“Jo vetëm shpirt e zemër, duhet edhe kualitet”, Dede analizon kuqezinjtë: Përgjegjësi e SIlvinjos që nuk gjen të majtë, do e ketë më të lehtë nëse humbim

21 Mars 2025, 19:07 / SPORT ALFA PRESS

“Jo vetëm shpirt e zemër, duhet edhe kualitet”, Dede

Nevil Dede mendon se Shqipëria duhet të tentojë të bëjë mrekullinë që sot ndaj Anglisë në “Wembley” për të synuar ëndrrën e Botërorit. I ftuar në studion e “Sport News” në “News 24”, ai theksoi se kuqezinjtë duhej të synonin vendin e parë nëse kërkonin të bënin realitet këtë ëndërr.

“Ëndërr është deri në këto momente se derisa nuk kemi marrë pjesë më parë, do të thotë që duam të realizojmë një ëndërr. Do të thotë që duam, sot është fillimi, një aventurë e re, sidomos për fillimin e Kombëtares se të gjithë jemi me mendje e zemër atje. Duam të shohim një paraqitje të mirë, të krenohemi mbi të gjitha.

Derisa themi duam të shkojmë në Botërorë, edhe për herë të parë që shkuam, e fituam në Portugali. Por nuk jam dakord që nuk kemi kundërshtar Anglinë. Edhe vetë kam qenë me mendimin që ne kemi kundërshtar Anglinë. Por duhet të dalim të parët, pastaj nuk i dihet se si shkon me vendin e dytë, se playoff është e vështirë. Ne duhet të bëjmë pikët e duhura për të dalë të parët e shkuar, kjo është ëndërr. Anglia nuk është pretendente vetëm për të dalë e para, por edhe për të fituar Botërorin. Ne duhet të pretendojmë që të mundim një pretendent për të bërë ëndrrat tona realitet.

Goleadë? Në futboll ndodhin të gjitha, edhe ndeshje e shifra të thella. Realisht besoj që nuk mund të ndodhë goleade, ose nuk dua ta besoj. Të shohim si do ta interpretojnë djemtë, mendoj se nuk është i rëndësishëm sistemi, por interpretimi i lojtarëve. Janë dy gjëra thelbësore, sa zotërim topi do kemi, sa do i imponohemi, dhe sa fat do kemi. Thuhet se është 30% vendimtar fati në futboll, por ne na duhet mbi 50% fat. Që nëse Kejn do të dalë katër herë para portës, ai të gabojë të paktën 3 herë që të jemi në lojë.

Ai është kampionati më i ndjekur në botë, brenda ka këta elemente që janë përballë djemve tanë, kanë kualitet. Por të tregojmë sa kemi edhe ne, sot duhet të tregojmë që kemi kualitet, se vetëm me psikologjinë nuk ia del përballë një kundërshtari të tillë.

Barazim? E  gjithë fantazia e dashamirësia jonë duhet shkrire pak me realitetin, jo pa shkak e thashë që kualitetin nuk e mundim vetëm me anë psikologjike e zemër e shpirt në fushë. Do duhet të  tregojmë kualitet. Sigurisht që ata do kenë topin, ka rëndësi sa të fortë do jemi ne, si do veprojmë nga krahët, zgjidhje që do i japin Silvinjo e lojtarët. Të gjitha vërtetohen në momentin që fillon ndeshja. Zotërimi i tyre do jetë i madh, do ketë rëndësi sa do shpenzojmë ne, sa do jemi pa vështirësi, dhe kur fitojmë topin, të nisemi e mos gabojmë kurrë.

Dëshiroj shumë por ka momente kur do të mos parkosh autobusin e të detyron kundërshtari. Sa të zotë do jemi ne, janë elemente bazike, duam të tregojmë edhe ne cilësitë tona. Shkuam me meritë në Europian, por duhet të tregojmë edhe në përballje të tilla e kundërshtarë të tillë. Janë rezultate që në histori kemi bërë shumë pak, ndoshta ka ardhur momenti i duhur që edhe ne të bëjmë rezultate me Anglinë, Gjermaninë e Spanjën. Kemi ulur diferencat me disa kombëtare të ndryshme, por me disa e kemi thelluar këtë diferencë. Me Anglinë nuk e kishim frikën e goleadës, në vitet e fundit kemi disi. Është për t’u parë, përballje e vështirë, kem një mal përpara, por një alpinist i mirë mund të gjejë shtigjet e duhura për t’iu ngjitur malit pa u lodhur shumë.

