Gjykata dënon për shpifje avokatin Idajet Beqiri

Gjykata e Tiranës ka dënuar avokatin Idajet Beqiri me dy gjoba nga 100 mijë lekë të rinj, për shpifje dhe fyerje ndaj gazetarit Ferdinand Dervishi.
Vendimi vjen pas një procesi gjyqësor trevjeçar, të nisur për deklaratat e bëra nga Beqiri në një intervistë për Dritare TV, më 6 maj 2023.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë gazetari.
Postimi i plotë:
Gjykata dënon për shpifje avokatin Idajet Beqiri
Sot Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë (Seksioni penal) dënoi për shpifje me 100 mijë lekë të rinj dhe për fyerje, me 100 mijë lekë të tjerë të rinj, avokatin Idajet Beqiri.
Shpifja dhe fyerja në adresën time u konsumuan në datën 6 maj 2023 në televizionin Dritare TV.
Megjithë këshillat e shumë miqve që më thonin se nuk ja vlente të merresha me avokatin Idajet Berqiri, unë vendosa që çështjes t’i shkoja deri në fund me një qëllim të vetëm në mendje: të kontribuoja sadopak në spastrimin nga molepsja e shoqërisë sonë nga shpifësit dhe fyerësit publikë.
Pas tre vitesh gjykim dhe ndërrimin e një gjykatësi, përfundimisht gjyqtari Altin Abdiu doli me vendimin e pastër të dënimit të avokatit Beqiri, pa i lëvizur asnjë presje kërkesës së padisë sime.
Interesante ishte se sot, në seancën e fundit, prokurori i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i rrëzoi të gjitha akuzat e mia, duke kërkuar pafajësi për avokatin Beqiri.
Inkurajoj, sidomos të gjithë personazhet publikë, që të ndjekin me seriozitet dhe deri në fund të drejtën e tyre kur të gjenden në të njëjtën situatë.
Shërbimi është shumë më tepër se individual.
(më poshtë padia e plotë që mund të shërbejë në raste të ngjashme)
KËRKESË PER GJYKIM
VIKTIMA AKUZUES: Ferdinand DERVISHI, xxxxxxx
I AKUZUAR: Idajet BEQIRI, xxxxxxx
OBJEKTI: Gjykimin e të akuzuarit për veprën penale të “Shpifjes”
dhe “Fyerjes” të kryera botërisht.
BAZA LIGJORE: Neni 58, 59 e vijues i Kodit të Proçedurës Penale,Neni
119/2 dhe 120/2 të Kodit Penal.
PËRPARA: GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË
PËRGJITHSHËM TIRANË
I nderuara gjykatë !
Kërkuesi, viktima akuzuese shtetasi Ferdinand Dervishi me gjenealitetet dhe adresën e mësipërme, me anë të kësaj kërkese penale drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë (Dhoma Penale), si gjykata kompetente për shqyrtimin e kësaj çështje, ka si shkak shpifjet dhe fyerjet të bëra ndaj tij nga pala e akuzuar shtetasi Idajet Beqiri.
Rrethanat e çështjes
Viktima akuzuese Ferdinand Dervishi me profesionin e gazetarit, profesion që e ushtron prej më tepër se 25 vitesh, ka pasqyruar në mënyrë tejet korrekte, të paanshme dhe profesionale ngjarjet e lajmet, qoftë në gazetarinë e shkruar ashtu edhe televizive.
Aktualisht viktima akuzuese është autor i ciklit të njohur të dokumentarëve historikë ABC/STORY - një dritare ku mësohen të vërteta historike si për ngjarje ashtu edhe për personazhe të veçanta duke ndriçuar pjesë të panjohura apo të deformuara të historisë sonë.
Në funksion të zbardhjes së ngjarjeve historike viktima akuzuese ka publikuar edhe libra ku ka pasqyruar personazhe dhe ngjarje të ndryshme duke përmendur edhe emrat e tyre, qofshin këto në një kontekst negativ, por edhe pozitiv, megjithatë nuk ka pasur asnjëherë kontestime si nga vetë personazhet ashtu edhe nga familjarët apo grupet e interesit.
Pra, korrektesa me ngjarjet, datat, personazhet, të pasqyruara në aktivitetin e tij si gazetar, kanë bërë që shtetasi Ferdinand Dervishi të ndërtojë pak nga pak një imazh pozitiv të tijin duke bërë që publiku ta vlerësojë dhe respektojë si një gazetar serioz në zbardhjen e të vërtetave dhe sidomos si një gazetar të pavarur, sidomos nga politika.
