Shkrihen 15 bashki/ Kalon në parlament "Reforma Teritoriale" me 85 vota pro

9 October 2026, 01:07 / POLITIKË ALFA PRESS
Shkrihen 15 bashki/ Kalon në parlament "Reforma Teritoriale" me

Mazhoranca socialiste ka miratuar në Kuvend Reformën e re Territoriale, duke shkrirë 15 bashki dhe duke e çuar numrin e njësive vendore nga 61 në 46. Me votat e shumicës, të siguruara mes presionit politik dhe akuzave për shantazh ndaj deputetëve të Rilindjes, Rama së bashku me Tom Doshin, kaloi në parlament ligjin e shumëdebatuar. 

Votimi i sotëm prek drejtpërdrejt strukturën e pushtetit vendor.

15 bashki kanë humbur statusin e tyre si njësi të veçanta vendore, ndërsa territori do të organizohet tashmë në 46 bashki.

Bashkitë e shkrira janë: Fushë-Arrëzi, Klosi, Rrogozhina, Dimal, Poliçani, Patosi, Divjaka, Selenica, Maliqi, Këlcyra, Memaliaj, Libohova, Cërriku, Belshi dhe Prrenjasi.

Qeveria e ka argumentuar reformën me nevojën për një pushtet vendor më eficient, më të qëndrueshëm financiarisht dhe me kapacitete më të mëdha për ofrimin e shërbimeve.

Por, ndërkohë, këshillat bashkiakë të këtyre bashkive kanë kundërshtuar shkrirjen e njësive të tyre me votë, ndërsa banorë të zonave të prekura kanë zhvilluar protesta kundër hartës së re territoriale.

Mazhoranca, pavarësisht kundërshtimeve, ka vendosur të vijojë me reformën, duke e miratuar atë me votat e shumicës parlamentare.

Miratimi është shoqëruar edhe me kundërshtime të forta politike. Opozita ka kritikuar mungesën e konsensusit dhe ka ngritur shqetësime për pasojat që shkrirja e bashkive mund të ketë për përfaqësimin, administrimin dhe ofrimin e shërbimeve për banorët.

Ndërkohë, debati për mënyrën se si u siguruan votat e mazhorancës ka qenë një tjetër pikë e fortë e përplasjes politike, me akuza për presion ndaj deputetëve që kundërshtonin reformën.

Me votimin e sotëm, harta e pushtetit vendor ndryshon zyrtarisht. 15 bashki që ekzistonin deri më tani nuk do të funksionojnë më si njësi të pavarura administrative.

Reforma e re Territoriale shënon kështu një tjetër ndërhyrje të rëndësishme në organizimin e pushtetit vendor, po në mënyrë të njëanshme si ajo e vitit 2015.

Por për banorët e zonave që preken nga shkrirja, debati nuk përfundon me votimin në Kuvend. Kundërshtarët e reformës kanë paralajmëruar se përqendrimi i shërbimeve dhe administratës në qendrat e bashkive më të mëdha mund të thellojë problemet e aksesit në shërbime publike dhe të nxisë më tej largimin e popullsisë nga këto zona.

Po ndodh...