Në analizë, i jep të drejtë logjikës por në fund do fitojë ai që do gjeje më afër rezultatin. A mund të luajmë kokë më kokë me kundërshtarët, të gjithë duan që të luajnë pa autobus. Mund të luajmë kokë më kokë, po a jemi të fort të përballojmë një kundër një Kejn e Bellingam. E kundërta është që të presim e pësojmë përsëri pesë gola. Rast unik është Barcelona, Reali i Murinjos i parkoi autobusin dhe u bë gjithsesi “manita” e famshme. A janë të zot djemtë tanë që të bëjnë atë që të përballojnë një kundër një? Nëse po, do themi Shqipëria ka arritur një stad tjetër.

Strakosha është në portë, sezoni i tij nuk është më brilant. Emra të rinj janë edhe 2-3. Gjimshiti është i duhur për ne, jo vetëm si mbrojtës, por edhe skuadrës, është lojtar konstant, përveç dëmtimeve gjithë pjesën tjetër e interpreton në rregull. Balliu ka një shpejtësi të mirë, përballë një kundërshtari të tillë mund t’i japë gjerësi e thellësi. Na duhet një Ajeti në ditën e tij më të mirë. Kam frikë shumë krahun e majtë, jam i kënaqur që një lojtar i Superiores është pjesë e formacionit, duhet theksuar se nuk jemi mësuar kurrë, është risi. Që nuk ka gjetur një zëvendësues tjetër në këtë periudhë, është përgjegjësi që duhet të marrë Silvinjo, ai do vuajë, nuk ka zëvendësues, nuk kemi me të majtën. Të mos harrojmë që te Dinamo gjithë sezonin po luan mbrojtës qendre, ndoshta po bën miks Silvinjo, mes mbrojtjes me 4 por edhe Aliji që nuk do shtyjë, për t’i dhënë më shumë liri Balliut. Por e kam thënë dhe e them, jam bindur që nuk ka për ta ndërruar kurrë këtë sitëm

U morëm me individët, por duhet të mbrojmë të gjithë, sa topa do pengojnë ata për të shkuar te linja jonë e fundit me një kundërshtar që në gjerësi të fushës do kenë dy lojtarë në limite, apo në çiftime. Sa të fortë do jen Aliji e Balliu e sa do ndihmohen nga Bajrami e Asani.

Nuk duhet të shqetësohemi sot, Ismajli ishte titullar në eliminatore. Unë nuk e shoh problem të madh edhe për një fakt, profesioni që mbuloj, nuk para zëvendësohen qendrat e mbrojtjes, apo ndodh rrallë që nuk ecin mirë. Problemet vijnë nga lart, këta janë të fundit që i vënë vulën.

Unë do preferoja në sulm Uzunin se besoj se do dalim në sulm me topa të fituar e nisje të shpejta, marrim topin e nisemi sa më shpejt. Shpejtësia e Uzunit është më e përshtatshme për ne. Manaj është më i fortë, por sa do ia dalë para dy qendrave? Më mirë shpejtësia e Uzunit se forca se nuk merr shumë thellësi Manaj. Ndërsa për Brojën, vjen nga një dëmtim i gjatë, nuk besoj se mund të bëjë impakt me shumë se 10-15 minuta.

Me çfarë na ka mësuar Silvinjo, do luajë Manaj, ky është perceptimi im personal. Uzuni për mua, edhe kur i është dhënë mundësia, është një nga lojtarët më me pak fat e rendiment te ne, se nuk i ka përkthyer të gjitha që ka bërë. Ai i ka fituar të gjitha në karrierë vetëm si sulmues qendre, nuk ka pasur fatin me ne, nuk i ka përdorur mundësitë sa duhet. Me Anglinë këtu ka humbur rast. Jashtë Europianit? Mund t’i japësh të drejtë trajnerit por ta shohësh parimisht, çfarë bën përzgjedhësi që ka një listë e objektiv, unë nuk kam qenë kurrë që Uzuni të mbetej jashtë, se ka luajtur në nivele të larta, ka qenë në nivele të larta.

Me analizat që bëhen, Anglia ka kundërshtare vetëm veten e saj. Nëse bëjmë rezultat sot, gjithë opinioni do thotë “Anglia që nuk shihej me sy”. Do bëjnë kritikat e veta, ne do ngremë veten në piedestal. Por po t’i japësh një kompjuteri analizën, do nxjerrë superfavorit. Ne futim ndjenjën brenda. Kompjuteri nuk e ka këtë.

Asnjë nuk shpreson të humbet, por nëse humbim, avantazhin më të madh e ka Silvinjo se ka për çfarë t’i bërtasë e kërkojë llogari skuadrës. E ka shumë të thjeshtë. Por pastaj mund të jetë e kundërta…”, tha Dede për “Sport News”.