​Vuçiç kërcënon Kosovën me ndryshimin e rrjedhës së Ibrit: Do të shohim si do të sillen shqiptarët

9 August 2026, 15:10 / KOSOVA ALFA PRESS
​Vuçiç kërcënon Kosovën me ndryshimin e

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me lumin Ibër, duke thënë se Beogradi po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së tij.

Gjatë një prononcimi për mediat serbe, Vuçiç tha se Serbia po mbledh ekspertë nga sektori i ndërtimit, inxhinierë dhe specialistë të tjerë për të analizuar mundësitë teknike për ndryshimin e rrjedhës së lumit.

“Kur ata tashmë po i ngacmojnë kaq shumë njerëzit tanë, le të shohim. Kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së ujit të Ibrit, kështu që do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, deklaroi presidenti serb. Vuçiç e lidhi këtë çështje me situatën e serbëve në Kosovë, duke theksuar se Serbia është një shtet sovran dhe se do të veprojë në përputhje me interesat e saj.

Deklarata vjen në një kohë kur lumi Ibër dhe Liqeni i Ujmanit/Gazivodës mbeten ndër çështjet më të ndjeshme në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, për shkak të rëndësisë së tyre strategjike për furnizimin me ujë dhe energji.

Në vitin 2025, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë kishte marrë vendim për mbrojtje paraprake të zonës “Mali Mokna dhe Liqeni i Ujmanit”, duke e konsideruar atë një hap të rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë natyrore të Kosovës.

Në të njëjtën dalje, Vuçiç foli edhe për mundësinë e një përshkallëzimi ushtarak me NATO-n, duke thënë se Serbia nuk e konsideron luftën si zgjidhje.

“A është një mundësi për ne në këtë moment të shkojmë në luftë me NATO-n? Nuk mendoj kështu. Po bëjmë gjithçka që mundemi për ta bërë jetën, e cila është tmerrësisht e vështirë për popullin tonë, më të lehtë”, tha ai.

Presidenti serb u ndal edhe te politika e jashtme e Beogradit dhe akuzat se Serbia po përpiqet të qëndrojë njëkohësisht pranë Perëndimit dhe Rusisë.

“Ne nuk ulemi në disa karrige, kemi vetëm tonën – karrigen serbe”, deklaroi Vuçiç, duke shtuar se nuk dëshiron që Serbia të jetë “shërbëtore e askujt”.

Ai tha se është kritikuar për këtë politikë në Gjermani, SHBA, Angli, si dhe në Rusi e Ukrainë, por sipas tij, kjo vetëm konfirmon qasjen që ka ndjekur.

Vuçiç deklaroi gjithashtu se kishte diskutuar për Kosovën me Matthias Döpfner, një prej figurave më të fuqishme të grupit gjerman Axel Springer, duke iu referuar edhe zhvillimeve të vitit 1999 dhe asaj që ai e cilësoi si “kutia e Pandorës” e hapur atëherë.

Deklaratat e presidentit serb për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit pritet të tërheqin vëmendje të veçantë në Kosovë, duke pasur parasysh rëndësinë strategjike të lumit dhe Liqenit të Ujmanit.

Po ndodh...