Sekuestrohen 10 ton kokainë në Spanjë, dyshimet bien mbi mafian shqiptare! Zbulohet rastësisht ngarkesa me vlerë 145 milionë euro

2 November 2026, 16:57 / AKTUALITET ALFA PRESS
Sekuestrohen 10 ton kokainë në Spanjë, dyshimet bien mbi mafian

Autoritetet spanjolle kanë realizuar një nga sekuestrimet më të mëdha të drogës në historinë e vendit, duke zbuluar afro 10 ton kokainë në dy magazina në zonën industriale “El Labradorcico”, në qytetin bregdetar Águilas.

Sipas hetimeve paraprake të Gardës Civile, magazinat dyshohet se kontrolloheshin nga një organizatë kriminale me origjinë shqiptare, e cila kishte ngritur një rrjet të mirëorganizuar për transportin dhe shpërndarjen e drogës në disa vende të Evropës.

Ajo që e bëri edhe më të pazakontë këtë operacion ishte mënyra se si u zbulua ngarkesa. Mediat spanjolle raportojnë se gjithçka nisi nga një incident aksidental në magazinë. Një punëtor, gjatë lëvizjes së paletave me pirun ngritës, përmbysi njërën prej tyre, duke nxjerrë në pah pakot me kokainë të fshehura brenda.

I frikësuar nga ajo që kishte zbuluar, punëtori u largua me shpejtësi nga vendngjarja, duke lënë drogën të shpërndarë në dysheme. Ngjarja vuri në lëvizje Gardën Civile, e cila ndërhyri në magazinë dhe zbuloi më shumë se 5 ton kokainë, të paketuara për shpërndarje.

Por zbulimet nuk përfunduan aty. Pas marrjes së autorizimit gjyqësor, agjentët kontrolluan edhe një magazinë të dytë, ngjitur me të parën, ku gjetën një tjetër sasi të konsiderueshme droge. Në total, sasia e sekuestruar arriti në afro 10 ton kokainë, me një vlerë të përllogaritur nga 130 deri në 145 milionë euro.

Sipas hetuesve, dy magazinat shërbenin si një qendër e rëndësishme logjistike për trafikun ndërkombëtar të drogës. Kokaina dyshohet se transportohej nga Amerika Latine drejt Spanjës, ku magazinohej, paketohej dhe më pas dërgohej me kamionë drejt vendeve të Evropës Qendrore dhe Veriore.

Dyshimet kryesore të autoriteteve përqendrohen te një rrjet i fuqishëm kriminal me origjinë shqiptare. Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e personave që qëndrojnë pas kësaj organizate.

Zona industriale ku u zbulua droga vijon të jetë nën masa të forta sigurie. Agjentët po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe dokumentacionin e kompanive që dyshohet se janë përdorur si mbulesë për aktivitetin kriminal, me qëllim zbardhjen e plotë të rrjetit të trafikut.

Po ndodh...