Mjeku serb e la invalide, Gjykata i cakton 350 mln lekë dëmshpërblim, zhduket pronari Ardian Kazaferi, lidhja me familjen Pipero

Një javë më parë emisioni “Piranjat” trajtoi rastin e Mirjana Karinit, 65-vjeçares nga Shkodra e cila ka probleme të theksuara shëndetësore, të shkaktuara nga një grup njerëzish, secili me përgjegjësi për këtë masakër.
Historia që lidhet me keqmjekimin e kësaj zonje nisi më datë 31 mars 2019, teksa ajo konsumonte një kafe me familjarët e saj, dhe aty pa dashur theu kaviljen. Personi i parë që ka gisht në invaliditetin e Mirjanës, është shoku i djalit të saj, Saimir Suma, pasi ai i sugjeroi operimin te Poliklinika Gjermane në Laprakë, duke i gënjyer se po shkonin te Spitali Gjerman, pasi ambulanca që e mori zonjën nga Shkodra, ishte e Spitalit Gjerman. Ajo pagoi 500 euro për ambulancën dhe 5000 euro për operacionin, por cash, jo me faturë tatimore.
Pas operacionit mjekët i thanë se çdo gjë përfundoi me sukses, por ishte totalisht e kundërta. Ajo ishte keqmjekuar. Këtu hyn në lojë personi i dytë përgjegjës, mjeku serb Gordan Gavrillovic, njëkohësisht ortak i Poliklinikës Gjermane. Në këmbën e zonjës duhej vendosur një implant, dhe mjeku nuk i vendosi implantin e duhur, por një implant stok, më të gjatë dhe më të trashë, duke ia holluar kockën së tepërmi, duke i zhvendosur kupën e gjurit dhe këputur nervin shiatik. Kështu zonja Karini mbeti invalide për jetë, në masën 72.5 %.
Duke marrë parasysh këtë dëmtim madh që i bënë, ajo vendosi ta padisë Poliklinikën Gjermane dhe Gjykata e Shkodrës konstaton një mal me shkelje ligjore.
E para, Poliklinika Gjermane nuk ishte e licencuar për të kryer operacione të tilla, pasi ishte vetëm Poliklinikë me shtretër ditorë, jo spital;
E dyta, mjeku Gordan Gavrillovic nuk ishte i regjistruar në Urdhrin e Mjekut dhe nuk kishte diplomat e duhura;
Së treti, pagesa u krye pa kupon tatimor;
Së katërti, mjeku serb kishte punuar pa përkthyes;
Së pesti, ai e kishte keqmjekuar pacienten duke e lënë invalide.
Kështu Gjykata vendosi që dëmi pasuror dhe jo pasuror ndaj saj të kapë vlerën rreth 350 milionë lekë të vjetra. Këtu hyjnë në lojë shumë persona, të cilët bënë të pamundurën për të shmangur ekzekutimin e vendimit të Gjykatës. Gavrillovic zhduket, ndërsa Ardian Kazaferi, bashkë me menaxherin financiar Saimir Suma dhe avokatin e tyre Aranit Roshi, krijuan një skemë fiktive për të mos paguar asnjë qindarkë te zonja Mirjana Karini.
Së pari llogaritë e Poliklinikës Gjermane u boshatisën. Së dyti, u krijua një skemë fiktive për shitjen e pajisjeve mjekësore, të cilat në total kapnin një vlerë rreth 800 milionë lekë të vjetra. Miku i Ardian Kazaferit, Andrea Papa, krijon shoqërinë Arthromed shpk, me të cilën i bën ofertë Poliklinikës Gjermane për blerjen e pajisjeve për 79 milionë lekë. Në dokumentin e tyre të panoterizuar nuk përcaktohet nëse këto lekë janë të reja apo të vjetra. Shkelja e parë ligjore që bën Ardian Kazaferi është shitja e këtyre pajisjeve, të cilat ishin lënë barrë në bankë, pasi më herët z. Kazaferi kishte marrë kredi 200 mijë euro dhe pajisjet i kishte lënë kolateral. Nga ana tjetër, Andrea Papa merr hua 55 mijë euro te miku i tij Josif Kozma, duke i lënë këtij të fundit pajisjet si peng për shlyerjen e borxhit.
Në këtë kohë, pas shumë mundimeve, kur kuptuan se asnjë qindarkë nuk do kalonte në llogaritë e zonjës, kjo e fundit u bë pronare 100% e Poliklinikës Gjermane, por pa asnjë qindarkë në llogari dhe pa asnjë pajisje të sajën. Dhe këtu hyn në lojë familja Pipero, pronarja e godinës 4-katëshe në Laprakë, aty ku kishte zhvilluar aktivitetin më herët Poliklinika Gjermane, më pas Arthromed, dhe më pas klinika “Pipero Care”, themeluar nga Mario Pipero, djali i mjekut të njohur Pëllumb Pipero. Ky i fundit i mori pajisjet mjekësore me një çmim qesharak, ku nga burimet e gazetarit Freard Rista, tregojnë për një shumë 60 milionë lekë të vjetra.
Më pas, Mario Pipero ndërron emrin e klinikës në “Lifeplus” dhe këtë biznes, po sipas burimeve, ia shet për qindra mijëra euro 6 mjekëve të Spitalit të Traumës në Tiranë, por me dokumente shitja është bërë për vetëm 1 milionë lekë të vjetra.
A ka njeri në botë që mund ta besojë se një aktivitet me vlerë mbi 500 mijë euro, të shitet për një milion lekë të vjetra?
“Unë tani në 6 vite e gjysmë jam me këtë hall. Po si mund të të lënë në këtë farë feje?! Të mos merret asnjë përgjegjësi. Unë tani erdha në poliklinikën tuaj duhet të themi, se unë u nisa për spital, e ju besova, hyra në operacion, dhe ju më lini në këtë gradë?!”, shprehet me lot në sy 65-vjeçarja Mirjana Karini.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128