Rinia e burgosur mes PS dhe PD, po shpërthen!

14 October 2026, 19:05 / IDE NGA SIDI HASANAJ
Rinia e burgosur mes PS dhe PD, po shpërthen!

Nga Sidi Hasanaj

Varfëria në të cilën është rritur ky brez ka prodhuar diçka shumë më të rrezikshme se pakënaqësia: Frustrim, dëshpërim dhe urrejtje ndaj një sistemi politik e ekonomik, i cili ua ka mbyllur dyert përpara syve.

Ky brez i ri është rritur në varfëri, dhe varfëria ka lindur një brez të frustruar, që e përbuz sistemin politiko-ekonomik. Është një brez i përjashtuar nga ekonomia e vendit dhe për pasojë nga pjesët e bukura të jetës që ka Shqipëria. 

Nuk jeton dot në ndërtesat moderne të Tiranës, por në pallatet e vjetra e të rrënuara të komunizmit. Nuk synon dot suksesin në karrierë dhe punë, sepse ai u takon fëmijëve të sistemit politik dhe oligarkisë ekonomike. 

Rritet në lagje që po bëhen geto, ku hija e kullave e lë në errësirë jo vetëm rrugën, por edhe shpresën e këtyre të rinjve, hija e kullave po lë në errësirë jetën e këtij brezi!

Shqipëria ndodhet në një tragjedi: Sa do më shumë mund të ndërtohet vendi, aq më shumë brezi i ri ndien se nuk ka vend në atdhe, se janë të huaj në vendin e tyre!

Kjo protestë nuk është as kundër protestës së Flamingove, por një derivat i saj. 

Janë të rinj dhe qytetarë që ndihen të burgosur brenda një sistemi pa dalje. Kudo që kthehen, ndeshen me të njëjtat hekura të qelisë. Para vetes ka hekurat e korrupsionit të Edi Ramës, të një qeverie 13-vjeçare, të oligarkëve dhe të pushtetarëve të tyre. Pas shpine ka një mur të kalbur nga lagështia: Opozitën.

Kjo shpjegon pse protestuesit sot përzunë me përbuzje Belind Këlliçin, Eno Bozdon dhe deputetë të tjerë të PD-së. E dinë, sepse e kanë provuar në lëkurën e tyre dhe të prindërve të tyre, se është i njëjti sistem dhe e njëjta dorë zhvatëse.

Përpara kanë hekurat e korrupsionit të qeverisjes trembëdhjetëvjeçare të Edi Ramës, të lidhjeve mes pushtetit dhe interesave ekonomike, të tenderave e privilegjeve që për shumë qytetarë mbeten të paarritshme.

Pas shpine kanë një mur të kalbur: Opozitën.

Një opozitë që nuk ka arritur të bindë këtë brez se përfaqëson një të ardhme tjetër. Një opozitë që, në vend që të shndërrohet në alternativë ndaj sistemit, kërkon vetëm të zërë vendin e atyre që e administrojnë atë.

Nuk bëhet fjalë për emra të veçantë, as për skandale si ato të Agasit apo Ballukut. Bëhet fjalë për parti që e urrejnë drejtësinë, sepse nuk duan të japin llogari për vjedhjet e sotme e të nesërme. 

PD-ja, madje, po bën luftën me drejtësinë për vjedhjet e djeshme. Më keq se PS-ja, ajo refuzon të ndryshojë edhe në opozitë: Lideri i saj është në luftë totale me SPAK-un dhe, përsëri, me ambasadorin amerikan dhe me qeverinë amerikane. 

Rotacioni politik nuk ka kuptim nëse opozita është armiku i drejtësisë dhe nëse deputetët e saj shihen si të lidhur me oligarkët, kullat e të cilëve bëjnë hije mbi jetën e këtyre të rinjve.

Ndaj protestusit nuk duan që revolta e tyre, të bëhet dekor i fushatës së radhës së një partie politike.

