SPAK kërkon kthimin në burg të Vangjush Dakos

8 Prill 2024, 11:04 / AKTUALITET ALFA PRESS

SPAK kërkon kthimin në burg të Vangjush Dakos

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar kthimin në burg të ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako. Kjo kërkesë e organit të akuzës është shqyrtuar sot në Gjykatën e Apelit të Posaçëm. Sipas gazetares Anila Hoxha, në sallë, prokurori i çështjes deklaroi se në rast se nuk vendoset "arresti me burg" për Vangjush Dakon, atëherë masa t'i zëvendësohet në "arrest shtëpie".

Por avokatët mbrojtës të Dakos kanë përmendur afatet, që sipas tyre kanë "skaduar" edhe për masën e arrestit në shtëpi. Megjithatë vendimi i mbetet trupës së Gjykatës së Apelit.

Ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako u arrestua me urdhër të SPAK më datë 6 qershor 2023. Në pranga, përpos tij, u vunë edhe 8 ish-zyrtarë në Bashkinë e Durrësit dhe një ndërtues. Por u lirua më 27 shkurt. Ndaj Dakos rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës në dy raste. Njëra akuzë është për lejen e ndërtimit e dhënë përpara 11 vitesh dhe tjetra për një tender të vitit 2014-2015, për ndërtimin e një shëtitoreje në zonën bregdetare, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm 18 milionë lekë.

 

Po ndodh...