A do flasë Shullazi për vrasjen e Gilmando Danit? Gazetari: Ja kush është strategjia e tij

12 Janar 2026, 17:44 / AKTUALITET ALFA PRESS

A do flasë Shullazi për vrasjen e Gilmando Danit? Gazetari: Ja kush

Gazetari Artan Hoxha, ka deklaruar ditën e sotme se Emiljano Shullazi, i cili do të merret në pyetje mbi atentatin e Rinasit ku u vra Gilmando Dani dhe Mustafa Shaljani (Sheqeri), e di se kush janë organizatorët por nuk do të bashkëpunojë me shtetin.

Sipas Hoxhës, Shullazi nuk do të japë informacione që mund të ndihmojnë realisht hetimin, pasi balanca ka lëvizur në krahun tjetër dhe mundësitë për të reaguar janë minimale.

Sipas Hoxhës, strategjia e Shullazit është ‘bëje mirë, bëje vetë’.

“Sigurisht që është një veprim që shkakton zhurmë nga ana e hetuesve për shkak të asaj çfarë përfaqëson Shullazi. Sigurisht që është njeriu që mbase e ka vuajtur më shumë vrasjen e Danit, ka humbur njeriun e vet më të afërt. Sigurisht, me aq sa kam mësuar, menjëherë pas ngjarjes dhe për disa javë ai ka qenë i veçuar atje brenda për shkak të humbjes që pësoi, fakti që deri tani nuk është bërë e mundur të shkohet te ekzekutorët dhe urdhëruesit.

U gënjye opinioni me spin-doktorë që gjoja e gjetëm, i shkuan fshatarit që i gjetën disa armë dhe thanë se ka dalë makina aty dhe e mbyllën historinë, por në fakt është krejt e kundërta. Kjo nuk është nga ato ngjarje që zbulohen kollaj. Duhet autorët të bëjnë ndonjë gabim ose dikush nga ata të bëhet bashkëpunëtor, pasi ne kemi parë vetëm pjesën vizive, por nuk dimë çfarë ka ndodhur mbrapa.

Grupi i hetimit e ka parë të arsyeshme dhe të nevojshme ta pyesë Shullazin për këtë ngjarje, edhe pse ai ka një kohë të gjatë që qëndron në burg, madje dy vite ka qenë në regjimin 41-bis. Ai ka 10 vjet që është i arrestuar. Imagjino sa ka ndryshuar situata kriminale në Shqipëri në këto dhjetë vite, ku situata është përmbysur në disfavor të tij.

Shpresa për balancimin e forcave në terren mund të ishte Gilmando Dani, por mesa duket lëvizjet e tij të shpeshta, qëndrimi i tij në Dubai dhe më pas në vende të Europës, vunë në alarm kundërshtarët dhe ata vendosën të eliminojnë një rrezik permanent që mund t’u shkaktonte probleme të mëdha. I dolën të keqes para, ia morën kohën dhe vepruan para se të vepronte Gilmando Dani.

Sot ndodhemi përpara faktit që Shullazi ka 10 vjet në burg, informacion nuk ka mundur të marrë nga burgu, apo po tentojnë hetuesit që nëpërmjet tij të bëjnë atë që nuk e kanë bërë dot këto dhjetë vitet e fundit. Por Shullazi nuk është nga ata që bashkëpunojnë lehtë me shtetin. Patjetër që ai di diçka, por nuk është në stilin e tij, pasi është me moton e vjetër të botës së krimit: bëje mirë, bëje vetë.

Do të ishte e rëndësishme nëse ai jep qoftë edhe drejtimin nga ka ardhur goditja ose kush janë të interesuarit për të realizuar një atentat si ai i Rinasit. Gjithsesi, kjo në pamje të parë është procedurë, duke menduar se ai ka dijeni për rrethanat e ngjarjes, për konfliktin dhe kush fshihet pas saj. Jo se nuk e ka marrë vesh kush janë organizatorët, por për fat të keq për të, në këtë situatë balanca ka lëvizur në krahun tjetër dhe mundësitë për të reaguar janë minimale.

Jemi në një botë që evoluon. Dikur ai ishte mbreti i Tiranës apo i Shqipërisë, sot është dikush tjetër. Ata që janë sot mund të zëvendësohen nesër, qoftë nga ndërhyrjet e autoriteteve apo nga ndonjë përplasje e mundshme. Nuk është në stilin e Shullazit të japë informacione. Ai është goditur rëndë nga drejtësia. Grupi Shullazi pati dekadën e lulëzimit, më pas ‘top-lista’ u ndërrua dhe jemi në këtë situatë.

Nuk besoj se në gjendjen që është ai do të dëshmojë, pasi e di shumë mirë se sa i vogël është hapi i këtyre që po hetojnë çështjen. Ai po sheh që kundërshtarët e tij nuk po goditen prej një kohe të gjatë, ka goditje minimale ndaj tyre sa për imazh. Duke e ditur këtë, ai e di shumë mirë se çdo gjë që do të thotë do t’u shkojë në vesh kundërshtarëve dhe kjo nuk i pëlqen.

Ai ka luajtur me një lloj stature dhe rregulli, duke mos hyrë në intriga për të bërë goditje në bashkëpunim me shtetin. Ai nuk e ka përdorur shtetin për të goditur kundërshtarët, vetëm në funksion të vetes, ndërsa kundërshtarët ia bënë atij. Ndoshta mund të ketë qenë një vetëbesim se epoka e tij do të zgjaste, por nëse e shohim, lidhjet dhe aleancat e tij janë dëmtuar dhe goditur.

Ervis Martinaj u ekzekutua, lidhjet e tij në Durrës po gjykohen, edhe ambasada amerikane u përfshi në luftën ndaj tij. Prandaj përbën lajm kërkesa ndaj Shullazit për të dëshmuar, por nuk kam ndonjë shpresë të madhe që ai do të bashkëpunojë me autoritetet, pasi e di fuqinë e kundërshtarëve dhe e di se, përderisa ata nuk janë goditur, kanë kontroll mbi agjencitë e zbatimit të ligjit”, është shprehur Hoxha për Euronews.

Po ndodh...