15 administrata më pak, si do të financohen bashkitë pas bashkimit
Ulja e numrit të bashkive nga 61 në 46 nuk do të shoqërohet automatikisht me ulje të transfertave që pushteti vendor merr nga buxheti i shtetit. Projektligji parashikon një garanci mosreduktimi gjatë periudhës së tranzicionit, sipas së cilës bashkia e re nuk mund të marrë më pak se shuma e transfertave që merrnin veçmas njësitë përpara bashkimit.
Për secilin prej 13 konsolidimeve, buxheti i vitit të parë do të ndërtohet duke bashkuar buxhetet ekzistuese. Transferta e pakushtëzuar do të rillogaritet sipas treguesve të territorit të ri, por gjatë tranzicionit vendoset një dysheme: financimi nuk mund të jetë më i ulët se totali që merrnin më parë bashkitë përbërëse.
Për shembull, e njëjta garanci përsëritet në dosjen e Klosit dhe Matit, të Rrogozhinës dhe Kavajës, të Patosit dhe Fierit, si dhe në bashkimin e Beratit me Dimalin dhe Poliçanin. Për bashkimin me tri njësi në Berat, dokumenti përcakton që transferta gjatë tranzicionit të mos jetë më e ulët se shuma e financimit që merrnin të tria bashkitë përpara konsolidimit.
Mënyra se si është konceptuar efekti financiar i reformës tregon se kursimi nuk parashikohet të vijë nga një reduktim i menjëhershëm i fondeve që qeveria qendrore u transferon territoreve, por kryesisht nga bashkimi i strukturave administrative dhe reduktimi i kostove fikse.
Relacioni argumenton se eliminimi i 15 aparateve administrative paralele në territore me masë të vogël demografike duhet të çlirojë burime për shërbime dhe investime, pasi në këto njësi kostoja fikse arrin deri në dyfishin e mesatares për banor.
Megjithatë, edhe kursimi nga personeli nuk pritet të jetë i menjëhershëm. Gjatë periudhës së tranzicionit garantohet vazhdimësia e pagave dhe e marrëdhënieve të punës, ndërsa ristrukturimi do të favorizojë rialokimin e punonjësve drejt sporteleve, shërbimeve territoriale dhe strukturave të qyteteve përbërëse, në vend të largimeve nga puna.
As investimet e nisura nuk ndërpriten. Kontratat ekzistuese vazhdojnë, ndërsa bashkia e re trashëgon të gjitha asetet, detyrimet dhe marrëdhëniet juridike të njësive që bashkohen. Inventarizimi i tyre duhet të bëhet brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Relacioni nënkupton se faza e parë e reformës është ndërtuar më shumë si konsolidim financiar dhe administrativ sesa si shkurtim i menjëhershëm i shpenzimeve. Numri i bashkive dhe aparateve ulet, por financimi i territoreve, pagat dhe kontratat ekzistuese do të mbrohen gjatë tranzicionit.
Pikërisht për këtë arsye, efekti real i kursimit do të varet nga ajo që ndodh pas konsolidimit: sa struktura të dyfishta do të eliminohen, sa staf do të rialokohet dhe sa prej kostove administrative do të mund të zhvendosen drejt investimeve e shërbimeve. Relacioni e paraqet kursimin administrativ si një nga përfitimet kryesore të reformës, megjithatë nuk jep një shifër të përgjithshme në lekë për kursimin vjetor që pritet nga kalimi në 46 bashki./ekofin.al
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128