Shkarkohen drejtuesit financiarë pas krizës që preku mbi 455 mijë investitorë në Turqi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka shkarkuar drejtuesin e institucionit që mbikëqyr tregjet financiare në vend, pas pasojave të një krize që përfshiu fondet e investimit.
Mahmut Sütçü, kreu i Bordit të Tregjeve të Kapitalit (SPK), u largua nga detyra me një vendim të publikuar sot në Fletoren Zyrtare të Turqisë.
Sütçü paraqiti dje dorëheqjen, duke përmendur arsye shëndetësore.
Ndërkohë, zëvendësministri i Thesarit dhe Financave, Osman Çelik paraqiti dje veçmas kërkesën për pension, pa dhënë ndonjë arsye, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu”.
Sipas një vendimi të publikuar sot , edhe ai u zëvendësua.
Largimet nga detyra vijnë në një kohë kur Turqia po përballet me një krizë të fondeve të investimit, e cila nisi në shtator.
Në atë kohë, Bordi i Tregjeve të Kapitalit urdhëroi mbylljen dhe likuidimin e 131 fondeve të administruara nga shtatë kompani të menaxhimit të investimeve.
Sipas “Anadolu”, kriza preku më shumë se 455 mijë investitorë.
Prokuroria e Stambollit ka nisur një hetim për dyshime mbi parregullsi financiare dhe shpërdorim detyre.
Në mesin e personave të përfshirë në hetim janë ish-ministrja e Familjes, Fatma Betül Sayan Kaya, dhe ish-drejtuesi i Bordit të Tregjeve të Kapitalit.
Kaya dha dorëheqjen nga posti i saj në partinë në pushtet, AKP, pasi opozita e akuzoi atë dhe bashkëshortin e saj, se kishin përfituar shuma të mëdha nga fitime jashtëzakonisht të larta prej fondeve të investimit.
Më vonë, Kaya dhe bashkëshorti i saj u morën në pyetje nga prokurorët si persona nën hetim.
Bursa e Stambollit e mbylli dje tregtimin me një rënie prej gati 2,5%, pas njoftimeve për largimet nga detyra. Ditën e sotme, ajo rikuperoi një pjesë të humbjeve.
Shumë ekspertë të tregjeve financiare, e konsiderojnë këtë ngjarje një nga krizat më të rënda të tregut në historinë e afërt të Turqisë.
Ata paralajmërojnë se kriza mund të përhapet edhe në sektorë të tjerë, nëse nuk miratohen rregullat e nevojshme për të mbikëqyrur dhe kontrolluar tregjet financiare.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
