Shembet më tej “perandoria” e Vuçiç, të tjerë persona të lidhur me të përfundojnë në pranga

25 November 2026, 17:38 / BOTA ALFA PRESS
Shembet më tej “perandoria” e Vuçiç, të

Vijojnë arrestimet në rrethin e biznesmenëve që ndërtuan perandoritë e tyre financiare gjatë qeverisjes së Aleksandër Vuçiçit në Serbi. Dy persona të tjerë janë vënë në pranga në kuadër të hetimeve për skandalin financiar të Bankës Alta, ku dyshohet se janë përvetësuar rreth 390 milionë euro.

Bëhet fjalë për Dubravko Matsurën dhe Tatjana Bundalon, të cilët u arrestuan mëngjesin e kësaj të mërkure, nën dyshimet për përfshirje në skemën e nxjerrjes së parave nga banka.

Sipas medias investigative serbe KRIK, Dubravko Matsura pritet të merret në pyetje gjatë pasdites nga Prokuroria për Krimin e Organizuar, e cila më pas do të vendosë nëse do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit. Ndërkohë, prokuroria vijon mbledhjen e dokumentacionit për rolin e mundshëm të Tatjana Bundalos.

Më herët, për të njëjtën çështje janë arrestuar pronari i Bankës Alta, Davor Matsura, dhe dy bashkëpunëtorë të tij, të cilët vijojnë të qëndrojnë në paraburgim.

 

Sipas prokurorisë serbe, Matsura dyshohet se ka përvetësuar më shumë se 45 miliardë dinarë, ose rreth 390 milionë euro, me ndihmën e dy punonjësve të departamentit të thesarit të bankës.

Dokumentet e prokurorisë, të siguruara nga KRIK, tregojnë se vetëm një pjesë e vogël e parave është nxjerrë fizikisht nga kasaforta, ndërsa pjesa dërrmuese nuk ka mbërritur kurrë atje.

Rreth 17 milionë euro dyshohet se janë tërhequr fizikisht nga kasaforta, pa lënë gjurmë në dokumentacionin bankar. Pjesa tjetër lidhet me aktivitetin e kompanisë së këmbimit valutor Alta Pay, paratë e së cilës rezultonin të regjistruara si të depozituara në thesarin e bankës, por që Matsura dyshohet se i kishte mbajtur për vete.

Hetimet pritet të prekin edhe nivelet më të larta të institucioneve financiare serbe. Në listën e personave që pritet të merren në pyetje si dëshmitarë figuron edhe guvernatorja e Bankës Kombëtare të Serbisë, Jorgovanka Tabakoviç.

Davor Matsura i ka mohuar akuzat gjatë marrjes në pyetje.

Dy arrestimet e fundit zgjerojnë hetimet edhe në rrethin familjar dhe drejtues të perandorisë financiare të biznesmenit. Dubravko Matsura është vëllai i pronarit të bankës, ndërsa Tatjana Bundalo është drejtoresha e kompanisë Alta Pay Group. Të dy janë ndaluar për 48 orë.

Banka Kombëtare e Serbisë i hoqi licencën Bankës Alta për shkak të përkeqësimit të gjendjes financiare dhe rrezikimit të depozitave të qytetarëve. Banka tashmë administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, ndërsa klientët mund të tërheqin deri në 50 mijë euro. Licenca iu revokua edhe kompanisë së parave elektronike të Matsurës.

Por përtej skandalit financiar, çështja nxjerr në pah edhe marrëdhëniet mes biznesit dhe pushtetit në Serbi.

Davor Matsura e ndërtoi perandorinë e tij të biznesit gjatë dekadës së fundit, pikërisht në periudhën e dominimit politik të Partisë Progresive Serbe të Aleksandër Vuçiçit.

Nga pronar i një pike këmbimi valutor në Zemun në vitin 2008, Matsura u shndërrua në një prej biznesmenëve me aktivitet të gjerë në sektorin financiar dhe tregtar të Serbisë.

Zgjerimi i biznesit të tij mori hov në vitin 2016, pas marrjes së autorizimit nga Banka Kombëtare për arkëtimin e faturave. Me miratimin e të njëjtit institucion, ai bleu më pas Jubmes Bank, duke e shndërruar në Bankën Alta. Ai bleu gjithashtu rrjetin e supermarketeve Idea dhe përfitoi kontrata të rëndësishme shtetërore, shpesh pa tender, sipas KRIK.

Me pesë persona tashmë të arrestuar dhe guvernatoren e bankës qendrore në listën e dëshmitarëve, hetimet për skandalin e Bankës Alta ngrenë pikëpyetje edhe mbi mënyrën se si institucionet serbe mbikëqyrën zgjerimin e kësaj perandorie financiare për vite me radhë.

 

Po ndodh...