Hakerat sulmojnë supermarketet në Evropë, frigoriferët arrijnë deri në 50 gradë
Një sulm kibernetik ka goditur disa rrjete supermarketesh në Europë, nga Suedia në Belgjikë, duke dëmtuar sistemet e frigoriferëve dhe ngrirësve. Si pasojë, temperaturat në pajisjet frigoriferike janë rritur ndjeshëm dhe shumë dyqane janë detyruar të hedhin sasi të mëdha ushqimesh, pasi produktet nuk mund të shiteshin më.
Sulmi i së hënës preku rrjetet Ahold Delhaize dhe Colruyt në Belgjikë dhe Luksemburg, supermarketet suedeze ICA dhe Coop, si dhe të paktën një dyqan të IKEA-s. Probleme u raportuan edhe në Irlandë, ku 13 dyqane të rrjetit SuperValu u detyruan të hiqnin nga shitja disa produkte të freskëta dhe të ngrira.
Në një dyqan të rrjetit ICA në Stokholm, temperaturat në ngrirës arritën deri në 50 gradë Celsius. Menaxherja e dyqanit, Engla Ingwall, tha se sulmi ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit, por u zbulua vetëm disa orë më vonë. Ajo e përshkroi situatën si shkatërruese për biznesin.
Dëme të konsiderueshme u raportuan edhe në Belgjikë. Luc De Laet, pronar i një rrjeti kasapësh, tha se u njoftua nga një punonjës rreth orës 03:30 të mëngjesit për problemin. Kur mbërriti në dyqan, në jug të Antverpit, konstatoi se temperatura në frigoriferë kishte arritur deri në 18 gradë Celsius. Ai vlerësoi se kishte humbur mish me vlerë rreth 15 mijë euro.
Sulmi vjen pas një incidenti të ngjashëm në Francë muajin e kaluar, kur hakerat morën kontrollin e sistemeve të ftohjes në qindra supermarkete, duke shkaktuar zjarre dhe humbje të mëdha të produkteve ushqimore. Edhe kompania Ahold kishte raportuar një incident të sigurisë kibernetike në polici gjatë muajit të kaluar.
Deri tani, askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet dhe nuk dihet nëse incidentet në vendet e ndryshme kanë lidhje me njëri-tjetrin. Autoritetet europiane kanë shprehur shqetësim për rritjen e këtyre sulmeve dhe rrezikun që ato paraqesin për infrastrukturën dhe furnizimin me ushqime.
Katrien Eggers, zëdhënëse e Qendrës për Sigurinë Kibernetike në Belgjikë, tha se nuk dihet kush qëndron pas sulmit dhe se autorët mund të mos identifikohen kurrë. Ajo paralajmëroi gjithashtu se inteligjenca artificiale mund të përdoret për të shfrytëzuar dobësitë e sistemeve teknologjike, duke e bërë më të lehtë kryerjen e sulmeve të tilla.
Edhe Komisioni Europian e cilësoi situatën shqetësuese. Komisioneri për Bujqësinë, Christophe Hansen, deklaroi se sulmet janë një përpjekje e qëllimshme për të ndërprerë zinxhirin e furnizimit me ushqime dhe për të cenuar besimin e konsumatorëve.
Ndërkohë, disa nga pajisjet frigoriferike të prekura përdornin teknologjinë e kompanisë daneze Danfoss, e cila ishte shënjestruar edhe gjatë sulmit në Francë. Kompania bëri të ditur se po bashkëpunon me klientët për të zbatuar zgjidhjet e nevojshme.
Ekspertët e sigurisë kibernetike thonë se sulme të tilla mund të lidhen me zhvatjen e parave, motive politike ose operacione të organizuara nga shtete. Megjithatë, fakti që në rastet e fundit nuk janë bërë kërkesa për pagesa i ka shtuar dyshimet se mund të bëhet fjalë për sabotim.
Sipas studiuesit Tom Hegel, nga kompania e sigurisë kibernetike SentinelOne, supermarketet janë objektiva të lehta për shkak të numrit të madh të pajisjeve që kontrollohen nga distanca, si sistemet e frigoriferëve, kamerat e sigurisë, dyert automatike dhe pajisjet e pagesave. Ai theksoi se identifikimi i autorëve është i vështirë, pasi ndërhyrjet në këto sisteme mund të mos lënë gjurmë të dukshme.
Sulmet kanë shtuar shqetësimet për sigurinë e infrastrukturës europiane, veçanërisht në një kohë kur tensionet janë rritur që prej pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Moska ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në operacione sabotimi apo sulme hibride, ndërsa deri tani nuk ka prova që lidhin Rusinë me incidentet e fundit.
Po ndodh...
ide
Zaret me hile të Sistemit: Rama dhe Berisha, ose Edi me Saliun!
Oligarkia e opozitës, hegjemonia e pushtetit dhe pengmarrja e ndryshimit
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
