Vizitoi Shqipërinë një muaj më parë, Trump largon Paolo Zampollin nga detyra, përplasjet dhe sulmet personale me zyrtarin DASH
Biznesmeni italian Paolo Zampolli, një prej personave me lidhje të afërta me presidentin amerikan Donald Trump dhe familjen e tij, nuk është më pjesë e administratës amerikane. Zampolli është larguar nga detyra e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për partneritetet globale, ndërsa vendimi vjen pas raportimeve për një përplasje disa mujore me zëvendëssekretarin e Shtetit, Christopher Landau, lidhur me ndarjen e kompetencave dhe respektimin e hierarkisë institucionale. Largimi i tij u konfirmua të enjten nga zyrtarë amerikanë, vetëm disa orë pasi Politico publikoi detaje mbi mosmarrëveshjet mes dy zyrtarëve, të cilat, sipas raportimit, kishin përfshirë edhe sulme personale në komunikimet me email.
Zampolli reagoi pas largimit, duke deklaruar se mandati i tij ishte parashikuar të zgjaste një vit, por se Trump ia kishte zgjatur me gjashtë muaj të tjerë. Ai e cilësoi shërbimin ndaj presidentit amerikan dhe Shteteve të Bashkuara si nderin më të madh të jetës së tij, ndërsa bëri të ditur se tashmë do t’i rikthehet biznesit dhe marrëveshjeve tregtare.
Largimi i tij vjen pak ditë pas dorëheqjes së Kimberly Guilfoyle nga posti i ambasadores së SHBA-së në Greqi, një tjetër figurë me lidhje personale me presidentin amerikan.
Zampolli: Shërbimi ndaj Trump dhe SHBA-së ishte nderi më i madh i jetës sime
Në një deklaratë të publikuar të enjten, Zampolli tha se presidenti Trump e kishte orientuar më herët drejt biznesit të pasurive të paluajtshme, duke e larguar nga fusha e modelingut.
“Vite më parë, më tha se isha shumë i mirë për modelingun dhe më përfshiu në biznesin e pasurive të paluajtshme. Tani më tha: ‘Pse dëshiron të punosh në qeveri, kur mund të realizosh gjithë këto marrëveshje?’”, u shpreh ai. “Presidenti ka gjithmonë të drejtë”, shtoi Zampolli, duke falënderuar Trumpin, zëvendëspresidentin JD Vance, sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe pjesën tjetër të administratës. “Presidenti Trump ma ndryshoi jetën një herë. Sapo e bëri sërish”, deklaroi ai, duke paralajmëruar rikthimin në aktivitetin e tij privat.
Kush është Paolo Zampolli?
Donald Trump e emëroi Zampollin të dërguar të posaçëm për partneritetet globale në mars të vitit 2025. Në atë kohë, presidenti amerikan vlerësoi përvojën e tij në bashkëpunimin me Kombet e Bashkuara, Qendrën Kennedy dhe nisma të ndryshme ndërkombëtare, duke e konsideruar të dobishme për avancimin e interesave amerikane.
Biznesmeni italian ka pasur prej vitesh lidhje me familjen Trump. Ai ka treguar se në vitin 1998 organizoi një mbrëmje gjatë së cilës prezantoi Melania Knauss, tashmë Melania Trump, me Donald Trumpin, i cili më vonë u bë bashkëshorti i saj.
Gjatë mandatit të parë të Trumpit, Zampolli ishte pjesë e bordit të Qendrës Kennedy. Ai ka shërbyer gjithashtu si ambasador i Dominikës pranë Kombeve të Bashkuara.
Vizita në Shqipëri dhe mbështetja për shtetin bektashi
Një muaj më parë, Zampolli vizitoi Shqipërinë, ku zhvilloi takime të nivelit të lartë. Gjatë qëndrimit të tij, ai vizitoi edhe selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, ku, në krah të Baba Mondit, shprehu mbështetjen amerikane për formimin e shtetit bektashi.
Gjatë ushtrimit të detyrës si i dërguar i posaçëm, Zampolli ka promovuar gjithashtu marrëveshje biznesi, për të cilat ka pretenduar se i kishte siguruar administratës amerikane.
Polemika për Botërorin e futbollit
Zampolli u përfshi në një tjetër polemikë në fillim të këtij viti, kur propozoi që Italia të zinte vendin e Iranit në Kupën e Botës. Në një intervistë për CNN, ai argumentoi se besonte që Irani nuk do të merrte pjesë në turne për shkak të luftës me Shtetet e Bashkuara.
Propozimi tërhoqi vëmendje edhe për faktin se Italia, vendi i lindjes së Zampollit, nuk ishte kualifikuar për kompeticionin.
“Një Kupë Bote pa Messin nuk është Kupë Bote”, deklaroi ai, duke shtuar se Italia kishte merita të mjaftueshme, pasi e kishte fituar turneun katër herë.
Po ndodh...
ide
Rinia e burgosur mes PS dhe PD, po shpërthen!
Flamingot në 137 ditë u kthyen në shqiponja
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
