Denoncimi/ Zbardhen të tjera shkelje të Ceno Klosit te Tatimet

3 Prill 2024, 19:31 / AKTUALITET ALFA PRESS

Denoncimi/ Zbardhen të tjera shkelje të Ceno Klosit te Tatimet
Ish-drejtori i Auditit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Muharrem Doku, ka denoncuar ditën e sotme të tjera shkelje të Ceno Klosit te Tatimet.

I ftuar në rubrikën “Çështja e Ditës” në News 24, Doku shprehet se Klosi dhe vartësit e tij po shkatërrojnë Tatimet në vend duke emëruar punonjës të pakualifikuar, me lidhje nepotike dhe në konflikt të hapur interesi.

“Duke qenë person i komanduar, ligji i procedurave tatimore dhe ligji i nëpunësit civil nuk parashikon komandimin e punonjësve apo drejtuesve në detyrë. Kjo është shkelje, e kam denoncuar, është në kundërshtim me ligjin. Ram Papa vazhdon në detyrë duke marrë vendime. Sot mora një informacion se komisioni i disiplinës në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve ka pezulluar masat disiplinore të punonjësve tatimorë, me faktin, ngaqë është bërë publik nga ana juaj në emisioni Vetting javën e kaluar dhe kanë pezulluar masat disiplinore ndaj punonjësve. Por, ndaj meje ata ndërmorën vjet duke qenë në shkelje me ligjin dhe masën e largimit nga puna duke shkelur ligjin. Jam në proces gjyqësor dhe po e ndjek në Gjykatën Administrative”, u shpreh Doku.

Ai denoncon se janë ngritur në detyrë në kundërshtim me ligjin punonjësit si Elidjana Çelaj, Emilio Manoku, Altin Demiri, Sokol Muharremi, Vasilika Xhamo, Ram Papa, Sokol Çela dhe Oltion Caku.

Gjithashtu, Doku denoncon presionin që i bëhet punonjësve, presion i cili zbret deri te bizneset të cilat përballen me klimë terrori nga administrata tatimore.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Raporti i KLSH thotë se disa nga inspektorët te Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë nuk kanë dorëzuar akoma vërtetim gjykate, kopje të diplomës dhe listës së notave të noterizuara, CV, kopje të kartës së identitetit, raport mjeko-ligjor, librezë pune si dhe autorizim për parandalimin e konfliktit të interesit…

Muharrem Doku: Jam njohur me këtë raport. Vjet ka ardhur raporti final. Nuk kam qenë pjesë e raportit. Por, për parandalimin dhe konfliktin e interesit… Sot në administratën tatimore ka shumë njerëz që kanë konflikte interesi. Janë marrë disa masa për disa raste që janë larguar, por ka ende edhe sot. Më konkretisht, ka punonjës që figurojnë në zyra kontabiliteti që mbajnë edhe sot subjekte, punojnë edhe në administratën tatimore. Lidhur me listën e notave, ju bëj me dije se në administratën tatimore ka sot njerëz që janë edhe pa diplomë.

Pyetje: Si janë futur në Tatime? Me lidhje nepotike?

Muharrem Doku: Me lidhje nepotike, por edhe me lidhje partiake. Ka sot njerëz të padiplomuar që figurojnë të punësuar në administratën tatimore!
Klevin Muka: Si ndikon kjo?

Muharrem Doku: Kjo ndikon që proceset gjyqësore fitohen të gjitha na punonjësit që largohen padrejtësisht.

Pyetje: Ju keni në eksperiencë të gjatë te tatimet…

Muharrem Doku: Unë kam një eksperiencë të gjatë te Tatimet, kam qenë në vitin 2008 drejtori i Auditit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Por s’janë bërë kurrë emërime të tilla.

Pyetje: Si ka ndryshuar ndër vite administrata Tatimore dhe çfarë ndodhi me ardhjen e Ceno Klosit?

Muharrem Doku: Unë jam larguar në 2014 nga drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe kam fituar procesin gjyqësor dhe jam rikthyer në vitin 2021 në drejtorinë e tatimeve të Tiranës. Që nga ajo kohë deri më sot në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve Tiranë është ushtruar një presion i jashtëzakonshëm. Aty është frymë terrori. Nuk mund të punosh. Nga vjen ky terror? Nga këshilltari i drejtorit të Përgjithshëm, Elton Libohova. Terrori vjen nga personat e komanduar siç është rasti i drejtorit aktual, që është tej normave në shkelje të ligjit i komanduar. Merr vendime për të larguar njerëz nga puna, por edhe për subjektet.

Punonjësve u bëhet terror, u hiqet dita e punës. Është në shkelje të ligjit, rast konkret kam patur vetë kam fituar para dy muajsh një proces të tillë gjyqësor sepse më hoqën ditën e punës.

Pyetje: Dhe e fituat procesin?

Muharrem Doku: Po e kam fituar procesin gjyqësor. Nuk ishin vendime të bazuara në ligj.

Pyetje: Fryma që ju thoni në drejtorinë e Tatimeve, a reflektohet dhe tek sjellja ndaj biznesev dhe qytetarëve?

Muharrem Doku: Kur një punonjës nuk është i qetë të bëjë punën e tij dhe kjo reflektohet në vendimmarrjen që ata kanë ndaj subjekteve.

Pyetje: Presioni ndaj subjekteve është shtuar?

Muharrem Doku: Patjetër, presioni është i shumtë. Unë do jem i pranishëm dhe do ju sjell prova dhe fakte konkrete për rastet që unë kam në dispozicion.

 

ide