Përgjegjësia e Edi Ramës dhe e Sali Berishës është të kuptojnë se është arritur një pikë vlimi mes votuesve të tyre dhe pjesës tjetër të shoqërisë, që e bën të pamundur bashkëjetesën në vend. Prandaj duhet të ulen bashkë URGJENTISHT dhe të ndryshojnë Kodin Zgjedhor. Këtu nisa zgjidhja e krizës politike në Shqipëri!

Por revolta, nuk mund të bëhet vetë një burg i ri!

Studentët kanë të drejtë të protestojnë. Kanë të drejtë të refuzojnë partitë që nuk u besojnë. Kanë të drejtë të zemërohen me një sistem që ua ka bërë të ardhmen të pasigurt. Por duhet të kuptojnë edhe një të vërtetë tjetër: Dhuna mund të shprehë zemërimin, por nuk ndërton alternativë qëverisëse.

Nuk mund të rrëzosh një sistem për të vendosur në vend të tij anarkinë. Nuk mund ta zëvendësosh arrogancën e pushtetit me dhunën e turmës. Dhe nuk mund të kërkosh demokraci duke mohuar të drejtën e të tjerëve për të menduar ndryshe.

Zgjidhja duhet të vijë nga zgjedhje të lira, votë e lirë, konkurrencë reale politike dhe institucione që nuk i nënshtrohen as qeverisë, as opozitës. Rama dhe Berisha duhet të kuptojnë se Kodi Zgjedhor, nuk mund të jetë pronë e tyre.

Kur një pjesë e madhe e shoqërisë nuk ndihet më e përfaqësuar nga dy polet tradicionale, zgjidhja është të krijojmë rregulla që i japin mundësi të përfaqësohet politikisht çdo pjesë tl shoqërisë. Jo të krijojnë “burgje” brenda lagjeve të Tiranës.

Shqipërisë i duhet një reformë zgjedhore që hap konkurrencën dhe nuk e mbron artificialisht duopolin Rama-Berisha!

Personalisht do të mbështesja një sistem proporcional kombëtar me lista realisht të hapura, ku vota për partinë përcakton peshën e saj në Parlament dhe qytetari ka mundësi të zgjedhë drejtpërdrejt përfaqësuesin e vet. Një alternativë serioze do të ishte edhe një sistem proporcional i personalizuar, që ndërthur përfaqësimin territorial me proporcionalitetin kombëtar.

Qëllimi nuk duhet të jetë t’i japim avantazh një partie të re, por të garantojmë një rregull demokratik të thjeshtë: nëse një forcë merr 20% të votave, duhet të ketë afërsisht 20% të përfaqësimit parlamentar, me përjashtim të devijimeve të arsyeshme të përcaktuara nga sistemi.

Kështu, një forcë e re nuk do të kishte nevojë të kërkonte leje nga Rama apo Berisha për të hyrë në politikë. Do t’i duhej vetëm të përfaqësojë qytetarët që protestojnë!

Kjo reformë duhet të shoqërohet me filtrat që monitorojnë financimin transparent të partive ku lekët e korrupsionit dhe pushtetit të mos vrasë denonracinë!

Rama dhe Berisha kanë detyrë të japin garanci ligjore që administrata publike dhe pushteti i tyre politik, nuk do të përdoret si makineri partiake.

Rama dhe Berisha duhet ta kuptojnë se nuk mund të kërkojnë pafundësisht besnikërinë e gjysmës së vendit të cilët i kanë punësuar në oborrin e tyre, ndërsa gjysmën tjetër ta trajtojnë si pengesë për t’u shtypur me këmbë!

Kjo është arsyeja pse reforma zgjedhore nuk është një çështje teknike. Është çështje e paqes sociale dhe e së ardhmes së vendit.

Shqipërisë nuk i duhet thjesht një rotacion pushteti, i duhet një rotacion i mënyrës se si ushtrohet pushteti.

Po ndodh...