Ministra e deputetë në burg, emrat e “çunave problematikë” që e acarojnë Ramën
Partia Socialiste ka vendosur një rekord në këtë vend! Jo, nuk bëhet fjalë për numrin e mandateve në drejtimin e vendit! Është e vetmja forcë politike që mund të krijojë një grup parlamentar pas kangjellave të burgut. Që me ardhjen në pushtet të Edi Ramës si kryeministër, të tijët nuk e kanë lënë për asnjë moment që të shijojë i qetë pushtetin, por i kanë nxjerrë gjithmonë ndonjë kleçkë, aq sa për ta bërë t’i “zjejë koka”.
Deputetët e tij ‘rebelë’ më shumë kanë shkuar në hetuesi sesa për takime në zonat e tyre elektorale duke e detyruar “shefin” e tyre që të përballej me furinë e mediave dhe më akuzat e kundërshtarëve politikë. Këta të fundit edhe më të drejtë nuk ia kanë kursyer aspak… Megjithatë nuk kanë qenë vetëm deputetët ata që mund ta kenë shkelur një apo dy herë ligjin. “Valles” i janë futur edhe kryetarët e Bashkive që nuk i kanë rezistuar shkeljes së ligjit. Disa prej tyre janë vendosur në pranga, disa e kanë kryer dënimin, por ka edhe nga ata që nuk po gjenden se ku janë fshehur, si për shembull Agim Kajmaku.
Le të nisim me listën e emrave që Ramës i shkaktojnë dhimbje koke e asgjë më pak…
Saimir Tahiri nga ministër në burgun e Fierit
Ministri kampion është rasti më i bujshëm! Ka shënuar historinë, ndërkohë që ende kërkon drejtësi duke premtuar se çështjen do e dërgojnë edhe në Gjykatën e Strasburgut. Ish-ministri i Punëve të Brendshme është dënuar në shkurt të këtij viti me 3 vite dhe 4 muaj burg për shpërdorim detyre. Gjyqtari tha se Tahiri ka përfituar favore nga grupi i Habilaj, dhurata, udhëtime me jahte, siç ka këmbëngulur SPAK, e cila kishte kërkuar 12 vite burg për trafik droge dhe grup kriminal, por sipas gjykatës vetëm akuza e shpërdorimit të kanabisit qëndron.
Tashmë ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako pritet të arrestohet nga momenti në moment nga SPAK. Sipas SPAK, shkelja e Bllakos në dosjen e shumëpërfolur të inceneratorëve qëndron në shpronësimin e tokës për inceneratorin e Fierit. Në dokument shkruhet se ish-ministri Lefter Koka, Bllako dhe Abeshi përgatitën dokumente false për shpronësimin e tokës për inceneratorin e Fierit duke i shkaktuar dëm shtetit mbi 16 mln lekë për ta kthyer nga tokë arë në truall. Nga hetimet sipas SPAK ka rezultuar të dhëna se në procedurën e dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës janë shkelur ligji për koncesionet dhe prokurorimin publik.
Meqë jemi tek inceneratorët, në burg për këtë çështje është edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka. Ai u arrestua në dhjetor të vitit të shkuar për llogari të hetimit të SPAK me akuzën se ka përfituar 3.7 milionë euro në mënyrë të paligjshme nga kompanitë koncesionare të inceneratorit të Elbasanit, para që kompanitë i kanë marrë në buxhetin e shtetit.
Në vitin 2015, Tom Doshi dhe miku i tij Mark Frroku (të dy asokohe deputetë të Partisë Socialiste) u prangosën me urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme, pasi akuzoheshin për dëshmi të rreme. Tom Doshi, më 2 mars 2015, deklaroi publikisht se kishte marrë informacion nga Mark Frroku për një tentativë për vrasje ndaj tij dhe një deputeti të Partisë Demokratike, Mhill Fufi. Sipas Doshit, porositësi i atentatit është asokohe kryetari i Kuvendit Ilir Meta. Ky i fundit pretendohet se kishte kontaktuar “të fortin” e Fushë Krujës, Durim Bami për të “mbaruar” punë. Meta mohoi akuzat. E po ashtu edhe Frroku nuk pranoi të kishte qenë personi që informoi Doshin për ngjarjen. Po ashtu, Doshi është një ndër pak personat në radhët e PS-së që u vulos si “non grata” edhe nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Frroku u prangos në vitin 2015 për t’u liruar 3 vite më vonë. Ndaj tij u lëshua urdhër-arresti nga autoritetet belge, të cilat e akuzonin atë për vrasjen e një emigranti shqiptar në vitit 1999. Ai u shpall i pafajshëm për akuzën e vrasjes, por u dënua për akuzat e tjera që prokuroria ngriti ndaj tij pasi e mori në hetim, si: “refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjehdur dhe nëpuënsve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “ndërtimi i paligjshëm”. Ish-deputeti Mark Frroku u dënua me 6 vjet burg por u lirua pa vuajtur edhe 1 vit, 5 muaj dhe 5 ditë, me arsyetimin se tashmë ishte riedukuar apo “rehabilituar plotësisht”.
