I doli emri në dosjen "Epstein", Atifete Jahjaga thyen heshtjen: Përmendja ime lidhet me një korrespondencë...

2 Shkurt 2026, 14:01 / AKTUALITET ALFA PRESS

I doli emri në dosjen "Epstein", Atifete Jahjaga thyen heshtjen:

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka reaguar pas lajmeve që lidhën emrin e saj me dosjen “Epstein”, e cila u publikuar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë më 29 janar.

Përmes një postimi në rrjetet sociale ajo ka hedhur poshtë insinuatë për ndonjë lidhje apo kontakt me personin në fjalë. Jahjaga ka sqaruar se gjatë ushtrimit të funksionit të saj si presidente nuk ka pasur asnjëherë njohje, takim apo komunikim të çfarëdo lloji me Jeffrey Epstein.

Ajo ka theksuar se emri i saj nuk figuron në asnjë nga dokumentet e publikuara dhe se përmendja e titullit “Presidenti i Kosovës” në një email të palëve të treta nuk përbën provë dhe nuk nënkupton përfshirje personale apo institucionale.

“Raportimet mediatike për “lidhjen time” me dosjen “Epstein”  janë tërësisht të pabaza dhe të pavërteta. Si Presidente e Republikës së Kosovës nuk kam pasur asnjëherë njohje, takim apo çfarëdo lloj kontakti me personin në fjalë.

Përmendja e emrit tim nga mediat me rastin e dokumenteve të publikuara së fundmi lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk përbën dhe nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale me mua. Emri im askund nuk përmendet në asnjë lloj dokumenti të publikuar.

Në këtë email te palëve të treta permendet Presidenti i Kosovës, por nuk është e qartë cili, dhe nuk permendet kerkesa per takim në emër të tij apo të saj.

Çdo raportim ndryshe është insinuate dhe mashtrim i opinionit, siç mund te verehet lehtë nga dokumentet. Kërkoj që ky sqarim të jepet në mediat të cilat e kanë lakuar emrin tim, sidomos meqenëse as nuk e kam njohur, as takuar dhe as nuk kam kërkuar takim me personin në fjalë në asnjë pozitë që kam mbajtur deri më tani”, shkruan ish-presidentja e Kosovës.

Publikimi i dokumentave të dosjes Epstein nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka sjellë reagime të forta në të gjithë botën. Mes qindra emrave të njohur, rezultoi dhe ai i “presidentit të Kosovës”.

Në një nga emailet e publikuar, i dërguar nga një person me emrin Daniel, përmendej mundësia e një takimi në Nju Jork, mes një priceshe nga Tajlanda, Jeffrey Epstein dhe presidentit të Kosovës.

Dokumenti nuk specifikon emër konkret dhe as nuk dëshmon ndonjë kërkesë apo organizim zyrtar takimi në emër të institucionit presidencial të Kosovës. Por, në periudhën kur dhe është dërguar ky email, detyrën e Presidentes së Kosovës e ushtronte Atifete Jahjaga.

 

 

Po ndodh...

ide