Ndaj këtij imazhi pozitiv të krijuar me ndër vite, u hodh baltë me anë të shpifjes dhe fyerjes, nga i akuzuari Idalet Beqiri në një intervistë të tij dhënë në datën 6 maj 2023 për DRITARE TV, në të cilën ka akuzuar viktimën si mashtrues, ai njeri të paguar nga politikanë të caktuar dhe që në panelet e tij televizive i shërben politikës dhe politikanëve etj.
Po le ti referohemi më qartë se çfarë ka deklaruar i akuzuari shpifës në këtë intervistë dhënë DRITARE TV:
Në intervistën e datës 6 maj, që në rrjetin social “YouTube” gjendet me titullin: “Si u organizua në Rogner eleminimi i Haklajve”, në minutën e 5.56 sekonda deri në minutën 7:23 sekonda i akuzuari Idajet Beqiri ka thënë tekstualisht:
“Doli problemi, erdhi Izet Haxhia do gjykohej këtu, edhe bëri ai ca deklarime kundër Berishës, menjëherë u ndërtua ajo, tryeza, dhe Ferdinand Dervishin e ke të parin atje, që del, dhe ai do ta mbrojë kështu, do të fshehi dhe krimin, do të hedhi dhe lloj-lloj versionesh, nga ato që ka qenë dhe në krim ai, d.m.th. e tregon veten që paska qenë, i tregon ngjarjet vetë atje. Po, që të shikosh një ngjarje dhe ti dish krimet atje, do të thotë që të ka dërguar dikush atje, dhe duke… ai që të ka dërguar atje ai d.m.th. ai e paska ditur që do të bëhet kjo vrasje etj. E fut veten në një qorrsokak të tillë… Pse? Për pesë para të qelbura, apo se e kam kushëri unë Ilir Metën. Po lëre o kushëririn të rrijë në punë të vet! Ti merru me ato çështje që duhet, merru me dokumentarë e të tjera, por mos u bëj mbrojtës i krimit dhe i kriminelëve, apo del dikush tjetër… dhe janë pozicionuar këta. Dhe e kanë bërë Shqipërinë më keq s’ka ku të vejë…”
Kjo akuzë shpifëse e të akuzuarit, që ka si qëllim edhe fyerjen publike, nuk ka asgjë të vërtetë, sepse, e para, viktima akuzuese nuk ka qenë dhe nuk është moderator i ndonjë emisioni politik, dhe asnjëherë të vetme nuk e ka pasur detyrë, si gazetar, që të organizojë panele televizive për të trajtuar tema të ndryshme. Ferdinand Dervishi, prej vitit 2011 deri tani, ka pasur dhe ka hapësirën televizive të emisionit të tij të përjavshëm në televizionin Abc/News dhe kjo është lehtësisht e vërtetueshme.
E dyta, në pjesën ku thotë se “(Ferdinandi)..do të hedhi dhe lloj-lloj versionesh, nga ato që ka qenë dhe në krim ai, d.m.th. e tregon veten që paska qenë, i tregon ngjarjet vetë atje. Po, që të shikosh një ngjarje dhe ti dish krimet atje, do të thotë që të ka dërguar dikush atje, dhe duke… ai që të ka dërguar atje ai d.m.th. ai e paska ditur që do të bëhet kjo vrasje etj” i akuzuari Idajet Beqiri kalon në një akuzë tepër të rrezikshme ndaj gazetarit Dervishi. Sepse me këto fjalë Idajet Beqiri tenton ti përcjellë publikut, as më shumë dhe as më pak, një mendim shpifës sipas të cilit gazetari Dervishi ka qenë në vendin e ngjarjeve i dërguar atje nga dikush që e dinte se do të bëhej një vrasje.
Po të ndjekësh logjikën e tij, ajo që ai tenton të përcjellë te publiku është: “Gazetari Dervishi dërgohet në vendngjarje nga Sali Berisha, pasi ky i fundit e di se ku dhe kur do të ndodhin vrasjet”. Dhe kjo shpifje e Idajet Beqirit është shumë e rëndë dhe e rrezikshme.
Pra sipas logjikës dhe akuzave të tij publike, veç politikanit Sali Berisha, edhe gazetari Ferdinand Dervishi ka pjesën e tij të mëkateve në ekzekutimet e Haklajve të Tropojës etj.
