Flamingot në 137 ditë u kthyen në shqiponja

14 October 2026, 13:56 / IDE NGA TAULANDA JUPI

Flamingot në 137 ditë u kthyen në shqiponja

Ka një kufi përtej të cilit durimi resht së qeni virtyt. Mos luani me durimin e tyre, sepse durimi i vënë në provën e shpërfilljes kthehet në zemërim, revoltë dhe është pikërisht ajo që ndodhi dje në protestën e drejtuar nga studentët.

Për 138 ditë protesta e studentëve dhe e qytetarëve ka qenë e qartë. Një protestë e qëndrueshme dhe qytetare kundër një kryeministri që sot është koka e një piramide korrupsioni, një maxhorance që refuzon të marrë përgjegjësitë, një parlamenti që nuk përfaqëson dhe një opozite hipokrite dhe skuthe që nuk ofron asnjë zgjidhje, por përpëlitet të thithë gjakun dhe energjinë e protestës për të bërë pazaret e radhës.

Të rinjtë nuk kërkojnë asgjë që nuk u takon. Nuk kërkojnë as favore, as privilegje.
Kërkojnë mundësi. Nuk kërkojnë t'u dhurohet e ardhmja. Kërkojnë të mos u mohohet.

Forca e një qeverie, e një kryeministri, nuk matet me aftësinë për të nënshtruar, dhunuar e akuzuar qytetarët, mbi të gjitha të rinjtë protestues, por me përgjegjësinë për t'u shërbyer, për t'i dëgjuar, për të dhënë llogari, për të reflektuar dhe për të ofruar zgjidhje.
Kur një pushtet u përgjigjet kërkesave të qytetarëve me shpërfillje dhe dhunë, ai nuk tregon forcë, por paaftësinë për të kuptuar se autoriteti nuk buron vetëm nga votat, por edhe nga përgjegjësia, drejtësia dhe respekti për dinjitetin njerëzor.

Asnjë votë, asnjë mandat nuk është leje për të poshtëruar qytetarët dhe asnjë pushtet nuk mund të qëndrojë pafundësisht mbi shpërfilljen e zërit të tyre.

Mos harroni! Durimi, kur vihet vazhdimisht në provë, kthehet në zemërim, e zemërimi në revoltë.
E ardhmja ka ardhur!

Pyetja është nëse kjo klasë politike do të zgjedhë ta dëgjojë, të reflektojë apo do të vazhdojë të sillet sikur asgjë nuk ka ndryshuar.
Flamingot, në 137 ditë, u kthyen në shqiponja. Dhe ky është mesazhi që politika duhet të kuptojë se të rinjtë shqiptarë janë rebeluar në emër të së ardhmes. Ata refuzojnë të ikin nga Shqipëria. Ata kanë zgjedhur të qëndrojnë dhe kjo është ajo që i duhet Shqipërisë.

Po ndodh...