjetor 120 mln euro, 3-fish më shumë. Kjo konfirmon nevojën e tregut dhe interesin e lartë, si dhe rritjen e lartë të çmimeve të tregut, ndihmon që vlerat e pronave të dalin në realitet dhe për të shkuar drejt formalizimit në vitet në vijim”, u shpreh Reinaldo Pipiria nga shoqata Narea.

Ndalur sipas qyteteve është Tirana, e cila regjistron dhe numrin më të lartë me 7 mijë e 475 për këtë periudhë. Pasuar nga Durrësi, Kavaja, Kruja me 3 mijë e 508 gjithsej, Vlorë 1 mijë e 151 pasuri të rivlerësuara dhe Fier 775 për të njëjtën periudhë.

Sipas ekspertëve, perceptimi i qytetarëve se kjo do jetë fushata e fundit i ka nxitur të rivlerësojnë pronat.

“Nevoja për t’u përcaktuar çmimet e referencës dhe në rrethe është urgjente. Pasi të mbarojë rivlerësimi do duhet të rishikohet çmimi i referencës. Rivlerësimi synon përafrimin e çmimit të tregut”, u shpreh Pipiria.

I cilësuar nga qeveria si procesi i fundit i rivlerësimit me një normë të reduktuar, pritet të zgjasë deri në fund të 2026. Një proces i tillë, sipas ekspertëve, po korrigjon informalitetin në këtë sektor.

 

 

Po ndodh...