Aksidenti në Fresk/ Përplasi për vdekje 18 vjeçarin dhe u largua, arrestohet autori 19 vjeçar

3 Shkurt 2023, 10:12 / AKTUALITET ALFA PRESS

Aksidenti në Fresk/ Përplasi për vdekje 18 vjeçarin dhe u

Policia ka arrestuar në flagrancë drejtuesin e automjetit që shkaktoi aksidentin dje në zonën e Freskut në Tiranë. Sipas policisë nga veprimet hetimore ka rezultuar se në kohën që ka ndodhur aksidenti, automjeti nuk drejtohej nga pronari i tij, shtetasi F. A., por drejtohej nga shtetasi S. K., 19 vjeç, banues në Tiranë.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të ndodhur rreth orës 23:30 të mbrëmjes së djeshme, te Fresku, ku si pasojë e përplasjes së një automjeti me një motor elektrik, mbeti i dëmtuar shtetasi E. S., 18 vjeç (drejtuesi i motorit elektrik), i cili më pas humbi jetën në spital, specialistët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë kanë kryer veprime hetimore për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të drejtuesit të automjetit të përfshirë në këtë aksident.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se në kohën që ka ndodhur aksidenti, automjeti nuk drejtohej nga pronari i tij, shtetasi F. A., por drejtohej nga shtetasi S. K., 19 vjeç, banues në Tiranë.

Nga verfikimet ka rezultuar se shtetasi S. K. ishte i pajisur me lejen përkatëse të drejtimit dhe nuk ka qenë nën efektin e alkoolit në kohën që është përfshirë në aksident.

Automjeti dhe motori elektrik u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve, shtetasi S. K., 19 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua në flagrancë dhe materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.