Fitorja e Partizanit nuk mjafton, Vllaznia e nxjerr jashtë Kupës

15 Mars 2023, 19:24 / SPORT ALFA PRESS

Fitorja e Partizanit nuk mjafton, Vllaznia e nxjerr jashtë Kupës

Partizani fiton por nuk ia del të kualifikohet në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Të kuqtë mposhtën 1-0 Vllazninë në ndeshjen e kthimit, por janë pikërisht shkodranët ata që avancojnë mes katër më të mirave falë suksesit në takimin e parë me rezultatin 3-1 në ”Loro Borici.”

Të besuarit e Collellës zhvilluan një ndeshje shumë të mirë, prodhuan raste të shumta shënimi dhe kontrolluan për pjesën më të madhe mbajtjen e topit.

Pas një sërë përpjekjesh në minutat e para, Partizani e gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 25′ me anë të Alfred Mensah. Sulmuesi ishte në vendin e duhur për të përfituar nga një keqkuptim i prapavijës shkodrane dhe realizoi me portën e boshatisur.

Demat vijuan me sulmet e vazhdueshme edhe në pjesën e dytë të takimit dhe në minutën e 62′ shpërdoruan një mundësi ideale me Tedi Carën, me këtë të fundit që detyroi portierin Qarri të bënte një mrekulli duke e dërguar topin mbi traversë.

Festa e Partizanit zgjati shumë pak tre minuta nga fundi i kohës së rregullt teksa goli i Carës u anulua si pasojë e një faulli të shkaktuar nga Da Silva ndaj Erdenis Gurishtës, me VAR-in që u bë protagonist duke i ardhur në ndihmë kryesorit Barjamaj.

Vllaznia ruajti me fanatizëm portën deri në fund dhe në këtë mënyrë siguron kualifikimin në fazën gjysmëfinale, ku do të gjejë dhe Egnatian, Tiranën dhe Teutën.