Legjenda gjermane/ Sot Beckenbauer do vlente po aq sa Messi dhe Ronaldo

10 Janar 2024, 12:18 / SPORT NGA HENRIK HOELZMANN, BILD

Legjenda gjermane/ Sot Beckenbauer do vlente po aq sa Messi dhe Ronaldo

Gjermania po mban zi për Kaiser-in.

Franz Beckenbauer nuk është vetëm fanari ndriçues i futbollit gjerman, por edhe një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Por shumë tifozë të futbollit, veçanërisht ata më të rinjtë, nuk e kanë parë kurrë Beckenbauer të luajë dhe nuk e kanë idenë se sa i mirë ishte ai në të vërtetë.

Gjatë karrierës së tij aktive, Beckenbauer ishte një superstar absolut dhe krahasohej me legjenda si ikona e Brazilit, Pele dhe Johan Cruyff të Holandës. Përveç tyre, askush nuk iu afrua statusit të tij.

Për krahasim: Kaiser-i dominoi një epokë të tërë, siç bënë mega-yjet Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo në dekadën e fundit.

Franz Beckenbauer do të vlente sot po aq sa Messi dhe Ronaldo

Pas kohës së tij te FC Bayern, Beckenbauer u transferua në SHBA te Cosmos Neë York për shumën rekord të 2 milionë dollarëve në vitin 1977. Aty luajti së bashku me Pelenë. Është e vështirë të imagjinohet se sa e lartë do të ishte tarifa e transferimit për të, duke pasur parasysh kushtet e sotme të tregut të transferimeve.

Njësoj si Messi (8 herë Lojtari i Vitit në botë), Beckenbauer ka fituar pothuajse gjithçka që kishte për të fituar si lojtar.

Kampion bote, kampion i Europës, pesë herë kampion i Gjermanisë me Bayern-in dhe Hamburger, Beckenbauer fitoi tre herë radhazi Kupën e Europës (paraardhëse e Ligës së Kampioneve) me FC Bayern, si dhe Kupën e Kupave të Europës.

Atij iu mohua vetëm fitorja në Kupën UEFA. Në vitin 1982 ai dështoi me HSV në finale kundër IFK Goeteborg. Ai e mori atë si trajner i përkohshëm i FC Bayern në vitin 1996.

Me stilin e tij elegant të lojës, me këmbët e lehta, ai revolucionarizoi lojën si libero, shpiku pasimet ende të panjohura në atë kohë një-dy dhe bënte përshtypje me pasimet e tij me të jashtmen.

Dhe me Përrallën Verore të vitit 2006, një pjesë e trashëgimisë së Beckenbauer do të mbetet padyshim e paharruar edhe për më të rinjtë...

 

Po ndodh...