E treta. Idajet Beqiri, në intervistën e tij në Dritare TV, në pjesën “E fut veten në një qorrsokak të tillë… Pse? Për pesë para të qelbura,” sërish ka konsumuar një shpifje të pastër dhe sigurisht dëmtim imazhi ndaj një prej gazetarëve më me integritet që njeh publiku shqiptar. Në këtë rast Idajet Beqiri duhet të vërtetojë se kush e ka paguar dhe sa e kanë paguar gazetarin Ferdinand Dervishi.
E katërta. Idajet Beqiri, në intervistën e tij në Dritare TV, sërish konsumon shpifje në pjesën: “E fut veten në një qorrsokak të tillë… Pse? Për pesë para të qelbura, apo se e kam kushëri unë Ilir Metën. Po lëre o kushëririn të rrijë në punë të vet!”
E vërteta është se Gazetari Ferdinand Dervishi nuk ka asnjë lidhje me politikanin Ilir Meta. As lidhje gjaku, as shoqërore dhe as krahinore dhe as miqësore.
E pesta. Idajet Beqiri, në intervistën e tij në Dritare TV, konsumon shpifje shumë të rëndë në pjesën: “Ti (Ferdinand) merru me ato çështje që duhet, merru me dokumentarë e të tjera, por mos u bëj mbrojtës i krimit dhe i kriminelëve”.
Akuza se gazetari Dervishi “mbron krimin dhe kriminelët”, përveçse shpifje tenton të shkatërrojë edhe imazhin e gazetarit si një gazetar i vjetër dhe i besuar i kronikës së zezë.
Duhet sqaruar këtu se viktima Ferdinand Dervishi është autor i një libri të vlerësuar me titull “Pse e vranë Azem Hajdarin”, publikuar në vitin 2001, që i hedh poshtë të gjitha këto akuza të Idajet Beqirit qysh para dy dekadash. Në libër thuhen pa dorashka të gjitha lidhjet e politikës me këtë krim (vrasjen e A. Hajdarit), përfshirë të Sali Berishës, Fatos Nanos, e të tjerë.
Po kështu, në DRITARE TV në të njëjtën intervistë, por në një pjesë të prerë dhe të paraqitur më vete në rrjetin social YouTube (gjithsej 13 minuta dhe 21 sekonda) me titullin: “Berisha sulmoi Haklajt se ishin kundër Serbisë”, i akuzuari Idajet Beqiri duke nisur nga minuta 6:18, deri në minutën e 7:20, ka shpifur duke thënë se:
“Se bie fjala, Izet Haxhia, kur dëgjonte Ferdinand Dervishin atë ditë që fliste, atje te News 24, i iku d.m.th. mendja. Po ky tha, mbron krimin, dhe unë vuaj burg të padrejtë, s’kam bërë asnjë gjë e rri në burg, ky më bën fajtor mua. Po kush është ky që më bën fajtor mua? Por e qetësova unë. E qetësova i thashë, ti je intelektual e të tjera... Dëgjoje i thashë, ai ka mendimin e vet, le ta thotë, edhe ti s’ke sepse të veprosh... Se atë fjalë që më tha mua ai kundër tija, ajo ishte e rrezikshme... dhe e qetësova unë Izetin se kishte tru, e kuptonte që nuk duhej bërë vetëgjyqësi. Por Fatmir Haklaj, kur erdhi problemi që i ra më qafë sa s’kish ku të vinte më ky Ferdinand Dervishi, ja dërgoi haberin dhe Ferdinand Dervishi u vesh si grua dhe iku në Greqi, u arratis, atëherë si vazhdon akoma? Po lëre tani, se ato lekë, lekët merri në një rrugë tjetër, merru më dokumentarët që bën, mos i merr me rrugë të pandershme ti dhe të tjerët me radhë...”
Në pjesën e parë Idajet Beqiri rrëfen një bisedë me Izet Haxhinë - të dënuarin me burg për vrasjen e Azem Hajdarit (vendimi përfundimtar 21 vjet heqje lirie), ku sipas Beqirit, Izeti është revoltuar nga analiza e gazetarit Dervishi në një televizion dhe i ka thënë se do bënte vetëgjyqësi. Pra do të hakmerrej në një formë që mund të shkonte nga dhunimi tek eliminimi.
Kjo pjesë duhet të konsiderohet shpifje e Idajet Beqirit, pasi në kundërt ai mund të ketë konsumuar veprën penale të moskallëzimit të një krimi, aq më tepër që objekt i krimit ishte një personazh publik.
