
Moti i keq dhe ngricat shkatërrojnë pemëtarinë, vreshtarinë dhe të mbjellat në fshatrat e Qarkut të Elbasanit

Këtë fillim-javënë Qarkun e Elbasanit moti është i kthjellët dhe pa reshje, duke sjellë kushte më të favorshme për kryerjen e aktiviteteve të përditshme krahasuar me javën që kaloi ku mbizotëroi mot me reshje të dendura shiu e bore, të shoqëruar edhe me erë të fortë.
Megjithatë reshjet e dendura që kanë rënë gjatë të dielës veçanërisht në zonat rurale dhe sidomos në ato malore, kanë shkaktuar probleme serioze në disa zona të Qarkut të Elbasanit.
Situata ka qenë më problematike në bashkitë e Librazhdit, Prrenjasit, Gramshit dhe Elbasanit ku reshjet e dëborës kanë shkaktuar pasiguri dhe vështirësi në lëvizje dhe zhvillimin e aktiviteteve të zakonshme.
Trashësia e dëborës në këto zona ka arritur deri në 10-15 cm duke bërë që qarkullimi të bëhet i vështirë veçanërisht në rrugët malore. Ulja e menjëhershme e temperaturave ka shkaktuar ngrica, gjë që ka përkeqësuar situatën.
Kjo ka vështirësuar jo vetëm lëvizjen e automjeteve dhe transportin e njerëzve, por ka sjellë dhe pasoja të tjera në sektorë të rëndësishëm si bujqësia dhe furnizimi me energji elektrike.
Një nga pasojat më të rënda ka qenë dëmtimi i pemëtarisë, vreshtarisë dhe mbjellave të pranverës, të cilat ishin të ekspozuara ndaj kushteve të ftohta dhe ngricave.
Kjo ka ndikuar negativisht në prodhimin e pritshëm të frutave dhe vreshtave duke i vënë në rrezik të ardhurat e fermerëve në këto zona, sidomos në Njësitë Administrative Stravaj, Rrajcë, Hotolisht, Polis, Qendër, Labinot Mal, Lenie, Kukur, etj.
Ndërkohë dëmtimi i disa linjave elektrike ka rënduar edhe më tej situatën duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në disa zona rurale çka ka ndikuar në jetën e përditshme të banorëve.
Kjo situatë ka krijuar nevojën për ndërhyrje të shpejta dhe efikase nga autoritetet lokale dhe kombëtare për të siguruar pastrimin e rrugëve, riparimin e linjave të energjisë dhe ndihmën për fermerët që janë goditur nga dëmet.
Po ashtu situata e krijuar nga moti i keq kërkon vëmendje dhe mbështetje të shtuar për komunitetet rurale që ndodhen në këto zona të prekura nga moti i keq./BW

ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128