“Rrjetet sociale, të rrezikshme!” Rama: Do të nisim konsultimet me prindërit e mësuesit për kufizimin e tyre

30 October 2026, 18:29 / POLITIKË ALFA PRESS

“Rrjetet sociale, të rrezikshme!” Rama: Do të nisim

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi konsultim me prindërit dhe mësuesit për kufizimin e rrjeteve sociale. Në tryezën e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, kreu i qeverisë i konsideroi rrjetet sociale të rrezikshme, të cilat sipas tij kanë ndikuar në vetminë e të rinjve dhe kapërcimin mes kufijve të realitetit e virtualitetit.

“Ajo që ka qenë një tjetër befasi shqetësuese ka qenë pjesëmarrja domethënëse në numër e shumë të miturve. Të mitur të cilët përpara se sa t'i konsiderojmë fajtorë duhet t'i konsiderojmë fëmijë që kanë nevojë për ndihmë. Përpara se të mendojmë se si duhen dënuar duhet të mendojmë se si duhen neutralizuar burimet prej ku ata ushqehen me frymën dhe me joshjen e dhunës.

Ne kemi ndjekur me vëmendje se çfarë ka bërë bota demokratike në raport me këtë fenomen dhe çfarë ka bërë së fundi Franca apo Italia ku dhuna e të miturve ka qenë jashtëzakonisht prezente dhe patjetër që edhe ne nuk mund të mos adoptonim në qasjen tonë një penalizim të familjeve në aspektin administrativ dhe financiar për dëmet që shkaktojnë fëmijët e tyre.

Kjo situatë e re e gatuar me vite në Europë e Shqipëri si rezultat i arsyeve të ngjashme e të ndryshme, kërkon një qasje të re ndaj gjithçkaje që ndihmon socializimin fizik të njerëzve. Rrjetet sociale kanë stimuluar një vetmi të një natyre shumë të rrezikshme për bashkëjetesën demokratike dhe një kapërcim të kufijve mes reales dhe virtuales në pikën që kanë nxjerrë psikologët në konkluzionin që shumë nga këta të mitur e konsiderojnë një mundësi të tillë për të hyrë fizikisht në një playstation dhe duhet hapur debati deri kur mund të kufizojmë aksesin në rrjete sociale të të miturve, 16 apo 18 vjeç. Do të fillojmë një konsultim siç bëmë kur na u desh të kufizojmë TiKTok-un, do të fillojmë konsultimin në shkolla dhe me prindërit”, tha Rama. (A2 Televizion)

Po ndodh...