12 dalin, 11 hyjnë/ Gjykata liron protestuesit e së hënës, policia mbush qelitë sërish, shoqëron të tjerë në protestën e sotme

17 September 2026, 14:08 / POLITIKË ALFA PRESS
12 dalin, 11 hyjnë/ Gjykata liron protestuesit e së hënës,

Një përplasje mes vendimit të gjykatës dhe zhvillimeve në terren është regjistruar sot në Tiranë. Ndërsa 12 protestuesit e arrestuar pas tubimit të së hënës janë liruar nga Gjykata e Tiranës, gjatë protestës së sotme policia ka shoqëruar sërish disa prej pjesëmarrësve.

Gjykata e Tiranës vendosi sot se arrestimi i 12 protestuesve të ndaluar më 14 shtator ishte i paligjshëm dhe nuk caktoi asnjë masë sigurie ndaj tyre. Ata ishin arrestuar pas protestës pranë zonës së “Zogut të Zi”, ku sipas policisë ishte tentuar bllokimi i qarkullimit.

Vendimi erdhi në një kohë kur në Tiranë vijonte protesta e radhës, e shtrirë në disa pika të kryeqytetit. Një grup protestuesish u mblodhën pranë Gjykatës së Tiranës në mbështetje të 12 të arrestuarve, ndërsa një tjetër grup vijoi tubimin pranë Kuvendit, ku policia kishte vendosur barriera dhe një perimetër të zgjeruar sigurie.

Por ndërsa 12 të arrestuarit e së hënës dilnin të lirë, protesta e sotme prodhoi shoqërime të reja.

Situata u tensionua fillimisht pranë institucioneve në qendër të Tiranës. Protestuesit u zhvendosën drejt Ministrisë së Brendshme, ku pati përplasje me efektivët e policisë. Sipas raportimeve, disa protestues u shoqëruan, mes tyre edhe Dritan Goxhaj.

Tensionet vijuan edhe gjatë marshimit. Protestuesit u zhvendosën në zona të tjera të kryeqytetit dhe, pranë Piramidës, bllokuan rrugën duke përmbysur kosha mbeturinash. Policia ndërhyri dhe shoqëroi disa prej personave që kishin bllokuar qarkullimin.

Sipas raportimeve nga terreni, deri tani janë shoqëruar 11 persona gjatë protestës së sotme. Kështu, në të njëjtën ditë kur Gjykata e Tiranës vendosi lirimin e 12 protestuesve të arrestuar më 14 shtator, protesta e re është shoqëruar me një tjetër valë ndalimesh nga policia.

Çfarë ndodhi të hënën?

Ngjarjet që çuan në arrestimin e 12 protestuesve nisën mëngjesin e 14 shtatorit. Sipas policisë, një grup personash u mblodhën rreth orës 07:30 në sheshin “Skënderbej” dhe marshuan drejt Rrugës së Durrësit, duke u ndalur pranë gjimnazit “Qemal Stafa”.

Policia deklaroi se protestuesit nuk kishin lejen përkatëse për tubimin dhe se gjatë marshimit u cenua perimetri i sigurisë së shkollës. Sipas versionit zyrtar, disa prej tyre nuk iu bindën urdhrave të efektivëve për t'u larguar dhe për të liruar trotuarin, ndërsa disa protestues dyshohet se kundërshtuan me forcë punonjësit e policisë.

Për pasojë, policia arrestoi në flagrancë 12 persona, ndërsa 15 të tjerë u proceduan në gjendje të lirë. Për të arrestuarit u referuan në Prokurori dyshime për vepra penale që lidhen me organizimin dhe pjesëmarrjen në tubime të paligjshme, kundërshtimin dhe mosbindjen ndaj punonjësve të policisë, prishjen e qetësisë publike dhe shtytjen e të miturve në krim.

Por sot, pas shqyrtimit gjyqësor, trupa gjykuese vendosi që arrestimi i 12 protestuesve ishte i paligjshëm dhe nuk vendosi asnjë masë sigurie ndaj tyre. Ndërkohë, protesta vijon në Tiranë, me praninë e forcave të policisë në disa prej akseve kryesore dhe me tensione të regjistruara në zona të ndryshme të kryeqytetit.

12 protestues dolën sot nga qelitë me vendim gjykate, ndërsa 11 të tjerë janë shoqëruar gjatë protestës së re.

Po ndodh...

ide