“Dita e Mësuesit”/ 136 vite nga krijimi i Mësonjëtores së parë shqipe

7 Mars 2023, 07:58 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

“Dita e Mësuesit”/ 136 vite nga krijimi i

Mësuesit dhe nxënësit, në mbarë vendin festojnë sot 7 Marsi, e njohur ndryshe si “Dita e Mësuesve”. Kjo ditë festohet në shenjë vlerësimi të traditave më të mira të shkollës kombëtare shqipe, të figurës së nderuar të mësuesit si edukator i brezit të ri.

Një festë e cila i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve.

Hapja e shkollës së parë shqipe, 7 Mars 1887 në Korçë kurorëzoi me sukses një nga detyrat kryesore të lëvizjes sonë kombëtare, atë të përhapjes së arsimit në gjuhën amtare, për të cilën dhanë kontributin e tyre edhe vëllezërit Sami e Naim Frashëri.

Shkolla kishte si detyrë që nëpërmjet përhapjes së gjuhës shqipe të ndihmonte në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, në rritjen e përpjekjeve të shqiptarëve për autonomi. Nga struktura dhe përmbajtja e mësimit “Mësonjëtorja e Parë” ishte një shkollë e përparuar. Veprimtaria e saj përshkruhej nga fryma patriotike, nga dëshira për dije dhe edukata e punës.  Tekstet e përdorura në shkollë si; abetarja e gramatika e Sami Frashërit, aritmetika e Jani Vretos, historia e Naim Frashërit etj. si vepra të rilindasve të shquar, dalloheshin për frymën e shëndoshë dhe përmbajtjen patriotike.

Shkolla pati ndikimin e vet jo vetëm në Korçë, por në të gjithë vendin. Vetëm 7 ditë pas saj, u çelën shkolla shqipe në qytetin e Pogradecit, në Ersekë e në Ohër, si dhe u shtuan përpjekjet për çeljen e tyre në krahinat e tjera. Në 23 tetor të vitit1891, në Korçë u çel Shkolla e Vashave, e cila krijonte mundësi për të marrë arsim në gjuhën amtare dhe femra shqiptare dhe që si një forcë e madhe shoqërore të hynte në rrugën e përparimit.