I dënuar në SHBA për terrorizëm, Prokuroria kërkon konfiskimin e pasurive të familjarëve të Sajmir Alimehmetit

31 Janar 2026, 10:28 / AKTUALITET ALFA PRESS

I dënuar në SHBA për terrorizëm, Prokuroria kërkon

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar konfiskimin e pasurive të familjarëve të Sajmir Alimehmeti, i dënuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 22 vite burg për vepra penale që lidhen me terrorizmin.

Sipas prokurorisë, Alimehmeti është dënuar për sigurim ose tentativë për sigurim të mbështetjes materiale për individë apo grupe të përfshira në aktivitete terroriste, si dhe për deklarim të rremë për pajisje me pasaportë.

Ndërkohë në Shqipëri, ai po hetohet aktualisht për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, ndërsa procedimi pasuror është regjistruar gjatë vitit 2025, pas informacioneve të marra nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar.

Nga verifikimet e kryera për familjarët e tij, konkretisht prindërit Z.A. dhe V.A., rezulton se ata kanë kryer transaksione financiare dhe veprime ekonomike me vlera të konsiderueshme në banka të nivelit të dytë në Shqipëri, të cilat, sipas prokurorisë, nuk justifikohen me të ardhurat e deklaruara ndër vite.

Familjarët kanë pretenduar se pasuritë janë krijuar nga qira dhe kursime, por nuk kanë paraqitur dokumentacion që të provojë burimin e ligjshëm të këtyre të ardhurave. Sipas hetimeve, vlerat monetare nuk përputhen me të ardhurat e deklaruara dhe dyshohet se nuk kanë prejardhje të ligjshme.

Në përfundim të hetimit pasuror, prokuroria ka kërkuar konfiskimin  të disa llogarive bankare, konkretisht:

Llogaritë e shtetasit Z.A. me gjendje lekë 39.49, Usd 4.74, si dhe depozitat në vlerën USD 50,109.56 dhe Lekë 3,862,244.93;

Llogaritë e Shtetases V. A. me gjendje Euro 15,001.09; dhe

Llogaritë e shtetasve Z.A. dhe V.A. me gjendje Lek 11,734,250.00.

Po ndodh...

ide