Zgjedhja e presidentit në Kosovë/ Bekim Sejdiu i përgjigjet Kurtit: Jam tërhequr nga gara, e kam mbyllur kandidaturën

6 October 2026, 17:50 / KOSOVA ALFA PRESS
Zgjedhja e presidentit në Kosovë/ Bekim Sejdiu i përgjigjet

Bekim Sejdiu ka reaguar publikisht pasi kryeministri Albin Kurti e përmendi sërish emrin e tij si kandidat për postin e Presidentit të Kosovës, duke konfirmuar se qëndrimi i tij mbetet i pabraskueshëm.

Sejdiu bëri të ditur se është tërhequr përfundimisht nga gara presidenciale dhe se për këtë vendim ka vënë sërish në dijeni si Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ashtu edhe vetë kryeministrin Kurti.

“I kam njoftuar sërish LDK-në dhe Kurtin se jam tërhequr nga gara”, deklaroi Sejdiu në një përgjigje për mediat (Infokus), duke mos lënë hapësirë për paqartësi.

Reagimi i Sejdiut erdhi menjëherë pas një konference për media ku kryeministri Albin Kurti e riktheu emrin e tij në tavolinën e diskutimeve politike. Kurti iu bëri thirrje deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që ta votojnë Sejdiun për president, duke e lidhur kandidaturën e tij me marrëveshjen politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, edhe pse vetë Sejdiu e ka bërë të qartë prej kohësh se nuk dëshiron të jetë pjesë e këtij procesi.

 

Pavarësisht insistimit të kryeministrit, Sejdiu përsëriti se e ka mbyllur kapitullin e kandidaturës së tij dhe ua ka rikonfirmuar këtë pozicion të gjitha palëve të përfshira.

Ndërkohë, çështja e zgjedhjes së kreut të shtetit mbetet në qendër të etheve politike në Prishtinë, ku subjektet parlamentare vazhdojnë të përballen me nevojën për të gjetur një konsensus apo zgjidhje për tejkalimin e ngërçit.

 

Po ndodh...