Si u vra gjyqtarja Fildeze Hafizi nga ish- bashkëshorti i saj, sistemi i drejtësisë ‘tradhtoi’ nënën e dy fëmijëve

7 Dhjetor 2022, 20:41 / TRENDING ALFA PRESS

 Si u vra gjyqtarja Fildeze Hafizi nga ish- bashkëshorti i saj, sistemi i

Krimi ndaj gruas duket se nuk njeh ndalesë, as kur këto të fundit kanë fituar një pushtet të tyrin profesional. Fildeze Hafizi ishte një magjistrate e re.

E respektuar në punën që bënte. Nënë e dy fëmijëve të mitur, ajo ishte gjyqtare në shkallën e parë në Shkodër. Ajo u qëllua, për vdekje me dy plumba, mesditën e 31 gushtit 2017 në zonën e Xhamllikut në Tiranë.

Ngjarja ndodhi vetëm pak momente, pasi ishte ngjitur në makinën e saj ‘Mercedes Benz’, të cilën e kishte parkuar fillimisht poshtë pallatit, ku ajo banonte së bashku me djalin dhe vajzën e saj të mitur. Edhe në këtë rast, ashtu si në shumë krime ndaj gruas, njeriu që i mori jetën, u bë ish-bashkëshorti i saj, me të cilin kishte dy fëmijë.

Fadil Kasemi, i cili e kishte pritur për orë të tëra ish-bashkëshorten e tij, poshtë banesës së saj. Për të zgjedhur ta qëllonte pabesisht, në çastin kur ajo ishte në timon. Një krim ky, jo vetëm i paralajmëruar, por edhe përsëritës. Pasi Fadil Kasemi, kishte vetëm 8 muaj që kishte dalë nga burgu, ku ishte dënuar me 4 vite e 6 muaj heqje lirie, pasi në vitin 2015 kishte tentuar të kryente vrasjen e parë të ish-bashkëshortes.

Por që ndërkohë u dënua vetëm për armëmbajtje pa leje dhe dhunë në familje. Shqetësim të cilin gjyqtarja tashmë e ndjerë,  Fildeze Hafizi, ia shprehu në një letër edhe ambasadorit amerikan të akredituar atë kohë në Shqipëri.

Ku i shkruante se shteti e kishte braktisur dhe jeta e saj tanimë ishte në rrezik. Por ajo që e bën edhe më të dhimbshëm krimin ndaj gjyqtares Fildeze Hafizi, është fakti se ajo u tradhtua pikërisht nga sistemi i drejtësisë ku bënte pjesë dhe besonte.

Kjo, pasi në verën e vitit 2015, prokuroria e Tiranës, shpërfilli një kallëzim të sajin, ku denonconte ish-bashkëshortin për kërcënim me armë në plazhin e Golemit. Ku vetëm ndërhyrja e djalit të saj dhe pushuesve, bëri që të parandalohej një vrasje e mundshme.

Denoncim kundër ish-bashkëshortit, që në mënyrë arbitrare organi akuzës e shpërfilli. Pasi sipas Prokurorisë, në vendimin që mban datën 13 prill 2015, Fadil Kasemi, me të vërtetë kishte një armë të tipit pistoletë që e kishte nxjerrë nga xhepi, por nuk kishte kryer me të veprime të mëtejshme. Ndaj për këtë arsye, sipas organit të akuzës, ishte vendosur mosfillimi i procedimit penal.

Por ndërsa Prokuroria kreu një lajthitje të tillë, Fadil Kasemi, i cili u dënua me 4 vite e 6 muaj burgim, për akuzën e ‘armëmbajtjes pa leje’ dhe ‘dhunës në familje’, por jo për ‘tentativë vrasje’, duket se nga qelia ku ndodhej, kishte nisur të bluante hakmarrjen ndaj ish-bashkëshortes së tij, që e realizoi më 31 gusht 2017.

Ai kishte vetëm pak muaj që kishte dalë nga burgu dhe kishte përfituar nga amnistia, duke kryer diçka më pak se 2 vite heqje lirie.

“Individët që ushtrojnë dhunë, komunikojnë diçka nëpërmjet dhunës, vetëm se komunikimi është disfunksional në raport me çfarë do duhet bëhet. Komunikohet pushtet, komunikohet ndalesë, komunikohet ndëshkim, pra ti komunikon me partnerin apo me partneren në atë mënyrë që të mund të ulësh sa më shumë të jetë e mundur sjelljet e personit që ke pëballë. Sjellje të cilat nuk të përshtaten me mendimet forcuese, strikte që ti ke krijuar në raport me kontrollin”, shprehet Denata Toçe, psikologe.

“Ngjarja me avokaten, me Fildezin ishte barbare, por unë mendoj se janë disa dhe ju i keni evientuar vazhdimisht në televizionin tuaj. Një pjesë prej këtyre vrasjeve kanë ndodhur për fat të keq edhe për motive xhelozie. Sigurisht xhelozia është një ndjenjë njerëzore, unë nuk them nuk ka, ka xhelozi normale, dhe xhelozia normale është shprehje interesi, kujdesit dhe dashurisë, po nëqoftëse kjo xhelozi bëhet delirante, bëhet psikopatike, e vazhdueshme, e pandërprerë, natyrisht ajo gjeneron dhunë dhe në fund të fundit gjeneron dhe krimi dhe të jemi të sigurt që ndër gratë që kanë humbur jetën 60-70% në mos më shumë se kaq vetëm për motive xhelozie”, thotë Gëzim Tushi, sociolog./ "Në shënjestër"

 

ide