Në pjesën e dytë ku thuhet se Ferdinandi u vesh si grua dhe iku në Greqi për shkak të kërcënimit të Fatmir Haklajt, sërish Idajet Beqiri jo vetëm shpif, por edhe përpiqet të hedhë baltë mbi gazetarin, pasi sigurisht që insinuata nuk është e vërtetë, sidomos pjesa e veshjes si grua.
Për sqarim, në vitin 1999 gazetari Ferdinand Dervishi, pasi shkoi vetë në Tropojë, publikoi në revistën KLAN një shkrim të gjatë investigativ ku për herë të parë thuhej se vrasësit e Azem Hajdarit ishin Haklajt. Ky ishte lajmi i vitit. Në kohën kur u publikua shkrimi edhe Fatmir Halkaj edhe Jaho Mulosmani ishin në aktivitet. Dy vite më pas, pra në vitin 2001, investigimi i gazetarit u konfirmua nga gjykata.
Është e vërtetë se një apo dy ditë pas shkrimit, disa persona, të dërguar të Hakljave, kanë kërkuar takim me gazetarin Dervishi, të cilin nuk e njihnin. Kolegu Blendi Fevziu, i cili mund të pyetet si dëshmitar, si masë paraprake, e këshillon gazetarin Dervishi të mos duket disa ditë në redaksinë e revistës KLAN.
Në një moment të dytë, Fevziu e këshillon gazetarin Dervishi të merrte një vizë greke dhe më mirë të largohej. Kështu edhe ndodhi. Ferdinand Dervishi mori vizë, u largua në Greqi me makinën e vet, sigurisht me fytyrën që kishte në pasaportë dhe me veshje mashkulli, sepse në pikat e kalimit kufitar nuk kalon dot i maskuar si grua.
Në pjesën e fundit sërish Idajet Beqiri shpif se gazetari Ferdinand Dervishi është paguar që të shpifë për klientët e tij, këtë radhë për Haklajt. Këtë akuzë Idajet Beqiri duhet ta provojë në gjykatë.
Për sa i akuzuari ka përmendur më sipër, janë shpifje me qëllim të fyejë dhe denigrojë para gjithë opinionit publik gazetarin i cili njihet për etikë profesionale, të njohur dhe vlerësuar nga publiku për punën e tij, prindin dhe bashkëshortin e përkushtuar dhe qytetarin shembullor. Duket qartë se sulmi ndaj tij ka për qëllim për të dëmtuar imazhin e tij pozitiv para opinionit publik, që ai të ndryshojë mendim dhe qëndrim.
Gjithsesi në të dyja episodet e intervistës, që i akuzuari Beqiri ka dhënë për këtë media, duke qartë se, ndaj gazetarit Ferdinand Dervishi, ai ka diçka më shumë edhe se shpifja dhe fyerja publike.
Kjo vihet re në përsëritjen, në të dy pjesët e intervistës, të shpifjes që thotë se “gazetari paguhet për shkrimet e tij shpifëse”. Pra përsëritja në këtë rast lë të kuptohet se Idajet Beqiri e ka qëllim në vetvete të përbaltë gazetarin Ferdinand Dervishi.
Por në këtë kërkesë për gjykim po përqendrohemi vetëm tek këto fakte, pra tek veprat penale të parashikuara nga neni 119 dhe 120 të Kodit Penal.
Si konkluzion, nisur nga sqarimet e mësipërme, Idajet Beqiri më këto deklarime kërkon të shkatërrojë imazhin publik të gazetarit, të krijuar jo vetëm me shumë mund, por edhe me sakrifica, pasi të gjithë mund të jenë të qartë se sa e vështirë ishte të thuaje dhe mbroje të vërtetën në vitet 1997-2001.
Në këtë kuptim i akuzuari, shtetasi Idajet Beqiri ka shpifur publikisht me qëllim, denigrimin e figurës publike të viktimës, por edhe për ta dëmtuar atë moralisht duke ja paraqitur publikut si një gazetar që paguhet nga njerëz të pushtetit dhe si të pamoralshëm.
Neni 120 “Shpifja”: “Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër, duke e ditur se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një milion e pesëqind mijë lekë.
Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë”.
I nderuari z. Gjyqtar !
Në një shoqëri demokratike kushdo ka të drejtën për të gëzuar një nder dhe reputacion të mirë. Rregulli i përgjithshëm është që çdo individ mund ta përdorë lirisht të drejtën për t’u shprehur, por disa forma shprehje janë objektivisht për t’u konsideruar të papranueshme në çfarëdo konteksti që mund të përdoren, kur janë me përmbajtje që dëmtojnë rëndë të tjerët. Mund të ndodhë që dëmet që vijnë nga shpifja dhe përgojimet e qëllimshme të jenë shumë serioze kur u shkaktojnë njerëzve fatkeqësi të mëdha personale apo familjare.
