Thirrja për Ramën/ Arqipeshkvi i Shkodër-Pult: Ata që qeverisin duhet të marrin vendime të vështira për të mirën e vendit

17 October 2026, 19:42 / POLITIKË ALFA PRESS

Arqipeshkvi i Shkodër-Pult: Ata që qeverisin duhet të marrin

Në vigjiljen e festës së Zojës së Shkodrës, arqipeshkëvi Giovanni Peragine foli për herë të parë për protestën që po zhvillohet për 5 ditë me radhë.

Sipas klerikut, qeveria duhet të marrë çdo vendim të vështirë që qytetarët kërkojnë, duke qenë se po protestojnë për 4 muaj me radhë. 

"Protestat e këtyre ditëve dëshmojnë pa dyshim një pakënaqësi të thellë shoqërore, që nuk mund të shpërfillet. Për katër muaj, një numër i konsiderueshëm qytetarësh kanë protestuar në mënyrë paqësore kundër një sistemi që favorizon disa dhe penalizon shumë të tjerë, por zëri i tyre nuk ka gjetur dëgjimin dhe përgjigjet e duhura. Kjo nuk e justifikon dhunën, e cila duhet dënuar qartë dhe pa asnjë rezervë, por nxjerr në pah përgjegjësinë e autoriteteve për të dëgjuar qytetarët, për të hapur rrugë dialogut dhe për të trajtuar me vendosmëri shkaqet e pakënaqësisë. Vetëm përmes drejtësisë, barazisë dhe dialogut të sinqertë mund të ndërtohet një shoqëri më e drejtë, ku askush të mos ndihet i përjashtuar dhe ku e mira e përbashkët të mbizotërojë mbi çdo interes personale. Përgjegjësia e autoriteteve nuk matet me deklarata, por me vendime konkrete. Asnjë interes privat nuk mund të vihet mbi të mirën e vendit dhe asnjë pushtet nuk mund ta zëvendësojë detyrimin për t’u dhënë përgjigje qytetarëve. Kur besimi te institucionet tronditet dhe paqja shoqërore vihet në rrezik, është detyrë e atyre që qeverisin të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të veprojnë pa vonesë, duke marrë me guxim edhe vendime të vështira, nëse këtë e kërkon e mira e vendit tonë. Shqipëria nuk meriton të përjetojë sërish plagët e rënda të së kaluarës së saj", deklaroi arqipeshkëvi Peragine.

Një mesazh arqipeshkëvi Peragine dha edhe për qytetin e Shkodrës duke thënë se qyteti nuk është vetëm qendra, por edhe periferitë.

"Qyteti është një e mirë e përbashkët, pra u përket të gjithëve. Qyteti i Shkodrës nuk u përket vetëm institucioneve të tij. Nuk u përket vetëm atyre që mbajnë përgjegjësi publike. Nuk u përket vetëm atyre që zotërojnë pasuri. Shkodra nuk u përket vetëm atyre që jetojnë në qendër të qytetit. Shkodra u përket të gjithë qytetarëve të saj dhe nuk duhet të jetë pronë e askujt. Shkodra është e të gjithëve dhe të gjithë duhet të ndihen përgjegjës për të.

Duhet të theksojmë edhe se qytet nuk ndërtohet vetëm në tryezat e zyrave publike, por ndërtohet çdo ditë në familje, në shkolla, në vendet e punës, në shoqata, në bashkësitë fetare dhe në organizatat e shoqërisë civile. Qyteti ndërtohet përmes mënyrës se si e pranojmë njëri-tjetrin, se si i respektojmë hapësirat e përbashkëta dhe se si i edukojmë fëmijët tanë. Një qytet ndërtohet edhe përmes gjesteve të vogla të ndershmërisë, vëmendjes dhe solidaritetit. Askush nuk duhet t’ua kalojë të tjerëve përgjegjësitë e veta", tha arqipeshkëvi i Shkodrës. 

Po ndodh...

Nga Aurel Plasari 18:14 IDE

JU MUNDI

Nga Aurel Plasari