Seria A/ Roma merr dritën jeshile për stadiumin e ri prej 1 miliard eurosh

14 Mars 2026, 10:37 / SPORT ALFA PRESS
Seria A/ Roma merr dritën jeshile për stadiumin e ri prej 1 miliard

Klubi i Romës ka marrë një hap vendimtar drejt realizimit të një projekti historik. Bashkia e Romës ka miratuar projektin e fizibilitetit teknik dhe ekonomik për ndërtimin e stadiumit të ri të verdhekuqve, një investim gjigant që pritet të arrijë vlerën e rreth 1 miliard eurove.

Impianti i ri do të ndërtohet në zonën e Pietralata dhe sipas planit aktual punimet pritet të nisin në fillim të vitit 2027. Miratimi i fundit i autoriteteve vendore mbyll fazën administrative të procesit, ndërsa hapi i radhës do të jetë vlerësimi i ndikimit në mjedis, një procedurë e domosdoshme përpara nisjes së ndërtimit.

Kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri, konfirmoi se synimi është që guri i parë i themelit të stadiumit të vendoset në muajt e parë të vitit 2027. Sipas tij, votimi i fundit përfundoi procedurat administrative dhe tashmë projekti do të hyjë në fazën teknike.

Investimi nuk do të financohet nga fondet publike. Rreth 700 milionë euro do të përdoren për ndërtimin e vetë stadiumit, ndërsa 300 milionë euro të tjera do të shkojnë për rigjenerimin urban të zonës verilindore të kryeqytetit italian, ku përfshihet edhe krijimi i hapësirave të reja të gjelbra. Për më tepër, klubi verdhekuq ka parashikuar edhe një fond shtesë prej 100 milionë eurosh për projekte që do të sjellin përfitime të drejtpërdrejta për qytetin.

Stadiumi i ri pritet të ketë një kapacitet prej rreth 60 mijë spektatorësh dhe do t’i japë mundësi Romës të largohet nga ‘Stadio Olimpico’, impiant që aktualisht ndahet me rivalët e Lazio-s.

Po ndodh...