Shteti me anë të institucioneve ka detyrimin t’i mbroj individët kur të tjerët me ligësi hedhin në qarkullim gënjeshtra, të cilat prekin integritetin moral të tyre. Në rastin e shpifjes, viktima, për të vënë në vend reputacionin ka të drejtën të bëjë denoncim penal apo të iniciojë një proces gjyqësor civil për të marrë dëmshpërblim kompensues sipas kësaj të drejte. Kur flitet për shpifje, do të thotë se kemi të bëjmë me shprehjen e një mendimi, pavarësisht përmbajtjes apo kontekstit të përdorimit të tyre.
Kjo dispozitë, pra neni 120, shpifja ka për objekt, mbrojtjen e statusit të posaçëm moral të personit, mbrojtjen e të drejtës së nderit dhe reputacionit të tij, kur këto kërcënohen nga shpifja dhe përgojimi që vijnë nga persona të ndryshëm.
Ana objektive: Kundërvajtja penale e shpifjes, kryhet me forma, mjete dhe mënyra nga më të larmishmet që synojnë të prekin reputacionin publik të një personi. Kjo vepër mund të përshkruhet si cenim i reputacionit nëpërmjet përhapjes së fjalëve apo thënieve fiktive, pa argumente, të cilat janë jashtë atyre rasteve të përfshira në dispozitën që bën fjalë për veprën penale.
Në rastin konkret autori nëpërmjet përhapjes së fakteve konkrete, por të paqena, apo çështjeve të pavërteta, që nuk kanë ekzistuar ndonjëherë, synon formimin e një opinioni negativ për viktimën akuzuese. I akuzuari kërkon njollosjen dashakeqe apo poshtërimin publik të tij. Fjalët me natyrë shpifëse lidhen përgjithësisht me vetë personin, familjen e tij apo me anën profesionale. I akuzuari e ka lidhur shpifjen e tij me anën profesionale duke goditur edhe moralisht viktimën.
Në zbatim të dispozitës përkatëse, neni 120 me përhapjen e fakteve të paqena, i akuzuari Idajet Beqiri, i atribuon viktimës veprime, ngjarje apo gjendje fakti, të cilat nuk kanë ndodhur asnjëherë, por është pjella e fantazisë së akuzuarit, me synimin e përcaktuar për të njollosur publikisht figurën dhe reputacionin e viktimës.
Në referim të Neni 8 të Koventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, një sulm kundër reputacionit të një personi duhet të arrijë një shkallë të caktuar të të qenit serioz dhe të jetë kryer në një mënyrë të atillë që të shkaktojë paragjykim ndaj gëzimit personal të së drejtës për respekt ndaj jetës private (shih A. kundër Norvegjisë, nr. 28070/06, § 64, 9 prill 2009, dhe Axel Springer AG kundër Gjermanisë [GC], nr. 39954/08, § 83, 7 shkurt 2012).
Gjykata ka gjetur që, si çështje parimi, të drejtat e garantuara nga Nenet 8 dhe 10 meritojnë respekt të barabartë, dhe rezultati i një zbatimi nuk do të duhej, në parim, të ndryshonte në varësi të faktit nëse është depozituar në Gjykatë në përputhje me Nenin 10 të Konventës nga publikuesi i një artikulli ofendues apo në përputhje me Nenin 8 të Konventës nga personi i cili ka qenë objekt i atij artikulli. Rrjedhimisht, hapësira e vlerësimit në parim duhet të jetë e njëjta në të dy rastet (shih Axel Springer AG, cituar lart,§ 87, dhe Von Hannover kundër Gjermanisë (nr. 2) [GC], nr. 40660/08 dhe nr. 60641/08, § 106, ECHR 2012, me referenca të mëtejshme ndaj çështjeve të Hachette Filipacchi Associés, cituar lart, § 41; Timciuc kundër Rumanisë (dec.), nr. 28999/03, § 144, 12 tetor 2010; dhe Mosley kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 48009/08, § 111, 10 maj 2011).
