Egli Pashollari u godit për vdekje me thikë, avokati habit me deklaratën: Nuk është vrasje, por vetëmbrojtje në kushtet ekstreme

22 Shkurt 2026, 22:58 / AKTUALITET ALFA PRESS

Egli Pashollari u godit për vdekje me thikë, avokati habit me

Avokati Ermal Hamataj ka komentuar vrasjen me thikë të Egli Pashollarit, teksa tha se kemi të bëjmë një vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes, e cila sipas tij i ka kaluar limitet.

Hamataj tha se vrasja ka ndodhur në kushtet e një tronditjeje momentale, pasi sipas tij askush nuk ka shkuar aty për të kryer krimin e rëndë.

"Nuk më duket se është vrasje me dashje, për mua është në kushtet e vetëmbrojtjes, por duke i kapërcyer elementët e vetëmbrojtjes. Ligji e ka parashikuar në këtë formë, të bësh një veprim në kushtet e tronditjes së fortë psikike. Ne jemi qenie njerëzore që brenda habitatit tonë vendosim disa limite dhe këto limite nuk na i ruan ligji, por na i ruan egoja. Egoja thotë që anëtari i familjes nuk preket. Egoja thotë se nëse anëtari i familjes preket, ti do reagosh. Pastaj këtu egoja jonë bie ndesh me ligjin, sepse shumë veprime që bëhen për shkak të egos përfundojnë duke shkelur ligjin dhe duke kryer një vepër penale", tha ai.

Më tej avokati tha se kur një anëtar i familjes preket, instinkti i njeriut është që të reagojë, pavarësisht dëmit që mund të shkaktojë.

"Ajo që ka ndodhur aty, edhe në botën më të qytetëruar, jam i sigurt që në kushtet e një tronditjeje momentale mund të ndodhte, sepse nuk shikoj askënd që është nisur për të vrarë dikë, por shikoj një konflikt i cili ka degjeneruar me grushta dhe ndoshta me përdorimin e armëve të ftohta, sepse një person që kërkon të të vrasë nuk të turret mbrapa makinës për të thënë ndalo, sepse ka forma të tjera sesi kryhet vrasja, por thjesht është instinkt i një individi për të mbrojtur atë barrierë mbrojtëse që kjo është e imja.

Ne duhet të flasim për mënyrën sesi jemi rritur, në ambientin sesi jemi rritur dhe atë çfarë na karakterizon. Pra, ballkanasit janë tipa sanguinë, është një nga këto klasifikimet që vendime të mira ose të këqija i marrin në të qindtën e sekondit dhe kjo nuk ka të bëjë me faktin se ne jemi njerëz të këqij, ka të bëjë me faktin sesi jemi rritur", deklaroi ai në Euronews Albania.

Ngjarja e rëndë u regjistrua pasditen e 20 shkurtit, rreth orës 15:40. I riu Egli Pashollari i cili u tha se ka qenë dhe një nga njerëzit e afërt të Emiljano Shullazit, u qëllua me thikë pas shpine dhe fatkeqësisht ndërroi jetë rrugës për në spital.

Lidhur me këtë ngjarje policia ka shpallur në kërkim shtetasin Gazment Buçpapa, ndërkohë që në policia ka dhënë dëshminë dhe bashkëshortja e këtij të fundit.

Fillimisht ajo deklaroi se 31-vjeçari e kishte ngacmuar dhe për këtë arsye i kishte thënë bashkëshortit i cili më pas e qëlloi të riun me thikë. Por kjo deklaratë u hodh poshtë vetëm disa orë më pas, ku ka qenë pikërisht ajo e cila tha se “mollë sherri” u bë bllokimi i rrugës.

Po ndodh...