Vrasja e studentes shqiptare Ilaria Suli, Gjykata e Krimeve të Rënda dënon me burg përjetë autorin

27 October 2026, 18:40 / AKTUALITET ALFA PRESS
Vrasja e studentes shqiptare Ilaria Suli, Gjykata e Krimeve të Rënda

Gjykata e Krimeve të Rënda në Romë ka dënuar me burgim të përjetshëm Mark Antony Samson, të riun që në mars të vitit 2025 vrau me thikë ish-të dashurën e tij, studenten 24-vjeçare shqiptare Ilaria Sulën, dhe më pas trupin e saj, të mbyllur në një thes e hodhi nga një greminë.

I pandehuri, i cili e ka pranuar autorësinë e krimit, akuzohet për vrasje me rrethana rënduese, përfshirë paramendimin, si dhe për fshehjen e kufomës.

Sipas rezultateve paraprake të autopsisë, të zbuluara nga autoritetet italiane, Ilaria fillimisht është goditur me forcë në kokë ose në pjesën e sipërme të trupit, në një mënyrë që ka shkaktuar humbjen e vetëdijes. Mjekët ligjorë deklaruan se ajo mund të jetë qëlluar dhe hedhur në tokë nga agresori përpara se ai të vazhdonte me aktin fatal – therjen me thikë, që i mori jetën.

Ngjarja ndodhi në lagjen “Afrikane” të Romës, një zonë e banuar nga studentë dhe të rinj emigrantë. Në ditën fatale, Mark Samson e kishte ndjekur Ilarian deri te banesa e saj.

Sipas hetimeve, ai ishte futur me forcë në ambientet ku ajo qëndronte. Pas një përleshjeje të shkurtër, në të cilën Ilaria kishte tentuar të mbrohej, ajo u godit brutalisht, çka e bëri të pafuqishme për t’u mbrojtur më tej. Pas kësaj, autori e ka qëlluar disa herë me thikë, në mënyrë fatale. Policia arrestoi Samsonin  menjëherë pas krimit.

Po ndodh...