Gjykata në mënyrë që të përmbushë detyrimin e saj pozitiv për të mbrojtur të drejtat e një personi sipas nenit 8, shteti mund të kufizojë në një farë mase të drejtat e siguruara në bazë të nenit 10 për një person tjetër. Kur shqyrton nevojën e këtij kufizimi në një shoqëri demokratike në interes të “mbrojtjes së dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve”, Gjykata mund të kërkojë të verifikojë nëse autoritetet vendase kanë vendosur një balancë të drejtë, në mbrojtjen e dy vlerave të garantuara nga Konventa të cilat mund të vijnë në konflikt me njëra-tjetrën në raste të caktuara, përkatësisht, nga njëra anë, liria e shprehjes, e mbrojtur nga neni 10 dhe, nga ana tjetër, e drejta për respektimin e jetës private siç parashikohet në nenin 8(shih Hachette Filipacchi Associés , cituar më lart, § 43; MGN Limited, cituar më lart, § 142, dhe Axel Springer AG, cituar më lart, § 84).
Nga përmbajtja dhe interpretimi i dispozitave te legjislacionit kombëtar dhe ndërkombëtar, nenet 22 e 23 të Kushtetutës, neni 10 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriuit, parimisht nxjerrim konkluzionin se liria e shprehjes dhe e informimit është e garantuar dhe e mbrojtur nga ligji për këdo, por kjo liri mund t’u nënshtrohet kufizimeve ose sanksioneve te parashikuara me ligj në rastet kur (veç të tjerash) prek moralin, nderin, dinjitetin dhe te drejtat e te tjerëve.
Përsa i përket kundërligjshmërisë së veprimit, apo mosveprimit, doktrina mban qëndrime të ndryshme. Njëra është teoria objektive, e cila kërkon që veprimi, apo mosveprimi të jetë në kundërshtim me një normë juridike konkrete. Kjo konsiston në sjelljen e subjektit aktiv në kundërshtim me të drejtën objektive dhe si rrjedhojë shkaktimin e dëmit. Nga ana tjetër është teoria subjektive, e cila e konsideron të kundërligjshëm automatikisht një veprim apo mosveprim, në momentin që cenon të drejta apo interesa që mbrohen nga rendi juridik në fuqi.
Pra, në momentin që subjekti pasiv pëson një dëm, automatikisht veprimi, apo sjellja e subjektit aktiv do të konsiderohet e kundërligjshme, me përjashtim të disa rasteve të specifikuara shprehimisht në ligj. Pavarësisht dy teorive, qëndrimi dominant i doktrinës dhe jurisprudencës është bashkimi i të dyjave, pasi në çdo rast që cenohen të drejta, apo interesa të mbrojtura nga rendi juridik, veprimet apo mosveprimet që i kanë cenuar bien në kundërshtim edhe me një normë juridike objektive. Ky arsyetim gjen mbështetje ne detyrimin Kushtetues për respektimin e dinjitetit, të të drejtave dhe lirive të njeriut t֝ë sanksionuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Kushtetutë dhe në ligje.
Ne rastin konkret kemi shpifje të kryera botërisht të cilat janë të pa bazuara në këto parashikimet që mban në konsideratë Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut pasi këto tejkalojnë lirinë e shprehjes dhe lidhen me shpifje pa prova konkrete dhe të pabaza totalisht me qëllim denigrimin e figurës së një përfaqësuesi publik dhe profesionisti të medias së shkruar dhe vizive duke mos sjellë asnjë provë për opinionin publik.
Në rastin në shqyrtim duhen vendosur në balancë respektimi i nderit dhe dinjitetit për të cilin viktima akuzuese pretendon se është cenuar, si dhe e drejta e shprehjes për të dhënë një informacion e opinion të të akuzuarit të bazuar në të dhëna publike në favor te interesave publike, të drejtë te cilën i akuzuari nuk e ka zbatuar, të drejta të cilat mbrohen nga Konventa dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të njëjtë dhe asnjëra prej tyre nuk ka prioritet ndaj tjetrës.
Po kështu në çështjen “Karakó kundër Hungarisë” gjykata vendosi se e drejta e reputacionit hyn në lojë vetëm si e drejtë e pavarur kur një sulm ndaj reputacionit të një personi arrin një nivel të caktuar rëndësie dhe shkakton një paragjykim të tillë për gëzimin e së drejtës së tij për jetën private, duke dëmtuar integritetin e tij personal. Aplikimi Nr. 39311/05, ¶ 21 dhe 23 (duke iu referuar çështjes Von Hannover dhe duke bërë dallimin midis reputacionit dhe integritetit personal, duke mbajtur qëndrimin se "të drejtat e integritetit personal përfshihen në kuadër të nenit 8 nuk janë të lidhura me vlerësimin e jashtëm të individit, ndërsa për çështjet e reputacionit, ai vlerësim është vendimtar: "Dikush mund të humbasë vlerësimin e shoqërisë - mbase me të drejtë", por jo integritetin e tij, i cili mbetet i patjetërsueshëm”.