Ish-deputeti i Partisë Socialiste Arben Ndoka, i cili u arrestua si pjesë e një grupi kriminal pas hetimeve për dosjen 339 në vitin 2018 në kuadër të operacionit “Volvo 4”. Pas arrestimit, Ndokës iu sekuestrua dhe pasuria me vlerë 40 milionë euro, që ishin toka dhe apartamente në bregdetin e Lezhës. Por Gjykata e Lezhës vendosi pushimin e çështjes ndaj ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka. Në përfundimin e saj, gjykata thotë se “nuk provohet vepra penale”.
Në shtator të 2015, Armando Prenga u arrestua nga policia për shkak të një konflikti me armë me fisin Çali. Ai u akuzua nga prokuroria se ka plagosur njërin prej pjesëtarëve të këtij fisi. Me vendim të Gjykatës së Lartë, u lirua. Me miratimin e ligjit të dekriminalizimit, Armando Prenga ishte një ndër emrat më të akuzuar të Partisë Demokratike. Prokuroria nisi hetimin ndaj tij dhe në bazë të njoftimeve të ardhura nga vende të ndryshme të Europës, rezultoi se kishte përdorur dhjetë emra të ndryshëm. Gjithashtu u zbulua se në formularin e vetëdeklarimit, nuk kishte deklaruar një vendim të Gjykatës së Kurbinit për falsifikim dokumentash. Për këtë shkelje, Prokuroria prej kohësh kërkonte heqjen e mandatit. Çështja e tij u kthye në një lojë ping pongu mes Prokurorisë e KQZ-së. Kjo e fundit nuk pranon t’i heqë mandatin me argumentin se nuk janë të mjaftueshme materialet e ardhura nga organi i akuzës. Përplasja institucionale u zgjidh shpejt pasi deputeti Prenga u dorëzua, duke lënë mandatin në qarkun e Lezhës për të mos u dukur më edhe sot në skenën politike.
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka konfirmuar se ish-kryetari i PS për Tiranën dhe ish-drejtori i Postës Shqiptare, Ervin Bushati është nën hetim për mosdeklarim të pasurisë dhe falsifikim të dokumenteve. Bëhet fjalë për mosdeklarimin e 7 pasurive të paluajtshme në emër të Ervin Bushatit, përfshirë më shumë se 3100 metra2 truall në Tiranë, Qerret dhe Sarandë.
Për herë të parë dhe të fundit, PS fitoi Shkodrën në vitin 2019 me Valdin Pjetrin. Por problemet me drejtësinë italiane e penalizuan të përzgjedhurin e socialistëve, pasi u zbulua se kishte gënjyer në formularin e dekriminalizimit duke mos e treguar një dënim të marrë në vitin 2003 në Itali për trafik droge. Çështja shkoi në Gjykatë, Pjetri la mandatin si kryebashkiak dhe pas disa disa muajsh hetime Prokuroria vendosi të dërgojë për pushim çështjen në Gjykatë, me argumentin se vendimi i gjykatës italiane e ndalonte Valdrin Pjetrin ta deklaronte dënimin e marrë kur ishte vetëm 20 vjeç.
Ish-kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe u arrestua vitin që lamë pas e urdhër të SPAK, pasi akuzohet për “shkelje të barazisë në tendera” dhe “shpërdorim detyre”. Sipas hetimeve të SPAK, rezulton se Tushe ka kryer favore në dhënien e tenderit prej 23 milionë lekësh, megjithatë nuk ka ende një vendim të formës së prerë.
Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku akuzohej për falsifikim formularësh vula e stampa, ushtrim kompetencash përtej afatit dhe falsifikim dokumentesh kryer në bashkëpunim. Kajmaku duhet të përballej me drejtësinë pasi humbi mandatin për efekt dekriminalizimi pas denoncimit nga Partia Demokratike se ai kishte fshehur një dënim të një dekade më parë në Greqi. Megjithatë me të gjitha këto akuza do u rrëzuan.
Të gjithë këta të besuar duket se i kanë “shpëtuar” filtrit të Ramës, por jo të kundërshtarëve dhe organeve hetimore. Megjithatë duket se i pari i qeverisë e ka gjetur një fjalë për të shpëtuar nga çdo situatë me të cilën mund të përballet: Përgjegjësia është individuale! Vetë gjithmonë del i pastër, por seç e ndjek një “fat i keq”…/dosja.al
Po ndodh...
83 mandatet nuk janë imunitet për shokët dhe shoqet e Ramës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
