Torino bën ndryshim të madh, Asllani do të ketë një drejtor të ri sportiv

10 Dhjetor 2025, 18:16 / SPORT ALFA PRESS

Torino bën ndryshim të madh, Asllani do të ketë një

Torino përjetoi një tronditje të fortë drejtimi pas humbjes së fundit ndaj Milanit, me klubin që njoftoi shkarkimin e Davide Vagnati-t nga posti i drejtorit sportiv.

Vendin e tij e merr Gianluca Petrachi, figurë e njohur për tifozët “granata”, i cili ka drejtuar merkaton e Torinos nga viti 2010 deri në 2019.

Vagnati pagoi pasojat e një merkatoje verore të pasuksesshme.

Investimet nuk dhanë rezultat dhe asnjë nga afrimet, nga 8 milionët për Zakaria Aboukhlal te huazimet e Asllanit dhe Ngonge, nuk arriti të ndikojë në ecurinë e skuadrës.

Kjo shtyu presidentin Urbano Cairo të rikthejë njeriun që vite më parë kishte firmosur goditje të rëndësishme si Alessio Cerci, Ciro Immobile, Matteo Darmian dhe Andrea Belotti.

Petrachi u largua në vitin 2019 për t’iu bashkuar Romës, në një lëvizje që shkaktoi tensione me presidentin Cairo.

Megjithatë, palët i kanë lënë pas mosmarrëveshjet dhe drejtori, pas aventurës së tij të fundit te Salernitana, është gati të nisë kapitullin e dytë në Torino.

Ai pritet të vizitojë ekipin dhe nesër të prezantohet zyrtarisht para mediave.

Në komunikatën zyrtare, klubi falënderon Vagnati-n për punën e bërë gjatë gati gjashtë viteve, ndërsa i uron suksese në të ardhmen. 

Po ndodh...

ide