Sjellim në vëmendjen e gjykatës se legjislacioni ynë nuk e parashikon difamacionin - përhapjen e thënieve të vërteta, por që janë poshtëruese për tjetrin, si akt që shkakton përgjegjësi civile apo penale. Dispozitat ligjore të përgjegjësisë civile nuk mbrojnë njerëzit nga një gjuhë që është thjesht ofenduese ose tronditëse, ose për shprehjen e një opinioni.
Deklaratat e përhapura, jo vetëm që janë të rreme, ato janë konkrete dhe diskredituese, poshtëruese, që cënojnë nderin e dinjitetin viktimës akuzuese. Kjo është çështje fakti dhe zgjidhet në çdo rast konkret.
Deklarata e dhënë nga i akuzuari nuk janë pjesë e ushtrimit të së drejtës dhe detyrimit tij për të informuar publikun dhe në ushtrim të funksionit të tij duke bërë shpifje të pa baza dhe duke ja atashuar këto viktimës akuzuese kur nuk ka asnjë indicie, jo më të ketë prova.
Viktima akuzuese arrin në përfundimin se, deklarimet e përmendura më lart, përbëjnë një pretendim fakti, i cili në vetvete, në mënyrën si është formuluar, përbën një shpifje tejet serioze.
Në deklarimet e tij, i akuzuari përdor në drejtim të viktimës akuzues shprehje, të cilat nuk janë hipotetike dhe nuk lenë të hapur asnjë mundësi për publikun, që të hamendësojnë apo të krijojnë vetë dyshimin e bindjes për faktin e pretenduar dhe të bëjnë vlerësimin e tyre.
I akuzuari qëllimisht paraqit këto situata të pavërteta, duke u përpjekur për të krijuar bindjen tek publiku dhe më gjerë, duke pasur si synim të paraqesë imazhin e viktimës akuzuese, nga një qytetar e gazetar profesionist, në një person që nuk është profesionist në punën e tij dhe se kronikat që paraqet janë të njëanshme.
I akuzuari, në ngritjen e kësaj shpifjeje nuk ka paraqitur asnjë provë për viktimën akuzuese. Këto deklarata i akuzuari i ka bërë me qëllim dëmtimin e imazhit të viktimës akuzuese dhe përfitimin profesional dhe mediatik prej deklaratës. Rrjedhimisht ai ka plotësuar të gjithë elementët e figurës së veprës penale “Shpifje e kryer botërisht”.
Qëllimi i thënieve të mësipërme, të cilat plotësojnë tërësisht elementët e veprës penale të Fyerje dhe Shpifjes së kryer botërisht, ka qenë që nëpërmjet përhapjes së thënieve, të cilat janë të rreme, të realizohet dëmtimi dhe denigrimi i figurës së viktimës akuzuese. I akuzuari ka për qëllim përdorimin e kësaj shpifjeje duke synuar vetëm dëmtimin dhe përbaltjen e figurës publike por edhe reputacionit të viktimës akuzuese.
Rezulton që këto veprime të të akuzuarit kanë qenë të rënda dhe fyese jo vetëm për viktimën akuzuese dhe familjen e tij, por edhe për opinionin publik, ku dihet dhe njihet reputacioni që gazetari Dervishi gëzon në mbarë opinionin publik shqiptar.
Dukshëm vihet re se deklarimet, të cilat përbëjnë shpifjen nuk kanë qenë asnjëherë deklarata të bazuara në fakte ose prova, por vetëm realizimi i qëllimit të dëmtimit të personalitetit dhe imazhit të viktimës akuzuese, duke i dhënë publikut informacione dhe lajme nëpërmjet medias të shkruara dhe vizive, të cilat janë tërësisht të rreme.
Të gjitha këto fakte me natyrë diskredituese, janë përhapur verbalisht nga i akuzuari me mjetet e informacionit fillimisht me intervistën e tij në televizion dhe me pas është shpërndarë në rrjetin social “YouTube” nga ku edhe viktima ka marrë dijeni për këto shpifje.
Në literaturën juridike për këtë vepër penale kërkohet që personi t’i përhapë këto thënie shpifëse, dhe të jetë në dijeni të plotë që ato janë të paqena, të pavërteta, pa një bazë faktike reale, pra produkt i fantazisë së tij. Në rastin konkret i akuzuari plotëson të gjitha kushtet e sipërcituara sepse është në dijeni të plotë se faktet e përmendura nuk ekzistojnë dhe janë të sajuara prej tij.
