Aksidenti tragjik në Këlcyrë, makina e shkatërruar plotësisht hiqet nga vendngjarja

3 Prill 2024, 16:34 / AKTUALITET ALFA PRESS

Aksidenti tragjik në Këlcyrë, makina e shkatërruar

Pamje me të vërtet të frikshme kanë ngelur nga aksidenti tragjik në Këlcyrë ku humbën jetën 8 persona.

Ditën e sotme me ndihmën e një vinçi është larguar nga vendi i ngjarjes makina e shkatërruar plotësisht që i ngjan më shumë një grumbull hekurishtesh.

Në momentin kur vinçi ngre peshë makina e shkatërruar plotësisht ndahet në dy pjesë duke dëshmuar edhe një herë se përplasja ka qenë e fortë.

Aksidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit të së martës në aksin Këlcyrë-Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar, ku automjeti tip “Mercedes Benz” me drejtues 24-vjeçarin nga Shkodra Edison Bregaj dhe me 7 klandestinë brenda, doli nga rruga dhe përfundoi mbi lumin Vjosë, ku humbën jetën të 8 personat.

Në momentin që ka parë dy policë që patrullonin zonën ai është larguar me shpejtësi, ka humbur kontrollin dhe pas një fluturimi në ajër për rreth 200 metra ka përfunduar në anë të lumit të Vjosës.

Burime bëjnë me dije se Policia e Shkodrës ka ndaluar dy persona për llogari të Policisë së Gjirokastrës. Mësohet se është arrestuar 26-vjeçari nga Shkodra, Agustin Gjeta, pronar i automjetit tip “Mercedes Benz”, ku fillimisht u raportua se ia kishte dhënë me qira Edison Bregajt. Po ashtu, mësohet se është ndaluar edhe shtetasi Ramazan Dekovi 23 vjeç po nga Shkodra.

Mbi dy të rinjtë rëndon akuza për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, ku siç duket bashkëpunonin me viktimën Edison Bregaj, për të ndihmuar klandestinët nga vendet e treta në këmbim të fitimit.

Burime bëjnë me dije se shtatë refugjatët klandestinë që humbën jetën ishin me origjinë nga Pakistani dhe ishin të gjithë nën 30 vjeç. Mësohet se deri më tani janë identifikuar vetëm dy prej tyre nga letërnjoftimet që u janë gjetur, ndërsa për të tjerët ka qenë e pamundur.

Identifikimi i 5 viktimave të tjera pritet të bëhet përmes gjurmëve daktiloskopike dhe analizës së ADN. Në vijim, në bashkëpunim edhe me INTERPOL pritet të krijohen komunikim zyrtar me autoritetet pakistaneze për dërgimin e trupave të pajetë atje.

 

Po ndodh...