Shqiptarët nuk janë mysafirë në Kosovë, por popull autokton në Dardani! Propaganda serbe dhe thirrjet për spastrim etnik nuk e ndryshojnë historinë
Ka deklarata që nuk janë thjesht provokime politike. Ka deklarata që përbëjnë një akt të pastër urrejtjeje ndaj një populli dhe një përpjekje për të legjitimuar krime që tronditën ndërgjegjen e botës. Të tilla janë deklaratat e ministres serbe, Snezana Paunoviç, e cila deklaroi se shqiptarët e Kosovës duhej të ishin spastruar etnikisht në vitin 1998. Ndërkohë edhe më e rëndë është mbrojtja që i bëri zëvendëskryeministri serb, Ivica Daçiç, duke e paraqitur si diçka normale dëbimin e shqiptarëve drejt Shqipërisë. Kur një qeveri mbron njerëz që flasin me gjuhën e spastrimit etnik, nuk kemi më të bëjmë me një incident diplomatik. Kemi të bëjmë me vazhdimësinë e një ideologjie që Ballkanit i ka kushtuar lumenj gjaku. Prandaj Shqipëria nuk duhet të mjaftohet me deklarata formale. Shteti shqiptar duhet të reagojë me dinjitet dhe vendosmëri, duke i shpallur ‘non-grata’ të dy këta zyrtarë. Jo për hakmarrje, por për parim. Jo për të nxitur tensione, por për të treguar se ka kufij që askush nuk mund t'i shkelë pa u përballur me pasoja politike.
Por ajo që shqetëson më shumë nuk është vetëm gjuha e urrejtjes. Është tentativa e vazhdueshme për të deformuar historinë. Daçiçi dhe politikanë të tjerë në Serbi vazhdojnë të ushqejnë mitin se shqiptarët janë të ardhur në Kosovë. Kjo nuk është histori. Është propagandë. E vërteta historike është krejt tjetër. Shqiptarët janë autoktonë në Dardani. Ata janë pasardhësit e popullsisë ilire që ka jetuar në këto troje shumë shekuj përpara ardhjes së sllavëve në Ballkan. Dardania ishte një nga qendrat më të rëndësishme të qytetërimit ilir, me qytete, organizim shtetëror, kulturë dhe zhvillim. Kur paraardhësit e shqiptarëve ndërtonin qytete dhe jepnin perandorë Romës, fiset sllave nuk kishin mbërritur ende në këto troje. Ky nuk është slogan patriotik. Është një realitet historik i mbështetur nga burime të shumta dhe nga vazhdimësia kulturore e gjuhësore e shqiptarëve në këto troje. Historia nuk rishkruhet sipas interesave të politikës së ditës dhe nuk ndryshohet nga deklaratat e politikanëve që ende mbajnë gjallë frymën e Millosheviçit.
Për këtë arsye, çdo pretendim se shqiptarët duhet të "kthehen" në Shqipëri është absurd. Nuk mund të kthehet askush në një vend nga i cili nuk është larguar kurrë. Shqiptarët nuk janë mysafirë në Kosovë. Ata janë zot të shtëpisë së tyre, në tokën ku kanë jetuar brez pas brezi, ku kanë ndërtuar qytetërimin e tyre dhe ku kanë mbijetuar pavarësisht pushtimeve, represionit dhe përpjekjeve të vazhdueshme për t'i zhdukur. Krimet e viteve 1998-1999 nuk janë një kapitull që mund të relativizohet. Mbi 13 mijë shqiptarë u vranë, mijëra gra u dhunuan, qindra mijëra u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Këto nuk janë statistika. Janë jetë njerëzish. Janë fëmijë, gra, pleq e burra, faji i vetëm i të cilëve ishte se ishin shqiptarë. Kur sot një ministre serbe thotë se ai spastrim duhej të kishte qenë i plotë, ajo nuk fyen vetëm viktimat. Ajo fyen gjithë njerëzimin. Dhe kur një zëvendëskryeministër e mbron atë deklaratë, ai merr përsipër barrën politike dhe morale të asaj gjuhe të urrejtjes. Shqipëria nuk ka luksin të heshtë. Diplomacia nuk është nënshtrim. Marrëdhëniet e mira fqinjësore nuk ndërtohen duke pranuar çdo fyerje, çdo shtrembërim historik dhe çdo sulm ndaj dinjitetit kombëtar. Respekti fitohet vetëm kur respekton veten. Është koha që Tirana të tregojë se dinjiteti kombëtar nuk negociohet. Se kujtimi i viktimave të Kosovës nuk përdhoset. Se askush nuk mund të bëjë thirrje për spastrim etnik ndaj shqiptarëve dhe të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Shqiptarët nuk kanë nevojë që askush t'u japë leje për të jetuar në Dardani. Ata janë popull autokton në këto troje, rrënjët e tyre janë më të thella se çdo propagandë dhe më të forta se çdo ideologji shoviniste. Historia nuk fillon me Serbinë. Dhe sigurisht nuk mbaron me deklaratat e atyre që ende nuk janë shkëputur nga hija e Millosheviçit.
Po ndodh...
Protesta dhe dezertorët në PS dhe PD
ide
A duhet të protestojnë gazetarët?
Ndryshimi i vërtetë në PD, duhet të presë edhe pak...
Një popull që nuk lexon, sundohet nga ai që kontrollon ekranin
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128