Ana objektive:
Nga ana e elementeve të jashtëm, vepra penale e fyerjes konsiston në përdorimin e fjalëve ose shprehive të caktuara kundër një personi tjetër, të cilat prekin integritetin personal, Tipari kryesor i fyerjes është nëpërmjet saj, jo vetëm shprehet diçka, por edhe synohet të ngjallë ndjenjën e poshtërimit për tjetërin. Veprimi i paligjshëm shfaqet në botën e jashtme nëpërmjet shprehjes së fjalëve dhe frazave të ndryshme. Do të ndodhemi përpara kësaj kundravajtje penale nëqoftese, “fyerja e personit, të cilit i adresohen në mënyrë të drejtpërdrejtë është bërë me qëllim të caktuar ”.
Konsiderohen fjalë ose shprehje fyese, ato të cilat i referohen cilësive individuale të personit duke përshkruar si njeri pa vlera morale dhe shoqërore. Fjalët e përdorura janë vulgare me karakter diskretitues, të tilla si: qelbësirë, i poshtër, maskara, i ndyrë si dhe fjalë të tjera të ngjashme dhe të krahasueshme me këto, të cilat njihen nga shoqëria si fjalë apo shprehje me karakter fyes.
Shprehjet fuyese përgjithësisht bëhen në formë verbale dhe vijnë si rrjedhoj e një situate komunikimi mes palëve. Autori i drejton subjektit pasiv, fjalë përçmuese që shprehin një cilësi negative, i emërton një cilësi individuale diskredituese që ai nuk e ka, fjalë me një kuptim përbuzës, i drejton sharje të ndryshme në adresë të familjarëve apo personave të afërm të tij, etj.
Neni 120/2 të kodit penal:
Vepra penale shpifjes parashikon tre rrethana të veçanta të kryerjes së veprës, të cilat konsiderohen nga ligji me elementë cilësues. Në këto raste vepra konsiderohet e cilësuar për rrethana që i përkasin anës objektive të veprës penale dhe konsiderohen të tillë: a) kur shpifja kryhet botërisht: b) shpifja kryhet në dëm të disa personave: c) shpifja kryhet më shumë se njëherë.
Të tria këto shprehje, marrin të njëjtën kuptim respektivisht të evidentuara për nenin 119 të kodit penal, ndaj nisur nga kjo ngjashmëri, për interpretim juridik të tyre, do të merren opinionet e dhëna për këtë dispozitë.
Dallimi midis Shpifjes dhe Fyerjes:
Dallimi midis tyre qëndron në tiparet e anës objektive dhe subjektive. Për figurën e fyerjes, kërkohet përdorimi i fjalëve që prekin ndjenjën e dinjitetit të personit, Për figurën e shpifjes, kërkohet që të përhapen fakte konkrete jo të vërteta, të cilat diskretitojnë një person të caktuar. Nga ana subjektive për ekzistencën e figurës së shpifjes është e domosdoshme që personi të përhapë tek të tjetër fakte konkrete me qëllim që të diskretitojë reputacionin shoqëror të një tjetri, ndërsa tek fyerja fjalët e përdorura nga autori i adresohen drejtëpërdrejt personit tjetër për të ulur, aty për aty, dinjitetin e tij, për ta poshtëruar atë.
Të gjitha këto dhe të tjera bëjnë që i akuzuari të ketë konsumuar veprën penale të Fyerjes dhe Shpifjes.
Përsa më sipër, bazuar në nenin 119/2 dhe 120/2 të Kodit Penal kërkojmë nga Gjykata:
- Deklarimin fajtor për të akuzuarin Idajet Beqiri për veprën penale të fyerjes, e kryer botërisht parashikuar nga neni 119/2 i Kodit Penal dhe shpifjes, e kryer botërisht, parashikuar nga neni 120/2 i Kodit Penal.
Kërkesën tonë e provojmë me provat si më poshtë:
- CD me intervistë e të akuzuarit Idajet Beqiri dhënë për “Dritare TV”, dhe që është hedhur në kanalin YouTube të këtij tv.
VIKTIMA AKUZUESE
FERDINAND DERVISHI
Po ndodh...
ide
Partitë peng, politika peng, Shqipëria peng!
Elisa dhe dilema e trashëgimisë politike të Ramës!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128


